...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greqia përgatitet për një verë ‘të zjarrtë’ me Turqinë

Ankaraja ka filluar të lëvizë në dy drejtime lidhur me përpjekjen e Athinës për të zgjeruar ujërat detare: ligjore dhe ushtarake

Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)

15/05/2026 - 15:14

Greqia po përgatitet për një verë që mund të mbartë acarim në marrëdhëniet greko-turke, sidomos pas të dhënave të djeshme që erdhën nga një burim zyrtar, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, lidhur me projektligjin që po përgatit Ankaraja dhe që pritet të paraqitet në qershor. Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis theksoi dje gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen për kalimin energjitik të organizuar nga Financial Times dhe Kathimerini, se “nëse ndonjë shtet përzgjedh të ndërmarrë masa të njëanshme, të cilat sipas së Drejtës Ndërkombëtare duhet të organizohen në nivel shumëpalësh ose dypalësh, ato kanë vetëm fuqi të brendshme dhe nuk kanë zbatim ndërkombëtar”.

Ai shtoi se Greqia ka shumë mënyra për të reaguar. Athina dha përgjigje të dyfishtë ndaj planeve turke, përmes qëndrimeve të Giorgos Gerapetritis dhe ministrit të Mbrojtjes Nikos Dendias. Nga Agathonisi, ku mori pjesë tek ceremonia e përurimit të një rrjeti të ri banesash ushtarake për oficerë, Nikos Dendias la të kuptohej se Athina sheh përshkallëzim tek qëndrimet turke. Ai foli për “synime rishikuese që janë acaruar kohët e fundit, madje me thirrje për të drejta që nuk ekzistojnë”, duke shtuar se “të gjithë ishujt tanë kanë pikërisht ato të drejta që parashikon Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, as më shumë dhe as më pak”.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë kishte njoftuar se ligji i planifikuar “do të përcaktojë përgjegjësitë tek zonat tona të juridiksionit detar dhe do të përballojë mangësitë tek kuadri ynë i brendshëm ligjor”. Në njoftim thuhej se ministria ka marrë pjesë në këto përpjekje ligjore në nivel ushtarak, teknik, akademik dhe juridik dhe se shtesat e saj u janë përcjellë organeve përgjegjëse.

Ankaraja theksoi gjithashtu se “forcat e armatosura turke do të vazhdojnë, si gjithmonë, me vendosmëri të palëkundur të mbrojnë të drejtat dhe interesat e vendit tonë tek zonat e juridiksionit detar”.

Brenda këtij kuadri, Milliyet kujtoi casus belli-n e Turqisë dhe shkroi se “arsyet e Turqisë për casus belli në Egje ruhen edhe tek rregullorja e re. Kundërshtimi i fortë i Turqisë ndaj kufirit prej 12 miljesh në Egje mbetet i fuqishëm tek rregullorja e re”.

E njëjta gazetë zbulon se projekti i ri i jep presidentit të Turqisë fuqinë për të shpallur zona detare me regjim të posaçëm për peshkim, mbrojtjen e mjedisit detar dhe qëllime të tjera në zona ku nuk është shpallur Zonë Ekonomike Ekskluzive (ZEE). “Kjo do t’i japë Turqisë hapësirë manovrimi si për të drejtat e saj detare, ashtu edhe përballë të kryerave të Greqisë”, shkruan Milliyet, duke shtuar se “zona detare me regjim të posaçëm mund të shpallen edhe në Detin Egje, ku nuk është shpallur ZEE”.

Ndërkohë, përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në OKB, ambasadori Ahmet Yildiz, dërgoi letër në OKB, pas kundërshtimit të Greqisë për përdorimin e termit “Ngushticat Turke” në Këshillin e Sigurimit. Ai theksoi se termi “Ngushticat Turke” është një emërtim gjeografik i vendosur që i referohet tërësisë së Bosforit dhe Dardaneleve, të cilat ndodhen nën sovranitetin e Republikës së Turqisë, duke shtuar se ky term është “përshkrues, gjeografikisht i saktë dhe plotësisht në përputhje me zbatimin e vazhdueshëm të Konventës së Montrës”.

Vlen të theksohet se Ankaraja reagon në mënyrë të qëndrueshme jo vetëm në OKB, por edhe në NATO, në kuadër të planifikimit të stërvitjeve ose veprimtarive të tjera të aleancës.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA