Irani i kundërgjigjet kërcënimeve të Amerikës dhe premton hakmarrje
Irani reagoi ashpër ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’i vendosur sanksione 14 individëve, duke e cilësuar atë si “shkelje të vijave të kuqe”.
SHJ
13/01/2018 - 15:11
Lëvizja pasoi deklaratën e Donald Trump se do ta shtynte për të fundit herë lehtësimin e sanksioneve të plota mbi Republikën Islamike.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se po i jepte Europës dhe Amerikës një “shans të fundit” për të ndrequr “të metat e tmerrshme” që ka, sipas tij, ujdia historike e nënshkruar në vitin 2015 mbi programin bërthamor iranian. Në të kundërt, Uashingtoni do të tërhiqet prej saj brenda disa muajsh.
Shtëpia e Bardhë kërkon që firmëtarët e paktit të pranojnë kufizime të përhershme lidhur me pasurimin e uraniumit nga Irani. Sipas marrëveshjes aktuale, këto kufizime duhet të përfundojnë në vitin 2025.
Deklarata e Trumpit i vë para një trysnie të madhe Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, vendet evropiane nënshkruese të paktit nuklear. Teherani vetë e ka bërë të qartë se nuk është i interesuar për një rinegocim të marrëveshjes.
Sanksionet që shtyu Presidenti Trump kanë të bëjnë me Bankën Qendrore të Iranit. Ato e shkëputnin regjimin e ajatollahëve nga sistemi financiar ndërkombëtar, deri kur u pezulluan nga ish-Presidenti Obama.
Iran promises crushing response to new US sanctions, en.ehrnews
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 87 reads



