...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Irani shton pasurimin e uraniumit pas dështimit të Evropës për ruajtjen e marrëveshjes

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha të mërkurën se Irani do të fillonte pasurimin e uraniumit në nivele më të larta brenda disa ditësh, nëse nuk sheh më shumë ndihmë në lehtësimin e sanksioneve nga vendet që nënshkruan marrëveshjejen e vitit 2015

Voa

03/07/2019 - 17:28

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha të mërkurën se Irani do të fillonte pasurimin e uraniumit në nivele më të larta brenda disa ditësh, nëse nuk sheh më shumë ndihmë në lehtësimin e sanksioneve nga vendet që nënshkruan marrëveshjejen e vitit 2015, e cila vendosi kufizime ndaj programit bërthamor të vendit. Kjo marrëveshje kishte për qëllim zbutjen e shqetësimeve se Irani po përpiqej për ndërtimin e një arme bërthamore dhe ndër të tjera, i ndalonte Iranit të pasuronte uranium mbi nivelin 3.67%. Po sipas marrëveshjes, Irani mund të mbante vetëm 300 kilogramë material bërthamor në rezervat e veta.

Niveli prej 3.67% është i mjaftueshëm për synimin për të prodhuar energji bërthamore, por ky nivel është shumë më i ulët se niveli i pasurimit prej 90%, që nevojitet për prodhimin e armëve bërthamore.

Zoti Rouhani tha se që nga e diela, Irani është gati të fillojë të pasurojë "çdo sasi që dëshiron" përtej nivelit prej 3.67%. Ai u zotua më tej se do të rifillojë ndërtimin e reaktorit me ujë të rëndë Arak, një projekt që Irani ra dakord të mbyllet kur nënshkroi Planin e Përbashkët të Veprimit në vitin 2015. Irani ka kërkuar mbështetjen evropiane, pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja vitin e kaluar dhe vendosën disa raunde sanksionesh të reja, duke përfshirë masat që synojnë sektorin e naftës, me shumë rëndësi për ekonominë e Iranit.

Teherani njoftoi këtë javë se kishte tejkaluar tashmë limitin prej 300 kilogramë të uraniumit të pasuruar, por zyrtarët, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm Mohammad Javad Zarif kanë thënë se Irani është gati të kthehet tek respektimi i kufizimeve në kuadër të Marrëveshjes në vitit 2015, nëse merr ndihmën ekonomike nga vendet e tjera të përfshira në marrëveshje. Të gjithë nënshkruesit e tjerë, të martën shprehën shqetësim rreth shkeljes së kufirit të vendosur për rezervat e Iranit.

Britania, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Europian thanë në një deklaratë të përbashkët se ishin "të vendosur dhe të qartë se angazhimi ynë ndaj marrëveshjes bërthamore varet nga bashkëpunimi i plotë i Iranit" dhe i kërkoi Republikës Islamike "të përmbahet nga veprimet e mëtejshme që minojnë" marrëveshjen. Të treja këto vende dhe Bashkimi Europian thanë se "janë duke shqyrtuar urgjentisht hapat e ardhshëm".

Rusia dhe Kina, dy fuqi të tjera botërore që i kanë qëndruar marrëveshjes së vitit 2015, gjithashtu kundërshtuan shkeljen nga Irani të klauzolës për sasinë e rezervave të uraniumit. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov i bëri thirrje Iranit që "të tregojë përmbajtje dhe të mos udhëhiqet nga emocionet", si dhe të zbatojë dispozitat e marrëveshjes. Por ai gjithashtu fajësoi sanksionet ekonomike të SHBA kundër Teheranit, duke thënë se ato në fakt e penguan Teheranin të shesë uraniumin e tepërt që po prodhon, një kërkesë e marrëveshjes.

Kina shprehu një pikëpamje të ngjashme, duke shprehur keqardhjen se Irani e tejkaloi limitin e rezervave, por duke shtuar se presioni ekonomik i Uashingtonit kundër Teheranit ishte në thelbin e problemit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuang tha: "Siç kemi theksuar vazhdimisht, presioni maksimal i Shteteve të Bashkuara është shkaku kryesor i tensionit aktual në çështjen bërthamore të Iranit".

Dakota Wood, ish ushtarak i lartë dhe studiues i fushës së mbrojtjes në Fondacionin e Trashëgimisë Konservatore në Uashington, fajësoi fuqitë evropiane, Rusinë dhe Kinën për reagimet e tyre ndaj veprimeve të Iranit.

"Nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes e kanë aftësinë për marrë veprime për këtë, për të sfiduar atë që po bën Irani, por po dëgjojmë se këto vende po refuzojnë ta bëjnë këtë", - tha koloneli në pension i Korpusit të Marinës amerikane Wood në një intervistë për shërbimin pers të Zërit të Amerikës. "Kjo me të vërtetë tregon se sa pak presion është ushtruar ndaj Teheranit nga këto vende për zbatimin e marrëveshjes dhe kjo ishte arsyeja përse Presidenti Trump u tërhoq prej saj. Marrëvishja kishte shumë të meta," - shtoi ish koloneli amerikan.   

Pas heshtjes europiane Irani thotë se do ta rrisë nivelin e pasurimit të uraniumit

Irani po e rrit nivelin e pasurimit të uraniumit përtej niveleve të lejuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që vendosi kufizime ndaj programit bërthamor të vendit. Teherani e njoftoi këtë ndryshim të dielën. Agjencia Reuters tha se Irani mund ta rrisë nivelin e pasurimit në 5% për të prodhuar karburant për termocentralet.

Javën e kaluar, Irani njoftoi se e kishte tejkaluar kufirin e uraniumit të pasuruar prej 300 kilogramësh, por zyrtarët, përfshirë Ministrin e Jashtëm Mohammad Javad Zarif, thanë se Teherani ishte gati t’i respektonte përsëri kufizimet e vendosura nga marrëveshja, nëse do të merrte ndihmën ekonomike nga vendet e tjera të përfshira në marrëveshje.

Presidenti iranian Hassan Rouhani kohët e fundit tha se vendi i tij do të fillojë pasurimin e uraniumit në nivele më të larta, nëse nuk lehtësohen sanksionet nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së vitit 2015. Marrëveshja e ndalon Iranin të prodhojë uranium të pasuruar mbi nivelin 3.67% dhe e lejon të mbajë vetëm 300 kilogramë nga ky lloj materiali në rezervat e vendit.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA