...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Izraeli ngre tensionet në Siri: kurthoi ushtrinë siriane duke gjuajtur një aeroplan rus

Një aeroplan tjetër rus humbi nga radarët në Siri me 14 rusë në bord gjatë kohës kur Izraeli bombardonte Sirinë

SHJ

18/09/2018 - 08:52

Një ditë pasi ministria e mbrojtjes ruse publikoi faktet (një regjistrim audio dhe origjinën e raketës që gjuajti aeroplanin MH17:2014) se pas sulmit ishte Kievi…dhe kur Putini dhe Erdogani u pajtuan për krijimin e një zone të çmilitarizuar në rajonin e Idlibit të Sirisë për të ndarë forcat qeveritare siriane nga luftëtarët rebelë duke u patrulluar nga ushtarë turq dhe rusë, duke mënjanuar ofensivën e Asadit, pas të cilës pritësh zhvendosje e mëtejshme e popullatës përkatëse drejt Evropës…një rajon për të cilin Rusia është shprehur se ka të drejtë për ta rimarrë sepse është aleate e Asadit, me Iranin të përshëndesë marrëveshjen…një aeroplan tjetër rus humbi nga radarët në Siri me 15 rusë në bord gjatë kohës kur Izraeli bombardonte Sirinë.

Në orët e para të njoftimit asnjë raport nuk pati për hollësi të mëtejshme: se ku ra aeroplani dhe çfarë pësoi ekuipazhi. Një zyrtar amerikan, duke folur në anonimitet për Reuters tha se qeveria amerikane beson se mbrojtja siriane mund ta ketë gjuajtur aksidentalisht atë. Por radarët rusë kishin regjistruar lëshimin e një rakete nga fregata franceze në Mesdhe. Ushtria franceze mohoi çdo përfshirje në këtë çështje. 

Por sipas raportit të ushtrisë ruse, pak orë më vonë, incidenti u provokua nga Izraeli duke kurthuar ushtrinë siriane. Kështu, sipas saj, katër aeroplanë luftarak F-16 izraelitë sulmuan disa objektiva në Siri duke u afruar nga deti mesdhe në lartësi të ulët. Aeroplani rus (Il-20) po patrullonte në të njëjtën zone dhe u gjuajt nga një raketë siriane S-200 si kundërpërgjigje i sulmit izraelit. Si rezultat, 15 ushtarakë rusë gjetën vdekjen. Ushtria e ruse e konsideron veprimin izraelit provokacion dhe se ajo rezervon të drejtën për një përgjigje të përputhshme.         

Raporti i Voa-s:

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën se një avion rus i zbulimit u rrëzua nga një raketë siriane mbi Detin Mesdhe, duke lënë të vrarë 15 veta që ishin në bord. Ajo fajësoi Izraelin për rrëzimin, duke thënë se avioni u gjet nën zjarr derisa katër avionë izraelit kryen sulme në Sirinë veriperëndimore.

Ushtria ruse tha se avioni i zbulimit, Il-20, u qëllua 35 kilometra larg bregdetit të hënën vonë, derisa po kthehej në bazën ajrore aty afër.

“Pilotët izraelit e përdorën avionin rus si mburojë dhe e shtynë atë në vijën e zjarrit të mbrojtjes siriane", tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Televizioni shtetëror rus citoi ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, t'i ketë thënë ministrit izraelit të Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, se Izraeli është fajtor për humbjen e jetëve.

Ushtria tha se Izraeli nuk e paralajmëroi atë për operacionin mbi krahinën Latakia deri një minutë përpara sulmit, gjë që nuk i dha avionit rus kohë të mjaftueshme për t'u larguar.

Agjencitë ruse të lajmeve, cituan më pas ministrinë e Mbrojtjes të ketë thënë se ekipet e shpëtimit kanë gjetur mbetje të avionit në det dhe kanë tërhequr disa nga trupat.

Ushtria izraelite dhe ministria e Jashtme e Izraelit, refuzuan të komentojnë pretendimet ruse.

Për disa vjet, Izraeli dhe Rusia kanë mbajtur të hapur një linjë të veçantë telefonike për të parandaluar përplasjen e forcave të tyre ajrore në qiellin sirian. Zyrtarët ushtarakë izraelitë e kanë vlerësuar më parë si të frytshme atë.

Rusia është mbështetësi kryesor i presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe ka dy baza ushtarake në Siri, përfshirë një afër bregut të Detit Mesdhe.

Përfshirja dramatike e Rusisë në luftën civile siriane në vitin 2015, në mbështetje të qeverisë së Sirisë, pas një viti të sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe partnerët e saj të koalicionit kundër grupit Shteti Islamik, rriti spektrin e përplasjeve të rrezikshme në qiellin mbi Sirinë.

Trupat e Turqisë janë gjithashtu në terren në Sirinë veriore dhe po patrullojnë qiellin mbi rajon, pasi që Ankaraja kërkon të rrisë ndikimin e saj atje dhe të frenojë zgjerimin e territorit sirian të kontrolluar nga kurdët.

Izraeli është përmbajtur nga animi në luftën civile siriane, por ka pranuar se ka kryer sulme mbi iranianët dhe Hezbollahun. Izraeli ka pranuar se ka sulmuar rreth 200 herë mbi forcat iraniane dhe ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që Irani të vendosë prani të përhershme ushtarake në Sirinë e pasluftës.

Përgjatë gjithë luftimeve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Rusinë. Ai shpesh udhëton në Rusi për bisedime me presidentin Vladimir Putin, për të diskutuar çështjen e Sirisë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA