...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kina paralajmëron udhëtarët kinezë për shqetësimet amerikane--Amerika forcon kufizimet e udhëtimit në Kubë

Ministria e Jashtme i paralajmëroi qytetarët të martën se shtetasit kinezë që shkojnë në SHBA merren në pyetje në mënyrë të përsëritur nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe shqetësohen me mënyra të ndryshme ndërsa departamenti amerikan i thesarit i ka forcuar kufizimet për udhëtimin në Kubë, si hakmarrje ndaj "rolit destabilizues" të këtij vendi në rajonin e Hemisferës Perëndimore

Voa

05/06/2019 - 08:04

Kina ka lëshuar dy paralajmërime udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara, duke u thënë qytetarëve të saj se mund t'u nënshtrohen ngacmimeve të policisë dhe të bien viktimë e kriminelëve. Ministria e Jashtme i paralajmëroi qytetarët të martën se shtetasit kinezë që shkojnë në SHBA merren në pyetje në mënyrë të përsëritur nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe shqetësohen me mënyra të ndryshme. "Ministria i kërkoi qytetarëve kinezë të jenë të përgatitur të përgjigjen "në mënyrë aktive dhe të përshtatshme", thuhet në paralajmërim.

Ministria e Kulturës dhe e Turizmit lëshoi një paralajmërim të veçantë udhëtimi, duke përmendur një numër të madh incidentesh me armë dhe vjedhjesh në Shtetet e Bashkuara.

Paralajmërimet u lëshuan një ditë pasi Ministria e Arsimit e Kinës njoftoi se studentë dhe akademikë nkinezë po përballen me kufizime të rrepta të vizave të vendosura nga qeveria amerikane, duke përfshirë vonesa, apo edhe refuzime në marrjen e vizave.

Paralajmërimet vijnë në mesin tensioneve në marrëdhëniet dypalëshe midis Pekinit dhe Uashingtonit dhe të një lufte tregtare një mujore, që ka çuar në shtimin e tarifave hakmarrëse.   

SHBA forcojnë kufizimet e udhëtimit në Kubë

Departamenti amerikan i Thesarit i ka forcuar kufizimet për udhëtimin në Kubë, si hakmarrje ndaj "rolit destabilizues" të këtij vendi në rajonin e Hemisferës Perëndimore.

Departamenti tha përmes një deklarate të martën, se ka ndaluar udhëtimin në Kubë të grupeve edukative të njerëzve, një nga mënyrat kryesore që amerikanët vizitojnë ishullin e Karaibeve. Mijëra amerikanë filluan ta përdorin këtë metodë për të vizituar dendin komunist, edhe para se administrata e ish presidentit Barak Obama të rivendoste marrëdhëniet e plota diplomatike me Kubën në vitin 2014.

Departamenti i Thesarit gjithashtu ndalon udhëtimin në Kubë të avionëve dhe anijeve të korporatave private. Fluturimet komerciale ajrore me sa duket lejohen të vazhdojnë, ku përfshihen udhëtimi i grupeve universitare, të gazetarëve dhe të personave që ndjekin takime profesionale.

Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin tha se masat e reja ndaluese u imponuan për shkak të rolit të Kubës në rajon, përfshirë mbështetjen e tij për presidentin venezuelian, Nicolas Maduro.

"Kuba vazhdon të luajë një rol destabilizues në Hemisferën Perëndimore, duke siguruar një pikëmbështetje komuniste në rajon dhe duke plrkrahur kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara në vende si Venezuela dhe Nikaragua, duke nxitur paqëndrueshmëri, duke minuar sundimin e ligjit dhe duke shtypur proceset demokratike". Ai shtoi se "Këto veprime do të ndihmojnë për të mos lejuar që dollarët amerikanë të shkojnë tek shërbimet ushtarake, të zbulimit dhe të sigurisë në Kubës.

Departamenti i Thesarit tha se sanksionet e reja ndaj Kubës do të hynë në fuqi pasi të botohen të mërkurën në Regjistrin Federal.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA