...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Largimi i trupave amerikane nga Siria rrezikon popullin kurd dhe shkakton një luftë të re

Administrata Trump nuk ka dhënë detaje për planin e tërheqjes, dhe nuk ka shpjeguar se si Shtetet e Bashkuara kanë për të mbetur të angazhuara në konflikt, pas largimit të trupave të tyre

Voa

21/12/2018 - 13:27

Aleatët kurdë sirianë të Shteteve të Bashkuara kanë reaguar të alarmuar pas njoftimit të papritur nga Presidenti Donald Trump në Twitter, për fillimin e tërheqjes së të gjitha forcave amerikane nga Siria.

Një tërheqje e menjëhershme, sipas tyre, do t'i linte ata të pambrojtur ndaj një ofensive që Turqia ka kërcënuar të fillojë kundër tyre në lindje të lumit Eufrat dhe mund të sillte largimin e luftëtarëve arabë të radhitur në krah të tyre, të cilët po joshen nga udhëheqësi sirian Bashar al-Assad.

Forcat demokratike nën udhëheqjen kurde thanë të enjten përmes një deklarate, se një tërheqje amerikane do të kishte pasoja negative në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe do ta lejonte grupin të riorganizohej.

Rusia e mirëpriti njoftimin e zotit Trump të mërkurën, duke thënë se vendimi krijon mundësi për një zgjidhje politike të krizës së Sirisë.

Administrata Trump nuk ka dhënë detaje për planin e tërheqjes, dhe nuk ka shpjeguar se si Shtetet e Bashkuara kanë për të mbetur të angazhuara në konflikt, pas largimit të trupave të tyre. Por mund të ketë pasoja të menjëhershme për marrëdhënie të tensionuara mes trupave kurde dhe atyre turke në rajon.

Tensionet mes turqve dhe kurdëve

Të hënën, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se ishte gati për fillimin në çdo moment të një operacioni ndërkufitar kundër Njësive Mbrojtëse të Kurdëve, apo YPG, të cilat në praninë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, kanë qenë të mbrotjura prej Turqisë.

Duke folur në një miting pak ditë më parë, udhëheqësi turk tha se kishte siguruar disa lëshime nga Uashingtoni, në një bisedë të gjatë telefonike me zotin Trump, lidhur me një ofensivë të re kundër Njësive Kurde, aleatë me Shtetet e Bashkuara. Ankaraja i sheh forcat YPG si degë e militantëve kurdë në Turqi.

Po të mërkurën, para komenteve të zotit Trump, gjatë një konference shtypi, zëdhënësja e Ministrisë së Jashmte ruse Maria Zakharova, e cilësoi praninë ushtarake amerikane në Sirinë veriore si "të paligjshme" dhe tha se ishte pengesë për gjetjen e një zgjidhjeje politike ndaj konfliktit të Sirisë.

“Nga të qënit faktor në luftën kundër terrorizimit, prania e paligjshme amerikane në Siri po bëhet një pengesë e rrezikshme në rrugën drejt një marrëveshjeje" - u citua të ketë thënë zëdhënësja në mediat ruse.

Ndikimi tek aleatët e Shteteve të Bashkuara

Disa orë më vonë, gazeta "Wall Street Journal", ishte e para që njoftoi se udhëheqësi amerikan po shqyrton mundësinë e një tërheqjeje të menjëhershme të rreth 2 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në Sirinë veriore, ku ata luftonin krahas kurdëve sirianë kundër grupit Shteti Islamik, si pjesë e një koalicioni botëror kundër terrorizimit, ku janë përfshirë fuqi europiane, si Britania dhe Franca.

Komandantët kurdë në Sirinë Veriore thonë se kanë ende shpresa se presidenti amerikan mund ta ndryshojë vendimin e tij. "Po na thonë se Pentagoni është kundër këtij vendimi dhe për këtë arsye po tregohen të kujdesshëm me komentet" - tha një komandant i YPG-së. "Por në se nuk ndryshon vendimi, kjo do të jetë një dritë jeshile që Turqia të sulmojë", - shtoi ai.

Zyrtarët britanikë thonë se megjithëse Uashingtoni i kishte përgatitur për mundësinë e një njoftimi lidhur me Sirinë, tweet-i i zotit Trump i kishte befasuar. Tobias Ellwood, Ministër i Mbrojtjes i Britanisë, tha se ai "është shumë kundër" vlerësimit të zotit Trump për mundjen e ISIS-it. Ai tha se grupi terrorist "ka ndryshuar, duke u shndërruar në forma të tjera ekstremizmi dhe se kërcënimi është shumë real."

Zyrtarët britanikë thonë se nuk kanë plane të menjëhershme për tërheqjen nga konflikti, një pozicion i mbështetur nga zyrtarët francezë.

Presidenti francez Emmanuel Macron pati thënë se besonte që kohët e fundit e pati bindur zotin Trump që t'i mbajë trupat amerikane në Siri, si mburojë ndaj rigjallërimit të mundshëm të ISIS-it. Ai përmendi një raport të Kombeve të Bashkuara të muajit gusht, që vlerësonte se ISIS ka ende rreth 30 mijë luftëtarë në Irak dhe në Siri.

Sigurimet garancitë e kohëve të fundit të SHBA për Sirinë

Zyrtarët europianë thonë se i kishin qetësuar komentet e disa ditëve të më parë të Brett McGurk-ut, të dërguarit special të zotit Trump për koalicionin global për mundjen e ISIS-it, i cili tha se "Askush nuk po thotë se luftëtarët e ISIS-it kanë për t'u zhdukur. Askush nuk është kaq naiv. Duam të qëndrojmë në terren dhe të sigurohemi që në ketë stabilitet në ato rajone."

Komandantët kurdë sirianë thonë se partnerët amerikanë i kishin sigurur për vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane - të paktën derisa ISIS të mos rigjallërohej dhe të kishte më tepër stabilitet në Sirinë veriore. Forcat amerikane i kanë ruajtur patrullimet përreth pikave të nxehta mes njësive turke dhe të YPG pranë qytetit Manbij dhe përgjatë kufirit turko-sirian, për të frenuar përleshjet e mundshme.

Tweet-i i zotit Trump u kritikua me forcë nga një numër analistësh amerikanë, të ciltë janë përqëndruar tek konflikti i gjatë sirian; ata thonë se tërheqja amerikane nga Siria rrezikon t'i lejojë ISIS-it mundësinë për t'u rigrupuar dhe do të fuqizojë Assadin.

“Administrata Trump ka theksuar vazhdimisht si synim kryesor në Siri mundjen e qëndrueshme të ISIS-it", - thotë Charles Lister, analist në Insitutin e Lindjes së Mesme në Uashington. "Jemi shumë vite larg arritjes së sëtij synimi. Këtë e tregon qartë edhe fakti, që vetëm 10 minuta para tweet-tit të zotit Trump, ISIS mori përgjejgjësinë për një sulm në Raqqa. Ky është qyteti i çliruar nga SHBA dhe ku vazhdojnë të jenë të dislokuara trupat amerikane dhe personeli i Departamntit të Shtetit dhe USAID-it." - tha ai.

Lister shton: “Nën këndvështrimin gjeopolitik, ky nuk është vetëm një skenar i ëndërruar prej ISIS-it, por edhe prej Rusisë, Iranit dhe regjimit të Assad-it, të cilët duan të përfitojnë nga tërheqja e trupave amerikane nga Siria."

Richard Haass, president i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë dhe ish ambasador i SHBA, shkroi një tweet si reagim ndaj tweet-it të zotit Trump: “Të shpresojmë që tërheqja ushtarake e SHBA nga Siria të mos jetë pa kushte. Do të ishte e gabuar nga ana strategjike dhe morale, që t'i linim kurdët e Sirisë në mëshirë të fatit kundrejt Turqisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ta lënë popullin sirian të përballet me qeverinë e vet, Iranin dhe Rusinë,"- tha ambasadori Haas.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA