...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lindja e Mesme më e pasigurtë pas vrasjes së kryekomandantit iranian

Departamenti i Mbrojtjes amerikane konfirmoi se nga nje sulm amerikan me raketa në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit ka mbetur i vrarë gjenerali Kasem Sulejmani, komandant i forcave elitë të Iranit

Voa

03/01/2020 - 13:23

Departamenti i Mbrojtjes [amerikane] konfirmoi se nga nje sulm amerikan me raketa në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit ka mbetur i vrarë gjenerali Kasem Sulejmani, komandant i forcave elitë të Iranit. Sulmi u njoftua fillimisht të premten në mëngjes nga ushtria e Irakut. Sulejmani ishte komandant i forcave revolucionare Quds të Iranit.

Forcat shiite të mobilizimit popullor thanë në një postim në Facebook se ky ishtë një "bombardim prej frikacakësh nga ana e SHBA.” Pentagoni tha në një deklaratë se sulmi u ndërmor për të mbrojtur personelin amerikan jashtë vendit.

Forca Quds është shpallur organizatë terroriste nga SHBA. Në deklaratë, Pentagoni tha se gjeneral Sulejmani ishte duke përpunuar aktivisht plane për të sulmuar diplomatë dhe ushtarakë amerikanë në të gjithë rajonin.

Raketat ranë pranë terminalit të ngarkesave ajrore, duke djegur dy automjete dhe plagosur disa njerëz, tha ushtria irakiane në një deklaratë. Ndërkaq, burimet mjekësore dhe policore thanë se të paktën një person u vra dhe nëntë u plagosën.

Pjestarë të grupeve paraushtarake të Irakut të mbështetura nga Irani sulmuan ambasadën e SHBA në Bagdad të martën pas goditjeve ajrore amerikane të dielën kundër bazave të milicisë Kataeb Hezbollah në shenjë hakmarrjeje për sulmet me raketa që vranë një kontraktues amerikan në Irakun e veriut javën e kaluar.

Tensioni midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është rritur në rajon dhe lidhet me sanksionet ekonomike të SHBA që dëmtojnë ekonominë iraniane.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet ndaj instalimeve të naftës, depove të armëve të milicisë dhe bazave ushtarake që strehojnë forcat amerikane.   

Pompeo: Vrasja e Soleimanit shmangu një sulm të pritshëm

Vrasja nga forcat amerikane e udhëheqësit të forcës elitë “Quds” të Iranit gjatë një sulmi ajror në Irak, ka nxitur thirrje nga për përmbatje, tek ato për hakmarrje. Ministri iranian i Punëve të Jashtme Mohammad Javad Zarif e quajti vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani "një akt terrorizmi shtetëror dhe shkelje të sovranitetit të Irakut".

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot se vrasja e tij shmangu një “sulm që pritej të ndodhte nga momenti në moment” kundër interesave amerikane. Departamenti amerikan i Mbrojtjes shtoi se Soleimani "po hartonte në mënyrë të vazhdueshme plane për të sulmuar diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak, si dhe në të gjithë rajonin". Gjenerali ishte një nga strategët kryesorë ushtarakë të Iranit.

"Martirizimi i Soleimanit do ta bëjë Iranin më të vendosur t'i rezistojë ekspansionit amerikan si dhe të mbrojë vlerat tona islamike", tha Presidenti iranian Hassan Rouhani në një deklaratë. "Pa dyshim që Irani dhe vendet e tjera që kërkojnë liri në rajon do të hakmerren", shtoi ai.

Reagime

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi tha se sulmi ishte kryer "pa u këshilluar" me Kongresin dhe se rrezikonte "të provokonte një përshkallëzim të mëtejshëm e të rrezikshëm të dhunës". Ajo shtoi se "SHBA dhe bota nuk mund ta përballojnë përshkallëzimin e tensioneve deri në pikë që të mos ketë kthim pas".

Ministri i jashtëm i Britanisë Dominic Raab u bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbatje.

Një zëdhënës i grupit palestinez Hamas tha se vdekja e gjeneralit "hap dyert e rajonit për të gjitha zhvillimet e mundshme, përveç qetësisë e stabilitetit". Bassem Naim tha se "përgjegjësia për këtë është e SHBA-së".

Një zëdhënës i qeverisë kineze tha se Kina "e kundërshton përdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare". Ai tha se Pekini "u bën thirrje të gjitha palëve përkatëse, veçanërisht SHBA-së për vetëpërmbatje si dhe për parandalim të përshkallëzimit të tensioneve".

Senatori amerikan Jim Risch, kryetari republikan i komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senat shkruante në Twitter se "sot u dha drejtësi", duke shtuar se siç kishte paralajmëruar edhe më parë qeverinë iraniane, ajo nuk duhet “ta merrte si dobësi përmbatjen e arsyeshme amerikane ndaj sulmeve të mëparshme të Teheranit".

"Ky është një akt i fortë përshkallëzues në një rajon tashmë të rrezikshëm", tha ish-nënpresidenti Joe Biden, një nga kandidatët demokratë për garën presidenciale. Presidenti amerikan Donald Trump tha se zoti Biden "duhet t’i japë popullit amerikan një shpjegim mbi strategjinë dhe planet për të garantuar sigurinë për trupat dhe personelin e ambasadës, amerikanët dhe interest amerikane si brenda dhe jashtë vendit si dhe për partnerët tanë në të gjithë rajonin e më gjerë".

Moshen Rezaei, ish-komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit tha se "Teherani do të hakmarret fuqishëm ndaj SHBA-së".

Mijëra besimtarë iranianë dolën nëpër rrugët e Teheranit pas lutjeve të së Premtes, për të dënuar vrasjen e gjeneralit Soleimani nga Shtetet e Bashkuara.

“Ata që imagjinojnë se përmes vrasjeve si ajo e gjeneralit Soleimani, pema e rezitencës do të vyshket, janë plotësisht të gabuar dhe duhet ta kenë të qartë se rezistenca do të forcohet çdo ditë. Armiqtë e islamit, myslimanëve do të shkatërrohen”, tha protestuesi Mehdi Nassiri.

Edhe në Irak u zhvilluan protesta anti- qeveritare, ku protestuesit shprehën pikëpamje të ndryshme në lidhje me tensionet SHBA-Iran të pasuar nga vrasja e gjeneralit Soleimani.

“Vrasja e Qassem Soleimanit dhe Abi Mahdi al-Muhandis-it do të eliminojë partitë e korruptuara, të cilat po e shkatërrojnë Irakun”, tha protestuesi irakian Ahmed Jabar.

“Amerika dhe Irani duhet t’i zgjidhin problemet e tyre jashtë Irakut. Ne nuk duam që ata të zgjidhin problemet e tyre brenda Irakut sepse kjo nuk do t’i shërbente interesave tona. Ne, në sheshin Tahrir, nuk festojmë vrasjen e Soleimanit ose dikujt tjetër sepse në fund të ditës kjo nuk do t’i shërbente interesave tona”, tha një protestues tjetër irakian.

Protesta të ngjashme, në të cilat u dënua vrasja e gjeneralit Soleimani, u mbajtën edhe në Pakistan, Rripin e Gazës dhe në zona të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme.

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei emëroi sot zëvendës komandantin e gardës revolucionare, Esmail Qaanin, në postin e komandantit të forcave elite Quds.

Gjermania tha se sulmi, pasoi provokimet e vazhdueshme të Iranit. Rusia paralajmëroi tensionim të situatës në rajon, ndërsa Franca kërkon veprime të matura duke shtuar se kjo vrasje e bëri botën një vend më të rrezikshëm për të jetuar.

Gjermania e cilësoi vrasjen e komandantit të forcave iraniane Quds, Kasem Sulejmani, si përgjigje ndaj provokimeve të vazhdueshme të republikës islamike.

“Veprimi amerikan ishte reagim ndaj një serie provokimesh ushtarake për të cilat Irani është përgjegjës. Të tilla ishin sulmet ndaj anijeve cisternë në ngushticën e Hormuzit dhe në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite. Kemi dënuar sulmet ndaj trupave të koalicionit në Irak sikur edhe sulmet e fundit në ambasadën amerikane”, tha Ulrike Demmer, zëdhënëse e qeverisë gjermane.

Zëdhënësja Demmer, bëri thirrje për maturi në veprimet e mëtejshme, në mënyrë që të ulen ntensionet në rajon.

“Edhe ne e shohim me shqetësim të madh aktivitetin e Iranit në rajon. Ndodhemi përballë mundësisë së një përshkallëzimi të rrezikshëm. Tani është me rëndësi që situata të trajtohet me kujdes. Konfliktet rajonale mund të zgjidhen vetëm me diplomaci, prandaj ne jemi në kontakt me aleatët tanë”, tha zëdhënësja Demmer.

Rusia e dënoi vrasjen duke e quajtur atë “një hap të papërgjegjshëm”, që rrezikon “paqen dhe stabilitetin në rajon”. Ministria e Jashtme ruse, u shpreh përmes një deklarate se kjo vrasje do të rrisë tensionet në rajon.

“Ky hap nga Uashingtoni mund të ketë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në pikëpamjen tonë, veprime si këto nuk ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje për një problem të ndërlikuar që është akumuluar në Lindje të Mesme. Përkundrazi veprime si këto çojnë në rritje të tensioneve në rajon”, është shkruar sot në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse.

Franca kërkoi vetëpërmbajtje.

“Po, zgjohemi në një botë më të rrezikshme. Përshkallëzimi ushtarak gjithmonë është i rrezikshëm. Është i rrezikshëm në çdo vend, në çdo territor, prandaj Franca angazhohet vazhdimisht për kushte stabiliteti dhe kështu do të vazhdojmë”, tha Amelie de Montchalin nga Ministria e Jashtme franceze.

Duke reaguar për komentet e qeverisë francize, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, tha se “Franca e ka gabim”, vrasja e tij e “bën botën më të sigurtë”.

Sekretarja në Ministrinë e Jashtme franceze, tensionet i quajti si luftë për pushtet midis ShBA-së dhe Iranit.

Një analist nga Izraeli e përshkruan komandantin e forcave iraniane Quds, si figurën e dytë më të rëndësishme në Iran i cili sipas tij ishte arkitekti i aktivitetit iranian në botën arabe dhe Lindje të Mesme.

“Vrasje e tij do të rrisë tensionet në rajon, sepse ky nuk është një komandant i thjeshtë ushtrie. Ky është njeriu që mund të llogaritet si numri dy në Iran pas udhëheqësit suprem, Ayatollahut Ali Khamenei. Tensionet egzistojnë dhe kjo përfqësopn kulmin e tensioneve amerikjano-iraniane”, tha Uzi Rabi, profesor në Universitetin e Tel Avivit.

Në Iran, profesori i Universitetit të Teheranit, Mohammad Marandi, i quajti Shtetet e Bashkuara një regjim mashtrues dhe kritikoi vendet dhe shtypin perëndimor që arsyeton operacione të tilla ushtarake, ndërsa shtoi se është kërkesë e popullit iranian që Amerika të ndëshkohet për sulmin.

“Është e qartë se çdo gjeneral mund të vritet kur një regjim mashtrues organizon një sulm të tillë. Ai ishte në aeroportin ndërkombëtar të Irakut. Sapo ishte pritur nga zyrtarët irakianë, por regjimi amerikan, i cili nuk njeh ligj, nuk njeh sovranitet, vendosi të vrasë atë. Prandaj veprimet e Iranit nuk janë befasuese. E habitshme është se si qeveritë dhe shtypi në perëndim arsyetojnë mizoritë që shkaktohen nga regjimi në Uashington. Është e qartë se do të ketë shumë pasoja. Ajo që mund të them është se kjo ka bashkuar popullin iranian, të cilët kërkojnë ndëshkimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”, tha ai.

Reagime erdhën nga pothuajse të gjitha fuqitë botërore.

Në mesin e tyre edhe Kina u shpreh shumë e shqetësuar pas vrasjes.

“Paqja në Lindje të Mesme dhe rajonin e gjirit persik duhet të ruhet” tha zëdhënësi i ministries së jashtme kineze Geng Shuang, duke shtuar se Kina kërkon nga të dyja palët, në veçanti Shtetet e Bashkuara, të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtura në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve.

Kush ishte komandanti i Forcave Quds?

Gjeneral Majori iranian Qassem Soleimani, komandanti i Forcave elitë Quds të Gardës Revolucionare, ka ndihmuar Iranin të luftojë përmes palëve të treta në mbarë Lindjen e Mesme. Ai nxiste forcat paraushtarake në terren dhe negocionte me udhëheqësit politikë. Vdekja e tij të premten nga një sulm ajror ndaj autokolonës së tij në aeroportin e Bagdatit shënoi fundin e drejtuesit të operacioneve të zbulimit dhe operacioneve të fshehta ushtarake të Iranit jashtë vendit. Pentagoni tha se sulmi ajror synoi të dekurajonte sulme të ardhshme të Iranit.

Qassem Soleimani ishte drejtues i operacioneve klandestine të Iranit jashtë vendit. Ai shihej shpesh në fushëbetejë duke udhëhequr grupe shiite në luftën kundër Shtetit Islamik. Vdekja e tij të premten nga një sulm ajror ndaj autokolonës së tij në aeroportin e Bagdatit shënoi fundin e një njeriu të mirënjohur në vendin e tij dhe të mbajtur nën vëmendje nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe rivali kryesor i Teheranit, Arabia Saudite.

Bashkë me të u vra një nga komandatët e milicive irakiane, Abu Mahdi al-Muhandis. Të dy shihen si heronj të luftës së Iranit dhe televizioni shtetëror i mbuloi me lëvdata menjëherë pasi u njoftua vdekja e tyre.

Televizioni tregoi pamje të tij me Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, si dhe në zona lufte me uniformë ushtarake, madje edhe kur sapo ishte diplomuar dhe drejtonte një njësi gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980-të.

Soleimani ngjiti me shpejtësi rangjet e Gardës Revolucionare të Iranit dhe u bë komandant i Forcave Quds, ku ndihmoi Iranin të krijonte aleanca në Lindjen e Mesme, ndërkohë që vendi u gjend nën presionin e sanksioneve amerikane që kanë dëmtuar ekonominë e Republikës Islamike.

Shtetet e Bashkuara e shpallën Gardën Revolucionare organizatë të huaj terroriste në 2019-tën, si pjesë e një fushate presioni maksimal për të detyruar Iranin të negocionte programin e tij të raketave dhe politikën bërthamore.

Soleimani u përgjigj në atë kohë duke thënë se: çdo negociatë me Shtetet e Bashkuara do të ishte “një dorëzim i plotë”.

Forcat e tij Quds rritën mbështetjen për Presidentin sirian Bashir al-Assad kur ai ishte pranë humbjes në luftën civile që shpërtheu në 2011-tën, si dhe ndihmuan milicitë që luftonin Shtetin Islamik në Irak.

Sukseset e këtyre forcave e zhvendosën Soleimanin në epiqendër të përpjekjes për shtrirjen e vazhdueshme të ndikimit të Iranit në Lindjen e Mesme, shtrirje të cilën janë munduar ta kufizojnë Shtetet e Bashkuara dhe kundërshtarët rajonalë të Teheranit, Arabia Saudite dhe Izraeli.

Ajatollahu Khamenei e bëri Soleimanin kreun e Forcave Quds në vitin 1998, një post ku ai ruajti një profil të ulët për shumë vite, ndërsa forconte lidhjet e Iranit me Hezbollahun në Liban, me qeverinë e Assadit në Siri, si dhe me milicitë shiite në Irak. Gjatë viteve të fundit, ai mori një staturë më publike. Luftëtarët dhe komandatët në Irak dhe Siri postonin në mediat sociale imazhe të tij në fushëbetejë. Autoriteti i tij në rritje brenda hierarkisë ushtarake në Iran u shpalos në 2019-tën, kur Khamenei i dha atij Urdhërin e Zolfiqar-it, medalja më e lartë ushtarake e Iranit. Kjo ishte hera e parë që medalja i jepej një komandanti ushtarak, që nga krijimi i Republikës Islamike në vitin 1979.

Në një deklaratë pas vdekjes së Soleimanit, Ajatollahu Khamenei tha se “kriminelët” që e vranë i pret një hakmarrje e ashpër. Udhëheqësi iranian shtoi se vdekja e tij, megjithëse e hidhur, do të dyfishojë rezistencën ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Soleimani ishte gjithashtu drejtues i operacioneve të zbulimit dhe të operacioneve të fshehta ushtarake të kryera nga Forcat Quds. Në vitin 2018-të, ai sfidoi publikisht Presidentin amerikan Donald Trump.

Soleimani, i njohur për tonin e tij të butë, lindi në një familje bujqërish në Rabor, në juglindje të Iranit, më 11 mars 1957.

Në kulmin e luftës civile mes militantëve sunitë dhe shiitë në Irak në vitin 2007, ushtria amerikane akuzoi Forcat Quds se furnizonin me paisje shpërthyese të improvizuara militantët shiitë, të cilat morën jetët e shumë ushtarakëve amerikanë.

Soleimani pati një rol edhe më të madh në Siri. Vizita e tij në Moskë në verën e vitit 2015, ishte hapi i parë drejt planifikimit të ndërhyrjes ushtarake ruse që ndryshoi drejtimin e luftës siriane dhe krijoi një aleancë të re Iran – Rusi në mbështetje të Assadit.

Aktivitetet e tij e vendosën atë në epiqendër të sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit, së bashku me Forcat Quds, për mbështetjen ndaj organizatës Hezbollah në Liban dhe ndaj grupeve të tjera të armatosura, për rolin e tij në Siri në shtypjen e lëvizjes popullore, si dhe për përfshirjen e tij në një tentativë për të vrarë ambasadorin saudit në Shtetet e Bashkuara.

Efekti negativ në çmimin e naftës dhe aksioneve

Të premten çmimi i naftës u rrit dhe aksionet u ulën në tregjet më të mëdha botërore pas lajmit të vrasjes nga forcat amerikane të gjeneralit iranian Qassem Soleimani. Treguesit në tregun e aksioneve në Londër, Frankfurt dhe Paris ranë ashtu sikurse edhe më herët në Hong Kong. Në Shanghai pati pak ndryshime ndërsa tregjet japoneze u mbyllën.

Jeffrey Halley përfaqësues i kompanisë së shkëmbit të valutës Oanda me qendër në Nju Jork foli për “pasiguri gjeopolitike që ka zbritur në tavolinat e investitorëve”, siç shprehej ai. Deri tani nuk ka asnjë të dhënë se si do të reagojë Irani, por në të shkuarën Teherani ka konfiskuar anije çisternë e ka rrëzuar një dron ushtarak amerikan.

Qeveria amerikane ka fajësuar Iranin për sulmin ndaj depozitave të naftës së Arabisë Saudite në muajin shtator sulm që përgjysmoi përkohësisht prodhimin e naftës. Para përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, investitorët kishin pritshmëri të larta për një rritje më të fortë ekonomike botërore në vitin 2020 dhe nënshkrimin e një marrëveshje të përkohshme tregtare SHBA-Kinë.

Ata presin që Uashingtoni dhe Pekini të zyrtarizojnë marrëveshjen që ka ndihmuar në lehtësimin e tregut pas një lufte tregtare 18-mujore mes tyre. Këtë javë Presidenti Donald Trump shkruante në twitter se do ta nënshkruajë marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, këtë muaj.

*Përpunuar dhe përditësuar nga SHJ

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA