Lufta e re hapësinore mes Amerikës dhe Rusisë
SHJ
03/07/2017 - 15:10
Pas luftrave amerikane qendron një kompleks industrial ushtarak për të cilin paralajmëroi Presidenti Eisenhower që në vitin 1961. Sipas tij, kompleksi kishte dalë jashtë kontrollit të qeverisë Amerikane, dhe sot Eisenhower, siç citon një profesor Amerikan,[1] tingëllon më i vërtetë se kurrë: sepse ai punëson më shumë se 24,500 punëtorë, me vlerë aksionesh prej $2.5 miliard dhe siguron të ardhura vjetore rreth $5.8 miliard. Me ngritjen e RRB të G/N kjo industri lëvizi nga infrastruktura për mbrojtjen e vendit në survejim botëror dhe rritjen e aftësisë ofensive.[2]
Dy janë problemet kryesore që shkakton ky kompleks: se armët që zhvillohen aty janë sekrete dhe se qeveria amerikane duhet të shkaktojë luftra që të mbajë gjallë kompleksin. Problemi i parë ka gjeneruar një sërë hipotezash. Për shembull, shumë studiues argumentojnë se nga ky kompleks do të dalin këtë shekull armë të tipit jashtëtokësor dhe se luftrat ndërshtetërore do të zhvillohen në hapësirë, jo në tokë. Studiues të tjerë argumentojnë se kërcënuesit e mundshëm të Amerikës do të goditen nga hapësira jo nga Amerika, me qëllim që Amerikanët të akuzojnë jashtëtokësorët për sulme armiqësore dhe të përdorin “pushtetin e frikës” për sundimin e popujve. Përdorimi i këtij skenari tashmë diskutohet seriozisht nga autoritetet amerikane.[3]
Problemi i dytë është në proces dhe bota nuk i shmanget dot përsa kohë që Amerika kërkon të ruajë hegjemoninë e saj rreth botës. Lufta në hapësirë është lançuar nga Regani në vitin 1983, me nismën strategjike të mbrojtjes, e njohur ndryshe si “Lufta e Yjeve”...për t’u mbrojtur nga raketat ruse. Sepse rusët, filluan të hartonin që në vitin 1965 stacione hapësinore të armatosur me raketa. SHBA-ja kishte plane për shpërthime bërthamore në hënë: qëllimi i këtij plani ishte t’i tregonin Bashkimit Sovjetik forcën e raketave amerikane përmes kraterit që do të shkaktonte në sipërfaqe të saj. Ideja u braktis sepse pushtetarët amerikanë kishin frikë nga reagimi i publikut amerikan. Në vend të kësaj ideje, amerikanët zbarkuan në Hënë. Si rezultat, në vitin 1967-të u nënshkrua traktati i jashtëm hapësinor (“Outer Space Treaty”) nga Amerikanët, Rusët dhe Britanikët, i cili ndalonte midis të tjerash, instalimin në hapësirë të armëve të shkatërrimit në masë. Por ngaqë satelitët u bënë përherë dhe më të rëndësishëm – si fillim për përgjime, më vonë për armë dhe navigim – hapësira është hartuar për herë dhe më shumë si hapësirë ushtarake dhe rivalitet botëror. Tashmë janë më shumë se 60 vende aktive në hapësirë me interesa të mëdha tregëtare.
Në këtë “skenar” nuk mungon përfshirja e kinematografisë amerikane: ajo ka lançuar serialet e “luftës së yjeve” të Reganit, duke synuar, hamendësisht, parapërgatitjen e “konsesusit social” për luftë të vërtetë...hapësinore! Si pasojë, Rusia po përgatit armët e saj hapësinore të cilat janë të karakterit hipersonik dhe bërthamor.[4] Ndërsa Amerika e Trampit shkoi një hap më tej: ajo është duke krijuar ushtrinë hapësinore (“space corps”) e cila do të jetë një degë e gjashtë e ushtrisë së armatosur amerikane.[5] Domethënë, për të zgjidhur problemet operacionale të forcave ajrore amerikane ajo do të krijojë një forcë tjetër, ushtarake, e cila do të qendrojë në hapësirë dhe ndërsa do të koordinojë forcat ajrore, tokësore dhe detare, do të jetë e gatshme (teorikisht) të luftojë në hapësirë me çdo forcë tjetër ushtarake!
[1]Eisenhower’s military-industrial warning rings truer than ever, The Guardian, John Naughton, 23 March 2014.
[2]A virtual secret state: the military-industrial complex 2.0, The Guardian, 9 October 2011.
[3]Could a war i space really happen? BBC, 19 December 2015.
[4]NATO missile systems in Poland & Romania will be no match for Russia’s hypersonic strategic bomber, The Duran, 14 July 2016.
[5]US planning to create ‘Space Corps’ as sixth branch of armed forces, The Independent, 2 July 2017.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 149 reads



