...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Luftime të ashpra mes forcave kurde dhe turke në Siri

Megjithëse marrëveshja e armëpushimit është nënshkruar midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, si dhe Rusisë dhe Turqisë, luftimet nuk kanë të ndalur për një sekondë...sulmet janë bërë më të egra dhe më të dhunshme

Voa

03/11/2019 - 07:48

Përleshje intensive mes FDS dhe militantëve të mbështetur nga Turqia

Përleshje intensive po ndodhin mes Forcave Demokratike Siriane (FDS) dhe militantëve të mbështetur nga Turqia në qytetin verilindor të Tal Tamrit, megjithë një përpjekje amerikane për armëpushim, sipas zyrtarëve lokalë.

Njoftimet për luftime vijnë ndërsa zyrtarët amerikanë thanë se po vazhdojnë t’u bëjnë thirrje Forcat Demokratike Siriane dhe Turqisë të ndalojnë përleshjet dhe të vazhdojnë armëpushimin për të cilin u ra dakord muajin e kaluar. Zyrtarët amerikanë pretendojnë se marrëveshja e armëpushimit po mbahet megjithë shkeljet e përsëritura.

Të premten, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se në një bisedë telefonike të enjten me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu, riafirmoi qëndrimin amerikan, duke theksuar nevojën që të dy palët t'i përmbahen marrëveshjes mes Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe nënpresidentit amerikan Mike Pence më 17 tetor.

 

YPG është elementi kurd i Forcave Demokratike Siriane dhe konsiderohet një organizatë terroriste nga Turqia. Shtetet e Bashkuara nuk pajtohet me këtë etiketim dhe e konsideron YPG një aleat kryesor në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ankaraja, thirrje vendeve evropiane të marrin luftëtarët e kapur të ISIS-it

Ministri i Brendshëm turk tha të shtunën se Ankaraja do të kthejë mbrapsht në vendet e tyre anëtarët e ndaluar të Shtetit Islamik, duke deklaruar se, "nuk do t'i mbajmë ata pafundësisht".

Ministri Suleyman Soylu tha se refuzimi i vendeve evropiane për të riatdhesuar qytetarët e tyre që luftuan për ISIS-in në Siri "nuk është i pranueshëm" dhe "është gjithashtu i papërgjegjshëm".

Duke folur para gazetarëve në Stamboll, Soylu përmendi Britaninë dhe Holandën, por vuri në dukje se ato nuk ishin të vetmet vende evropiane që iu kanë mohuar shtetësinë luftëtarëve të ISIS-it që për të parandaluar që Turqia t'i kthejë ata në vendet e tyre.

Turqia kapi anëtarët e ISIS-it, të cilët më parë ishin nën kujdestarinë e forcave kurde gjatë një sulmi muajin e kaluar në Sirinë verilindore kundër një milicie kurde, Turqia i konsideron ata terroristë.

Komentet e ministrit Soylu ishin të fundit në një seri thirrjesh të Turqisë drejt vendeve evropiane për të riatdhesuar qytetarët e tyre që i përkisnin ISIS-t.

Megjithatë, shumë vende evropiane kanë zvarritur procesin nga shqetësimi për rezistencën e publikut dhe problemet e sigurisë.

13 të vrarë nga një makinë bombë në kufi të Turqisë

Ministria turke e Mbrojtjes thotë se të paktën 13 njerëz u vranë nga një makinë bombë pranë një tregu të shtunën në qytetin kufitar verior të Tal Abyadit.

Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë, por ministria fajësoi Njësitë për Mbrojtjen e Popullit Kurdë të Sirisë (YPG), pjesë përbërëse e Forcave Demokratike Siriane (FDS).

Ministria gjithashtu u bëri thirrje liderëve botërorë të mbajnë qëndrim kundër grupit YPG, duke e cilësuar atë si një "organizatë të ashpër terroriste".

Turqia e ka përkufizuar YPG-në si një grup terrorist, por Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë atë një aleat kryesor në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ankaraja mori kontrollin e qytetit Tal Abyad muajin e kaluar pasi ushtria turke dhe milicia e saj aleate siriane nisi një inkursion ushtarak në Sirinë verilindore kundër FDS, pas vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni.

Një zonë e sigurt prej 120 kilometrash u krijua në Siri mes qyteteve Tal Abyad dhe Ras al-Ain, si pjesë e një marrëveshje armëpushimi të 17 tetorit mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara që gjithashtu kërkon tërheqjen e grupit YPG nga zona.

Këshilli Ushtarak Sirian, i cili është pjesë e FDS-së, tha të shtunën se, "FDS vazhdon operacionet e saj të ligjshme mbrojtëse kundër sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë turke dhe fraksioneve të saj xhihadiste në zonat lindore dhe jugore të Ras al-Ain , veçanërisht në zonën Khabour dhe fshatrat rreth Tal Tamrit ".

Të premten, trupat turke dhe ruse filluan patrullimin e përbashkët në veri të Sirisë për të siguruar tërheqjen e forcave kurde.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se operacioni, përpara se të arrihej marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë për të ndalur zjarrin, vrau qindra njerëz dhe zhvendosi gati 180,000 të tjerë.

Mjekët lokalë në veri-lindje të Sirisë i thanë Zërit të Amerikës se civilët kanë vazhduar të vriten dhe plagosen që kur armëpushimi hyri në fuqi.

"Megjithëse marrëveshja e armëpushimit është nënshkruar midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, si dhe Rusisë dhe Turqisë, luftimet nuk kanë të ndalur për një sekondë," tha Hassan MI Memmed, drejtuesi i Spitalit Tal Tamr. "Përkundrazi, sulmet janë bërë më të egra dhe më të dhunshme", shtoi zyrtari.

Ai shprehu shqetësimin e tij se spitalet në rajon po mbaronin furnizimet mjekësore pasi numri i viktimave vazhdonte të rritet.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA