...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Makroni realizoi qëllimin e tij në Moskë dhe Kiev: palët i kthehen marrëveshjes së Minskut

Do ta lejojë Uashingtoni realizimin e marrëveshjes së Minskut kur dihet se ai e ka penguar atë pikërisht për të realizuar qëllimet e tij në rajon?

Ylli Përmeti

08/02/2022 - 20:02

Si bujtar, Putini foli i pari në konferencën e përbashkët për shtypin me Makronin. Mes një klime miqësore, ai filloi duke përmendur edhe një herë tre propozimet e Rusisë ndaj perëndimit: jozgjerimin e Nato-s; jozbarkimin e sistemeve ushtarake të Nato-s gjatë kufirit me Rusinë; dhe përmbysjen e infrastrukturës së sigurisë së vitit 1997 kur akti themeltar u nënshkrua mes Rusisë dhe Nato-s. Ai më tej sqaroi edhe një herë doktrinën e sigurisë së BE-së dhe shtoi natyrën e Nato-s, se nëse është vërtet një organizatë mbrojtëse siç pretendon me doktrinën e saj ushtarake, duke e ilustruar me ndërhyrjet e saj në Irak, Siri, Afganistan, dhe Beograd, për të cilat, sipas tij, nuk kishte sanksione nga Këshilli i Sigurisë. Putini kësaj natyre i shtoi dhe strategjinë ushtarake të Nato-s pas vitit 2019, e cila e quan drejtpërdrejt Rusinë si kërcënimin kryesor të sigurisë perëndimore dhe kundërshtare të aleancës. Për të njëjtën arsye ai ironizoi edhe një herë perëndimorët duke thënë se:

“Duke afruar infrastrukturën e tyre ushtarake pranë kufijve tanë, Nato dhe shtetet e saj anëtare e konsiderojnë të nevojshme të na mësojnë pak se ku dhe si duhet të vendosim forcat e armatosura, dhe mendojnë se kanë të drejtë të na kërkojnë të mos kryejmë manovra dhe stërvitje të planifikuara, ndërsa levizjet e trupave tona brenda, dua të theksoj, territorit të brendshëm të shtetit paraqitet si kërcënim i pushtimit rus – në këtë rast, të Ukrainës. Pretendohet se si vendet baltike, ashtu edhe shtetet e tjera - fqinjët tanë - gjoja ndihen në rrezik. Mbi çfarë baze nuk është shumë e qartë. Kjo përdoret si tezë për të ndërtuar një politikë jomiqësore ndaj Rusisë. Vetë vendet anëtare të Nato-s, në këtë sfond, vazhdojnë të mbushin Ukrainën me lloje moderne të armatimeve”.

Makroni shkoi në Moskë me qëllim që të parandalonte një konflikt ushtarak ndërsa u përball me akuza në vendin e tij se “po përpiqet të shfrytëzojë politikën e jashtme për të rritur shpresat e tij për t`u rizgjedhur”. Sidoqoftë, qendrimi i Makronit ndryshon nga qendrimi Bajdenit: qendrimin e tij për marrëdhënie të qendrueshme me Moskën e ka shkruajtur në librin e tij, “Revolucioni”: “se do të ishte gabim të shkëputeshin lidhjet” me të “(për shkak të Krimesë) në vend që të krijonim një marrëdhënie të qëndrueshme”. Ai ka ftuar Putinin ne Versajë për uljen e tensioneve ku kritikoi Rusinë për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet perëndimore. Dy vjet më vonë e priti sërish Putinin në rezidencën verore të presidentin francez në Riviera. Ai paralajmëroi se Evropa është gjetur në mes të një Lufte të re të Ftohtë dhe tha se “nuk është në interesin tonë të ndjehemi të dobët dhe fajtorë, të harrojmë të gjitha mosmarrëveshjet tona dhe të përqafojmë përsëri njëri-tjetrin, (por) kontinenti evropian, nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm, nuk do të jetë kurrë i sigurt, nëse nuk i qetësojmë dhe nuk i sqarojmë marrëdhëniet tona me Rusinë”.

Ai ka patur qendrime të mëdyshta lidhur me sanksionet ndaj Rusisë dhe njësoj si udhëheqësi ikonë i Francës, gjenerali Charles de Gaulle, e sheh Francën si një “fuqi balancuese” mes Rusisë dhe SHBA-së. Por veprimet e tij kanë alarmuar fqinjët e Rusisë. Sidoqoftë, ai synon realizimin e një marrëveshje të re për sigurinë duke mos pranuar asnjë kompromis për sigurinë dhe sovranitetin e Ukrainës apo ndonjë shteti tjetër evropian ndërsa kërkesat e Rusisë i sheh të ligjshme. Ai i tha Putinit se Evropës dhe Azisë i duhet një përgjigje “e dobishme” për t`i dhënë fund ngërçit në Ukrainë. Makroni sqaroi se çfarë kuptonte me përgjigje të dobishme: “ajo do të thotë një përgjigje që na mundëson të shmangim luftën dhe të ngremë struktura besimi dhe stabiliteti”. Kjo përpjekje e Makronit u quajt nga një pjesë e shtypit si dështim.

Por ndryshe e paraqiti FT: se “Franca tha se Putini po lëviz drejt shpërshkallëzimit të krizës në Ukrainë”. Më konkretisht, zyrtarët francezë thanë se Putini premtoi se nuk do të ndërmerrte nisma të reja ushtarake dhe se do të tërhiqte mijëra ushtarë nga Bjellorusia pas mbarimit të stërvitjeve të planifikuara. Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putini dhe Makroni ishin gati për të vazhduar dialogun mbi propozimet franceze por bisedimet nuk kishin qetësuar shqetësimet e Moskës. As Putini as Makroni nuk përmendën ndonjë marrëveshje në konferencën e tyre pas më shumë se pesë orësh bisedimesh.

Në fakt, “The Times” tregoi pas raportit të “FT” se Kremlini nuk kishte realizuar ndonjë marrëveshje me Makronin për shpërshkallëzimin e tensionit. Vetë zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse, Dmitry Peskov, vërtetoi se Moska kishte planifikuar të tërhiqte trupat nga Bjellorusia dhe se ajo nuk ishte pasojë e bisedimeve me Makronin duke shtuar se “vendi i vetëm me të cilin Moska do të realizonte një marrëveshje ishte SHBA-ja. 

Putini ishte kritik ndaj Nato-s dhe fajësoi edhe një herë perëndimin dhe Ukrainën për tensionin por tha paralelisht se Rusia do të bënte gjithçka të mundur për të arritur një marrëveshje të pranueshme për çdonjërin mbi sigurinë evropiane. Gjatë pyetjeve me gazetarët Putini pyeti Makronin se “nëse dëshironte Franca të luftonte me Rusinë, sepse pikërisht kjo do të ndodhte nëse Ukraina i bashkohësh Nato-s dhe përpiqet të zbatojë politikën e saj shtetërore për të ‘ri-integruar’ Krimenë me forcë”, duke përmendur forcën që ka përdorur Kievi në Donbas si rast ilustrimi. Në këtë mënyrë kujtoi edhe një herë efektin e integrimit të Ukrainës në Nato. Në të njëjtën konferencë Putini përmendi edhe një herë faktin se “Rusia është një nga fuqitë kryesore atomike. [Në rast lufte] s`do të ketë fitimtarë. Makroni nuk do ta dëshironte këtë rezultat. As unë”, tha ai.

Makroni në të vërtetë tregoi rezultatin e bisedimeve kur shkoi në Ukrainë: ai tha atje se Moska dhe Kievi janë të përkushtuara për zbatimin e marrëveshjes së Minskut dhe se kjo ishte mënyra e vetme për të arritur përparim drejt zgjidhjes së krizës. Por lind pyetja: do ta lejojë Uashingtoni realizimin e marrëveshjes së Minskut kur dihet se ai e ka penguar atë pikërisht për të realizuar qëllimet e tij në rajon? Kjo varet kryesisht nga Moska: se sa e aftë do të jetë ajo të tregojë obstruksionistët e marrëveshjes.

...  

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA