...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Male me mbeturina plastike nga bota e “zhvilluar” në vendet e varfëra të Azisë

Ndërsa vendet më të pasura mburren me sistemet e tyre të avancuara të riciklimit, plastika shpesh ekportohet dhe digjet, ose groposet dhe ndot tokën dhe ujin

Voa

30/07/2019 - 09:40

Vendet e pasura eksportojnë miliona tonë mbetjesh plastike drejt Azisë juglindore, ku sistemet e riciklimit po mbingarkohen. Sipas një investigimi të organizatës “Greenpeace”, kjo po sjell probleme të mëdha me ndotjen. Organizata mjedisore thotë se ndërsa vendet më të pasura mburren me sistemet e tyre të avancuara të riciklimit, plastika shpesh ekportohet dhe digjet, ose groposet dhe ndot tokën dhe ujin.

Pesëdhjetë kilometra pranë Kuala Lumpurit, në mesin e një plantacioni të vajit të palmës, gjenden male të tëra mbetjesh plastike. Një pjesë e madhe ka ardhur nga vende me ekonomi të pasur mijëra kilometra larg, në Evropë dhe Amerikën Veriore. Banorët vendas po vuajnë pasojat.

“Thjesht e hedhin këtu plastikën e pariciklueshme dhe në vazhdim e djegin. Tymi toksik ka shkaktuar shumë probleme shëndetësore tek banorët”, thotë Pua Lay Peng, banore vendase dhe aktiviste e mjedisit.

Vitin e kaluar, Kina ndaloi importimin e mbetjeve plastike, duke trazuar kështu industrinë globale. Organizata “Greenpeace” thotë se vendet e pasura po eksportojnë drejt vendeve të tjera problemet e tyre me mbetjet plastike.

“Kanë sistem të mirë mbledhjeje, por realisht po i dërgojnë të gjitha mbetjet e mbledhura në vende të tjera. Përpara se Kina të ndalonte plastikën, thjesht e dërgonin në Kinë për ricklim, por nuk ndërmarrin hapa të mëtejshëm që të sigurohen se riciklohen siç duhet. Pas ndalimit nga Kina, tani thjesht gjejnë vende të tjera ku t’i dërgojnë”, thotë Kate Lin, e organizatës “Greenpeace”.

“Greenpeace” thotë se mbi gjysma e këtyre mbetjeve, rreth 3 milionë tonë në vit, po devijohen drejt Azisë Juglindore, në vende si Malajzia, Vietnami dhe Tailanda.

“Nuk kanë kapacitete për të menaxhuar kaq shumë mbetje që vijnë. Pra, krijohet ndotje për mjedisin vendas”, thotë zonja Lin.

Ndërkohë, vende të tjera të Azisë Juglindore po ndalojnë importin e mbetjeve plastike dhe mbetjet përfundojnë në vende me rregulla më të dobëta, si Indonezia dhe India.

Në një konferencë të OKB-së në Gjenevë, 180 vende diskutuan rreth propozimeve për të detyruar eksportuesit e mbetjeve plastike që të marrin paraprakisht leje nga vendet destinacion.

Por, për vendet e ndikuara, masat po vijnë me vonesë.

“Po vrasim veten duke marrë gjithë plastikë. Jemi shumë të ndërvarur prej saj. Lutemi të menaxhoni dhe trajtoni vetë mbeturinat tuaja. Mos i flakni në vendin tonë”, thotë Pua Lay Peng.

“Greenpeace” thotë se zgjidhja përfundimtare nuk është tek përmirësimi i ricklimit, por tek ulja drastike e prodhimit të plastikës dhe konsumit në mbarë botën.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA