...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndotja ka vrarë 8.3 milionë njerëz në vitin 2017

Ajri dhe uji i ndotur, helmimi nga plumbi, dhe vendet e ndotura të punës, llogaritet se kanë shkaktuar vdekjen e 8.3 milion njerëzve në vitin 2017.

Voa

20/01/2020 - 19:17

Ndotja vret tre herë më shumë njerëz sesa SIDA, tuberkulozi dhe malarja së bashku, sipas vlerësimeve më të fundit. Ajo është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve. Por çështja e ndotjes është lënë pas dore në pjesën më të madhe të botës, megjithë numrin e madh të viktimave që shkakton. 

Ajri dhe uji i ndotur, helmimi nga plumbi, dhe vendet e ndotura të punës, llogaritet se kanë shkaktuar vdekjen e 8.3 milion njerëzve në vitin 2017. Ky është një numër shumë më i madh se sa ai i vdekjeve të shkaktuara nga duhani, alkooli, dhe droga. Numri i vdekjeve nga ndotja është më i lartë madje edhe se ato të shkaktuara nga dieta, sëmundjet infektive dhe luftërat.

Por kjo çështje merr më pak vëmendje se të gjithë shkaktarët e tjerë të vdekjeve në pjesën më të madhe të botës. Këto të dhëna janë pjesë e një raporti të ri të Aleancës Globale për Shëndetin dhe Ndotjen, në publikimin e të cilit janë përfshirë studiues, ministri të shëndetësisë, OJQ, dhe Kombet e Bashkuara. Rachael Kupka është drejtore ekzekutive e kësaj organizate.

"Raporti thekson se kriza globale e shëndetit, në të vërtetë, është ende e nënvlerësuar, nuk trajtohet mirë, dhe nuk merr fonde të mjaftueshme."

Raporti thotë se ndotja nga burimet tradicionale si sobat dhe sistemet e dobëta të ujrave të zeza po bie, ndërsa ndotja moderne nga fabrikat, automjetet dhe kimikatet toksike është në rritje.

Zonja Kupka thotë se investimet ndërkombëtare janë përqendruar në trajtimin e ndotjes tradicionale.

"Ka patur shumë investime në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimet. Kështu që numri i vdekjeve nga këto burime po bie, ndërsa ndotja nga elementët modernë nuk ka marrë të njëjtën sasi fondesh dhe vëmendje."

India dhe Kina kishin numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me ndotjen, të pasuara nga Nigeria, Indonezia dhe Pakistani. Shtetet e Bashkuara radhiten në vendin e shtatë.

"Ka vende nga pothuajse çdo rajon i botës që janë në listën e vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve nga ndotja. Të gjitha rajonet janë të ndikuara nga kjo. Nuk ka rëndësi se ku je".

Ndotja e ajrit ishte vrasësi kryesor, duke përbërë 40 për qind të numrit global të vdekjeve.

Zonja Kupka thotë se lajmi i mirë është se tashmë ekzistojnë masa që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e ndikimit të ndotjes.

"Ne shohim një grup problemesh që nuk janë vetëm për një vend. Ka gjëra me kosto efektive që vendet, komunitetet, qytetet mund të bëjnë për të pakësuar sëmundjet e shkaktuara nga ndotja."

Autoritetet mund të miratojnë dhe të zbatojnë rregulla për kontrollin e çlirimit të gazeve të dëmshme nga automjetet dhe oxhaqet, përdorimin e pajisjeve personale mbrojtëse për punëtorët dhe masa të tjera që tashmë janë në fuqi në shumë vende.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA