...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nënpresidenti turk ngre edhe më shumë tensionet me Amerikën

Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin. A dëshirojnë të mbeten aleate të Turqisë apo do të rrezikojnë miqësinë tonë duke bashkuar forcat me terroristët për të minuar mbrojtjen e aleates së NATO-s kundër armiqve të saj

Voa

05/04/2019 - 16:54

Nënpresidenti turk Fuat Oktay paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për rrezikun e prishjes së marrëdhënieve, për shkak të mosmarrëveshjeve midis dy aleatëve të NATO-s që po shtojnë tensionet.

"Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin. A dëshirojnë të mbeten aleate të Turqisë apo do të rrezikojnë miqësinë tonë duke bashkuar forcat me terroristët për të minuar mbrojtjen e aleates së NATO-s kundër armiqve të saj?" shkruante Oktay në një Twitter të enjten.

Komenti pason një paralajmërim drejtuar Ankarasë nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo që Turqia të mos ndërhyjë ushtarakisht kundër YPG-së, një milici kurde në Sirinë veriore. Ky grup është një aleat me rëndësi kritike e SHBA-së në luftën kundër grupit terrorist Shteti Islamik, por Ankaraja e ka cilësuar YPG-në organizatë terroriste të lidhur me një kryengritje brenda Turqisë.

"Sekretari Pompeo shprehu mbështetje për negociatat e tanishme në lidhje me Sirinë verilindore, duke paralajmëruar për pasoja potencialisht shkatërruese të veprimeve ushtarake të njëanshme turke në rajon", tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë, pas takimit të zotit Pompeo të mërkurën me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.

Zoti Cavusoglu theksoi atë që ai e quajti mungesë e "një strategjie të qartë" në Uashington për Sirinë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili humbi disa qytete kyçe në zgjedhjet lokale të dielën e kaluar, e ka shpallur sigurinë një përparësi, gjë që është interpretuar nga disa si një sinjal për një inkursion të mundshëm ushtarak në Siri kundër YPG-së. Forcat turke janë grumbulluar në masë në kufirin sirian.

Kërcënimi i një përplasjeje për Sirinë vjen në klimën e një mosmarrëveshjeje në rritje midis Uashingtonit dhe Ankarasë lidhur me planet turke për blerjen e sistemit rus të raketave S-400. Zyrtarët e SHBA thonë se raketat do të komprometonin sistemet e armëve të NATO-s.

"Turqia duhet të zgjedhë. A dëshiron ajo të mbetet një partnere kritik në aleancën ushtarake më të suksesshme në histori apo a do të rrezikonte sigurinë e këtij partneriteti duke marrë vendime të tilla të pamatura që minojnë aleancën tonë?" tha zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence në komentet e bëra këto ditë në Uashington.

"Blerja e sistemit nga Rusia është punë e mbarur," tha zoti Cavusoglu në një diskutim për NATO-n në Uashington. "Ne nuk po zgjedhim midis Rusisë dhe aleatëve të tjerë, nuk i shohim marrëdhëniet tona me Rusinë si një alternativë ndaj marrëdhënieve me të tjerët, dhe askush, as Perëndimi e as Rusia, nuk duhet e as mund të na kërkojnë të zgjedhim", shtoi ai.

Uashingtoni po i ofron Turqisë një sistem raketash Patriot. Ankaraja ka treguar gatishmëri për të blerë sistemin, por jo si alternativë ndaj sistemit S-400 të Rusisë.

Mosmarrëveshja është pjesë e shqetësimeve më të gjera midis aleatëve perëndimorë të Turqisë lidhur me thellimin e marrëdhënieve të Erdoganit me presidentin rus Vladimir Putin. Javën e ardhshme, Presidenti Erdogan do të vizitojë Moskën, ku zoti Putini pritet ta inkurajojë më tej Turqisë për të blerë sistemin S-400. Rusia është e vendosur t’i livrojë raketat në gjysmën e dytë të këtij viti.

Uashingtoni ka paralajmëruar se livrimi i avionëve të tij modernë F-35 Turqisë rrezikohet nëse Turqia ble sistemin rus.

Analistët thonë se në horizont po duken masa të mëtejshme kundër Turqisë dhe se monedha vendëse, lira, mund të bëhet viktima më e rëndësishme e çdo përballjeje me SHBA.

Analistët thonë gjithashtu se lira është në pozita të dobta, pas rënies vitin e kaluar të shkaktuar nga presidenti Donald Trump, i cili goditi Ankaranë me sanksione për shkak të arrestimit në Turqi të pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili më pas u lirua.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA