Nestle “bombardon” fëmijët me sheqer të shtuar në vendet e varfëra: sa rrezikon Shqipëria?
Dihet se vendi ynë është “pushtuar” nga prodhimet e Nestle-s dhe fakti që ne kemi një qeveri (dhe opozitë) të zvetënuar, me gjasë kjo çështje nuk do të përmendet në median pamore, prej të cilës shumica e popullit “dijësohet”
Ylli Përmeti
29/04/2024 - 12:58
Nestlé shton sheqer në qumështin e foshnjave që shitet në vendet më të varfra, zbulon raporti. Formula për foshnjat dhe drithërat e firmës zvicerane të ushqimit që shiten në jugun botëror shpërfillin udhëzimet e OBSH-së kundër obezitetit për Evropën, thotë raporti i Public Eye.
Nestlé, ndërmarrja më e madhe në botë e mallrave, shton sheqer dhe mjaltë në qumështin e foshnjave dhe produktet e drithërave të shitura në shumë vende më të varfra, në kundërshtim me udhëzimet ndërkombëtare që synojnë parandalimin e obezitetit dhe sëmundjeve kronike, ka gjetur një raport.
Veprimtarët nga Public Eye, një organizatë hetimore zvicerane, dërguan mostra të prodhimeve të ushqimit për fëmijë të shumëkombëshes zvicerane të shitura në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine në një laborator belg për testim.
Rezultatet, dhe shqyrtimi zbuluan sheqer të shtuar në formën e saharozës ose mjaltit në mostrat e Nido, një markë qumështi vijuese e formulës e krijuar për përdorim për foshnjat e moshës një vjeç e lart, dhe Cerelac, një drithë që synon fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në dy vjet.
Në tregjet kryesore evropiane të Nestlé-s, përfshirë Britaninë e Madhe, nuk ka sheqer të shtuar në formulat për fëmijët e vegjël. Ndërsa disa drithëra që synojnë fëmijët e vegjël përmbajnë sheqer të shtuar, nuk ka asnjë në prodhimet e synuara për foshnjat nga gjashtë muaj deri në një vit.
Laurent Gaberell, ekspert i bujqësisë dhe ushqimit i Public Eye, tha: "Nestlé duhet t`u japë fund këtyre standardeve të rrezikshme të dyfishta dhe të ndalojë shtimin e sheqerit në të gjitha produktet për fëmijët nën tre vjeç, në çdo pjesë të botës".
Obeziteti është gjithnjë e më shumë një shqetësim në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në Afrikë, numri i fëmijëve mbipeshë nën pesë vjeç është rritur me gati 23% që nga viti 2000, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në nivel botëror më shumë se 1 miliard njerëz jetojnë me obezitet.
Nuk është gjithmonë e lehtë për përdoruesit në çdo vend të tregojnë nëse një prodhim përmban sheqer të shtuar dhe sa është i pranishëm, bazuar vetëm në të dhënat ushqyese të shtypura në paketim. Etiketat shpesh përfshijnë sheqerna natyrale në qumësht dhe fruta nën të njëjtin titull si çdo sheqer i shtuar.
Udhëzimet e OBSH-së për rajonin evropian thonë se nuk duhet të lejohen sheqerna të shtuar ose agjentë ëmbëlsues në asnjë ushqim për fëmijët nën tre vjeç. Ndërsa asnjë udhëzim nuk është prodhuar në mënyrë specifike për rajone të tjera, studiuesit thonë se dokumenti evropian mbetet po aq i rëndësishëm për pjesët e tjera të botës.
Mbretëria e Bashkuar këshillon që fëmijët nën katër vjeç të shmangin ushqimin me sheqer të shtuar për shkak të rreziqeve që përfshijnë shtimin në peshë dhe prishjen e dhëmbëve. Udhëzimet e qeverisë amerikane këshillojnë shmangien e ushqimeve dhe pijeve me sheqer të shtuar për fëmijët më të vegjël se dy vjeç.
Në raportin e tij, të shkruar në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Veprimit për Ushqimin e Fëmijëve, Public Eye tha se të dhënat nga Euromonitor International, një ndërmarrje e hetimit të tregut, zbuluan shitje me pakicë botërore mbi 1 miliard dollarë (800 milion £) për Cerelac. Shifrat më të larta janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, me 40% të shitjeve vetëm në Brazil dhe Indi.
Dr Nigel Rollins, një oficer mjekësor në OBSH, tha se gjetjet përbënin “një standard të dyfishtë […] që nuk mund të përligjet".
Drithërat me shije biskote për foshnjat e moshës gjashtë muajsh e lart përmbanin 6 g sheqer të shtuar për çdo pjesë në Senegal dhe Afrikën e Jugut, zbuluan studiuesit. I njëjti produkt i shitur në Zvicër nuk ka asnjë.
Testet në prodhimet Cerelac të shitura në Indi treguan, mesatarisht, më shumë se 2.7 g sheqer të shtuar për çdo shërbim. Në Brazil, ku Cerelac njihet si Mucilon, dy nga tetë prodhime nuk kishin sheqer të shtuar, por gjashtë të tjerat përmbanin gati 4 g për çdo racion. Në Nigeri, një prodhim i testuar kishte deri në 6.8 g.
Ndërkohë, testet mbi prodhime nga marka Nido, e cila ka shitje me pakicë në mbarë botën prej më shumë se 1 miliard dollarë, zbuluan ndryshime të rëndësishme në nivelet e sheqerit.
Në Filipine, prodhimet që synojnë fëmijët e vegjël nuk përmbajnë sheqer të shtuar. Megjithatë, në Indonezi, prodhimet e ushqimit për fëmijë Nido, të shitura si Dancow, të gjitha përmbanin rreth 2 g sheqer të shtuar për 100 g produkt në formën e mjaltit, ose 0,8 g një pjesë.
Në Meksikë, dy nga tre prodhimet Nido për të vegjlit nuk përmbanin sheqer të shtuar, por i treti përmbante 1.7 g për pjesë. Prodhimet Nido Kinder 1+ të shitura në Afrikën e Jugut, Nigeri dhe Senegal përmbanin të gjitha gati 1 g për porcion, thuhet në raport.
Kostot botërore të shëndetit dhe mjedisit të industrisë ushqimore janë 10 trilion dollarë në vit - OKB
Një zëdhënës i Nestlé tha: “Ne besojmë në cilësinë ushqyese të produkteve tona për fëmijërinë e hershme dhe i japim përparësi përdorimit të përbërësve me cilësi të lartë të përshtatur për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve”.
Ajo tha se brenda kategorisë “shumë të rregulluar” të ushqimit për fëmijë, Nestlé përputhej gjithmonë me “rregulloret lokale ose standardet ndërkombëtare, duke përfshirë kërkesat e etiketimit dhe pragjet për përmbajtjen e karbohidrateve që përfshin sheqernat” tërësore në prodhimet e saj, duke përfshirë ato që vijnë nga mjalti.
Variacionet në receta vareshin nga faktorë duke përfshirë rregullimin dhe disponueshmërinë e përbërësve vendas, tha ajo. Kompania ka ulur sasinë tërësore të sheqernave të shtuar të drithërave të mitur me 11% në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, tha ajo, dhe vazhdoi të riformulojë produktet për t`i ulur më tej.
Sakaroza dhe shurupi i glukozës po hiqeshin gradualisht nga “qumështi i rritjes” që synonte të vegjlit në mbarë botën, shtoi ajo. The Guardian
Nestle është përfshirë në skandale të ngjashme dhe në të kaluarën; madje, dhe në vendin tonë. Unë u shkruajta autorëve të hetimit për të mësuar se nëse kishin kryer ndonjë hetim të ngjashëm në vendin tonë, pasi në të nuk përmendet, dhe më kthyen përgjigje se nuk e kanë hetuar.
Por dihet se vendi ynë është “pushtuar” nga prodhimet e Nestle-s dhe fakti që ne kemi një qeveri (dhe opozitë) të zvetënuar, me gjasë kjo çështje nuk do të përmendet në median pamore, prej të cilës shumica e popullit “dijësohet”.
Kështu ajo (ndërmarrja dhe qeveria jonë) shton fitimet dhe fëmijët tanë “bombardohen” me sheqer të shtuar dhe si pasojë ata do të zhvillojnë obezitet dhe gjithë sëmundjet e tjera që pasojnë si nga sheqeri ashtu dhe nga mbipesha.
Ky raport është plotësuar një ditë më pas pas përgjigjes së autorëve.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 47 reads



