Një “sfond i tmerrshëm” rëndon mbi mbledhjen e OKB-së për klimën në Turqi
Kriza të ndryshme globale tregojnë se COP-i i këtij viti do të përqendrohet në përpjekjet për të vënë në zbatim marrëveshjet e mëparshme, në vend të marrë angazhime të guximshme
Financial Times
10/11/2026 - 07:38
Vendet e shqetësuara për ngrohjen globale thonë se do të duhet të “kundërpërgjigjen ndaj mohuesve të ndryshimeve klimatike”, ndërsa bisedimet e OKB-së COP31 nisin këtë javë në Turqi, në një “sfond jashtëzakonisht të vështirë”.
Ndërsa bota përballet me luftëra, vështirësi ekonomike dhe krizën e dytë energjetike të kësaj dekade, dhe në të njëjtën kohë dy raporte të OKB-së paralajmërojnë për mungesën e përparimit në përballimin e ndryshimeve klimatike, ministrat, ndërmjetësit dhe veprimtarët pranojnë se mbi mbledhjen klimatike të këtij viti rëndon një trysni e madhe për të treguar se vendet janë të vërtetë në uljen e çlirimit të gazeve serrë.
Pasojat e ngrohjes globale po shfaqen tashmë. Shkencëtarët e kanë lidhur ndryshimin e klimës me shembjen katastrofike të shkëmbinjve dhe akullnajave në Nepal në gusht, që la më shumë se 1,000 të vdekur dhe rreth 5,000 të zhdukur, ndërsa temperaturat e larta ekstreme në Evropë shkaktuan thatësirë të përhapur dhe rreth 50,000 vdekje më shumë se zakonisht gjatë kësaj vere.
Ilana Seid, ambasadorja e Palaut në OKB dhe kryetare e Aleancës së Shteteve të Vogla Ishullore (AOSIS), një grup i përbërë nga 39 vende ndër më të rrezikuarat nga ndryshimet klimatike, thotë se rrethanat në të cilat po zhvillohen takimet dyjavore janë “të ndërlikuara”, duke shtuar: “Mjedisi gjeopolitik është padyshim sfidues. Ka kriza të menjëhershme në vende të ndryshme”.
Darragh O’Brien, ministri i klimës në Irlandë, i cili mban presidencën e radhës të BE-së, pajtohet me këtë vlerësim, por thotë se sfidat e përhapura dhe ngjarjet shkatërruese të motit të skajshëm mund të nxisin veprime. “Duhet të kundërpërgjigjemi ndaj mohuesve të ndryshimeve klimatike”, shton ai.
Vitet e fundit, shkenca e klimës është vënë nën sulm, përfshirë edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka cilësuar ndryshimet klimatike si një mashtrim dhe në janar e tërhoqi SHBA-në nga konventa e OKB-së për klimën. Ndërsa në takimet e mëparshme shpesh ka mbizotëruar një temë e vetme madhore, siç ishte financimi në COP29 në Baku, këtë vit janë rreth 100 çështje në rendin e ditës.
Australia do të mbikëqyrë pjesën zyrtare të bisedimeve të mbledhjes, pas një marrëveshjeje me Turqinë vitin e kaluar. Turqia, e cila pret COP31 dhe mbikëqyr programin e veprimeve që nuk janë pjesë e bisedimeve, e ka cilësuar mbledhjen si një “COP të zbatimit”, duke thënë se gjatë dekadës së fundit vendet janë pajtuar për pjesën më të madhe të masave të nevojshme për përballimin e ndryshimeve klimatike dhe se tani vëmendja duhet të përqendrohet në zbatimin e tyre.
Shumë ministra thonë se e shohin mbledhjen e këtij viti në Antalia si një “COP kalimtare”, e cila mund ta vendosë botën përsëri në një rrugë më të mirë përpara vlerësimit të radhës, në vitin 2028, të mënyrës se si vendet po përballen me ndryshimet klimatike.
Megjithatë, ndarjet e thella vazhdojnë të mbeten, ndërsa pritet që vendet të përplasen për çështjet e financimit dhe ritmin e përpjekjeve të ashtuquajtura për zbutjen e ndryshimeve klimatike, ndër të tjera.
Kina ka bërë të ditur se do të kundërshtojë kufizimet tregtare ndaj teknologjive të pastra, ndërsa grupi i vendeve afrikane kërkon që t'i kushtohet më shumë vëmendje përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Antwi-Boasiako Amoah, kryetari i Grupit Afrikan të Ndërmjetësve për Ndryshimet Klimatike, thotë se zotimi i bërë vitin e kaluar në bisedimet COP30 për të paktën trefishimin e financimit për përshtatjen kërkon një “rrugë të qartë zbatimi”.
Ai shton: “COP31 duhet të dëshmojë se është çasti kur kalojmë përtej zotimeve dhe hyjmë në zbatim, me financim të mjaftueshëm, të parashikueshëm dhe të arritshëm, që u përgjigjet nevojave dhe përparësive të vendeve të cenueshme nga ndryshimet klimatike”.
Përveç qasjes më të madhe në financim, Seid thotë se rikthimi i botës në rrugën e arritjes së qëllimit prej 1.5°C do të jetë një nga çështjet kryesore ku AOSIS do të përqendrohet gjatë mbledhjes dyjavore.
Gjatë bisedimeve historike për Marrëveshjen e Parisit në vitin 2015, AOSIS mbështeti mbrothët një synim më të ulët, atë të kufizimit të rritjes së temperaturës globale në 1.5°C mbi nivelin paraindustrial. Por një raport i OKB-së në shtator tha se ky kufi ka të ngjarë të tejkalohet brenda pak vitesh. Shkencëtarët kanë paralajmëruar për rreziqet e pasojave shkatërruese për planetin nëse tejkalohet kufiri prej 1.5°C.
Mungesa e fondeve në fondin e mbështetur nga OKB-ja për humbjet dhe dëmet, i cili synon të ndihmojë vendet të përballojnë pasojat e ndryshimeve klimatike, pritet gjithashtu të jetë një pikë e nxehtë diskutimi, thotë Harjeet Singh, një veteran i mbledhjeve COP dhe bashkërendues global i fushatës “Plotësoni Fondin”.
Deri më tani janë premtuar 822 milionë dollarë, megjithëse kostoja e humbjeve dhe dëmeve ka të ngjarë të arrijë në qindra miliarda dollarë në vit deri në vitin 2030. Nepali ka kërkuar mbështetje.
Singh thotë se pret një raund të vështirë bisedimesh, duke vënë në dukje se për vite me radhë vendet u përqendruan në krijimin e Marrëveshjes së Parisit, e më pas kaluan një dekadë duke u pajtuar për “rregulloren” e zbatimit të saj.
“Arsyeja pse kemi ngecur më shumë [në bisedime]”, thotë ai, është se tani vëmendja është përqendruar tek “çështjet e vështira që i kemi shpërfillur për dekada”, siç është heqja graduale e lëndëve djegëse fosile.
Gjatë bisedimeve të acaruara COP30 të vitit të kaluar në Brazil, më shumë se 80 vende kërkuan një marrëveshje për një të ashtuquajtur udhërrëfyes, që do të përcaktonte mënyrën se si vendet do të largoheshin gradualisht nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile. Por kjo u bllokua nga një grup i udhëhequr prej vendeve prodhuese të lëndëve djegëse fosile.
Javën e kaluar, Brazili paraqiti një raport të ri për një udhërrëfyes global, në të cilin vendi mikpritës i COP30 tha se, ndonëse disa vende mund të ecin më shpejt se të tjerat, të gjitha vendet mund të ndërmarrin që tani hapa për të kaluar drejt largimit nga lëndët djegëse fosile. Raporti bëri thirrje për veprim të shpejtë gjatë viteve deri në vitin 2033.
Si vend mikpritës i bisedimeve të këtij viti, Turqia ka mbajtur kryesisht një qëndrim të heshtur për çështjen e lëndëve djegëse fosile, duke u përqendruar në nxitjen e vendeve për të mbështetur një synim të ri global të elektrifikimit. Ky synim parashikon që pjesa e kërkesës globale për energji që plotësohet nga energjia elektrike të rritet nga afërsisht një e pesta sot në 35 për qind deri në vitin 2035.
Përpara bisedimeve, ndërmjetësit dhe ministrat thanë se nuk është e qartë nëse ka mbështetje të mjaftueshme për këtë synim që ai të përfshihet në përfundimet përfundimtare të bisedimeve, çka do t'i jepte më shumë peshë.
Megjithatë, të tjerë vazhdojnë të vënë në dyshim nëse në bisedimet e OKB-së mund të arrihet vërtet përparim, duke akuzuar vendet që janë prodhues ose përdorues të mëdhenj të lëndëve djegëse fosile se po zvarrisin bisedimet për të mbështetur ekonomitë e tyre.
Në bisedimet e OKB-së për klimën, një vend i vetëm mund të bllokojë një marrëveshje, pavarësisht mbështetjes së gjerë nga shumica, çka mund të pengojë arritjen e marrëveshjeve më ambicioze.
Ministri i mjedisit i Panamasë, Juan Carlos Navarro, thotë se COP-i është një “ushtrim i kotë dhe hipokrizie” dhe planifikon të kërkojë ndryshimin e rregullave të votimit.
“Mbledhjet COP po mbahen peng nga një grup i vogël vendesh të pabindura, të cilave nuk u vëmendjet mjedisi”, shton ai. Përfundimi përfundimtar “do të jetë një grumbull asgjëje të zbutur dhe pa vlerë... sepse ky mjet votimi garanton se do të mbahemi peng nga vendet prodhuese të naftës”, thotë ai. “Mbledhja COP janë të dënuara të dështojnë derisa të ndryshohen procedurat e votimit”.
Zhgënjimi ndaj këtij procesi ka bërë që vendet të fillojnë të përpiqen t'i anashkalojnë bisedimet zyrtare. Në fillim të këtij viti, rreth 60 vende u takuan në Kolumbi për të biseduar largimin gradual nga lëndët djegëse fosile, jashtë procesit zyrtar të OKB-së.
Të tjerë thonë se bisedimet mbeten vendimtare, pasi i detyrojnë vendet të përballen së bashku me ndryshimet klimatike. Seid e Palaut ndihet më shpresëplotë për mbledhjen e këtij viti, pas disa takimeve me të ngjashëm nga e gjithë bota, të cilat e kanë bërë të “mendojë vërtet se kemi ende shumë ambicie”.
Ajo vë në dukje se takimi i ashtuquajtur para-COP, një seri bisedimesh që këtë vit u zhvilluan në Paqësor, ishte “ndryshe” nga takimet e mëparshme, të cilat shpesh cilësohen nga përplasje politike dhe bllokime të teksteve të marrëveshjeve.
Takimet e tetorit, të zhvilluara në vijën e parë të rritjes së nivelit të detit, “i ndihmuan vërtet pjesëmarrësit të kuptonin se sa e rëndë është kriza klimatike”, thotë ajo.
O’Brien shprehet në të njëjtën frymë: “A është i tmerrshëm sfondi? Po. A do të thotë kjo se duhet të dorëzohemi? Jo. Përkundrazi, kjo e përforcon nevojën për veprime të përshpejtuara”.
Shqipëroi dhe përgatiti për botim Ylli Përmeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 10 reads



