Pas krijimit të “SWIFT-it” - Rusia përshpejton krijimin e internetit të saj duke kërcënuar hegjemoninë teknologjike amerikane
Pas kufizimeve të ndryshme Rusia planifikon një hap tjetër, për t'u izoluar në internet nga Perëndimi. Moska dëshiron të instalojë rootserver vetjakë - me pasoja për rrjetin global.
DW
17/01/2018 - 10:13
Sipas një raporti të portalit të internetit RBK, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i dha në fund të 2017 detyrë qeverisë së tij që deri në gusht 2018 të negociojë me të ashtuquajturat shtete të BRICS (veç Rusisë në të bëjnë pjesë Brazili, India, Kina dhe Afrika e Jugut) për ngritjen e një sistemi vetjak të Domain-Name-System (DNS). Këta servera vënë në dispozicion në të gjithë botën informacione, me të cilat lidhen me serverat adresat në internet (p.sh. dw.com), prej të cilave transportohen përmbajtje. Me serverat bazë vetjakë, Root-server, Rusia mund të ngrejë një lloj "interneti të vetin", ky është vlerësimi i qarqeve të specializuara.
Si argumentim jepet "dominanca e SHBA dhe e disa vendeve të BE në rregullimin e internetit. Në këtë Rusia sheh "një rrezik serioz" për sigurinë e saj, citon RBK protokollin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Rusisë. Root-serverat vetjakë do të sigurojnë pavarësinë nga instancat e kontrollit si ICANN (International Corporation for Assigned Names and Numbers) dhe të mbrojnë në raste "ndërprerjeje ose ndikimi të qëllimshëm".
Putini e sheh internetin si mjet të SHBA
Që prej konfliktit me Perëndimin, të shkaktuar prej aneksimit të Krimesë, duket se për Moskën është shtuar rreziku i një konfrontimi në hapësirën kibernetike. Rusia e testoi internetin e saj dhe zbuloi pika të dobëta. "Ne jemi një vend shumë i madh dhe një ekonomi shumë e madhe që të pranojmë të jetojmë me këtë rrezik", tha Igor Shçegolev, këshilltar i Putinit dhe ish-ministër i Komunikacionit në një intervistë me RBK. Si shembuj ai pa Korenë e Veriut dhe Sirinë, ku interneti u ndërpre për disa ditë. Pas ndërprerjes në Korenë e Veriut në dhjetor 2014 u supozua se qendrojnë SHBA, por Uashingtoni heshti për këtë. Izolimi i plotë nuk është synimi i Moskës, tha Shçegolev. Bëhet fjalë që interneti në vend të mbahet në gjendje pune, kur "ndërhyhet nga jashtë".
Putini i mbetet besnik vlerësimit prej tij të internetit si instrument i SHBA. Rrjeti i internetit sipas Putinit lindi si një projekt i shërbimit të fshehtë të SHBA, CIA dhe po zhvillohet edhe më tej me këtë mendësi, ka thënë dikur shefi i Kremlinit. (Në fakt, porosinë për teknologjinë e internetit ndër të tjera e dha Ministria e Mbrojtjes e SHBA - sh.red.)
Përgatitje për luftë kibernetike
Eksperti gjerman për internetin, Wolfgang Kleinwächter, profesor në pension në Universitetin danez Arhus, ishte prej 2013 deri 2015 anëtar i kryesisë së ICANN. Edhe Rusinë ai e njeh mirë. "Qeverisë ruse nuk i përshtatet i gjithë sistemi, sepse ai është ndërtuar në një mënyrë të tillë, që qeveritë të kenë te ICANN vetëm një rol këshillues, por jo vendimmarrës. Askush nuk ka, si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një vend të përhershëm me të drejtë vetoje". Veç kësaj, Moska dëshiron të përgatitet "për një lloj lufte kibernetike".
Blogeri moskovit Alexander Plushçev ka edhe një propozim. "Për disa zgjerimi i një "interneti për BRICS" do të ishte një porosi shumë e leverdisshme shtetërore". Dobia praktike do të ishte e vogël.
Objektivi janë rrënjët e internetit
Projekti i Rusisë ka si objektiv me plotëkuptimin e fjalës rrënjët e internetit. I gjithë komunikimi i përbotshëm kalon përmes 13 DNS-Rootserver-ave. Në kompjutera janë memorizuar skedat e zonave të të ashtuquajturave adresa kryesore, Top-Level-Domains (TLD), si .com (e përbotshme), .de për Gjermaninë ose .ru për Rusinë. Dhjetë Root-servera janë vendosur në SHBA, dhe nga një në Holandë, Suedi dhe në Japoni. Veç kësaj ndërkohë në të gjithë botën janë ngritur qindra kopje, të quajtura Anycast-server. Vetëm në Rusi ka dhjetë Anycast-server, në Moskë, në St.Petersburg ose Jekaterineburg. Të gjithë Root-serverat janë të pavarur. Root-serveri A, në të cilën është memorizuar kopja master e DNS deri në shtator 2016 ishte nën administrimin e qeverisë së SHBA. Tani për të është përgjegjëse një shoqëri bijë e ICANN. Vetë ICANN është pas përfundimit të marrëveshjes me ministrinë e Tregtisë së SHBA një sipërmarrje private bamirëse me seli në Kaliforni. Ajo drejtohet një bord drejtorësh prej 20 vetësh, në të cilën bëjnë pjesë ekspertë nga e gjithë bota. Ekspertë si Kleinwächter thotë se frika ruse se qeveria amerikane mund të shuante një vend nga interneti është budallallëk i plotë, sepse shuarja e një skede të zonës si .ru në A-Rootserver nuk do të kishte kuptim: kjo skenë e zonës do të vazhdonte të ekzistonte më tej në të gjithë Root-serverat e tjerë dhe në Anycast-servera.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 61 reads