...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Perëndimi po kundron pezullimin e Turqisë nga NATO-ja

Kërcënimi i shprehur këtë javë nga Presidenti i Turqisë, Reçep Taip Erdogan se do të ndërhynte ushtarakisht në zonat kurde në veri të Sirisë ka përcaktuar tonin e një periudhe tjetër të acaruar mes Ankarasë dhe aleatëve të tjerë në NATO, përfshirë Shtetet e Bashkuara

Voa

07/08/2019 - 21:04

A mund të kthehet përsëri Turqia në një partnere të besuar në NATO? Një grup gjithnjë e më i madh analistësh e opinionistësh thonë se nuk është e mundur.

Kërcënimi i shprehur këtë javë nga Presidenti i Turqisë, Reçep Taip Erdogan se do të ndërhynte ushtarakisht në zonat kurde në veri të Sirisë ka përcaktuar tonin e një periudhe tjetër të acaruar mes Ankarasë dhe aleatëve të tjerë në NATO, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat bashkuan forcat me kurdët e Sirisë për të luftuar kundër Shtetit Islamik.

Nxitur nga afrimi mes zotit Erdogan dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, nga blerja e një sistemi të avancuar rus për mbrojtje nga raketat dhe nisur nga strategjitë që po ndjek udhëheqësi turk, të cilat bien ndesh me qëndrimet e partnerëve në NATO, po ashtu edhe nga mbështetja që zoti Erdogan u ka dhënë kauzave islamike, shkëmbimet e tij me Perëndimin janë tensionuar deri pranë pikës së prishjes së marrëdhënieve, thonë analistët.

Zyrtarë të Pentagonit kanë shprehur irritim nga afrimi që duket se po tenton Turqia me Iranin.

Kriza në marrëdhëniet Turqi-NATO është tashmë aq e rëndë sa në 1974, kur Turqia pushtoi ishullin e Qipros. Nuk ekziston një mekanizëm zyrtar për përjashtimin nga organizata të një vendi anëtar të NATO-s. Megjithatë në Uashington dhe në kryeqytete evropiane po ndizet debati mes politik-bërësve dhe analistëve me influencë lidhur me të ardhmen e Turqisë në NATO; po ngrihen gjithashtu pyetje nëse ka ardhur koha që Ankaraja të dalë nga organizata, ose së paku anëtarësimi i saj të pezullohet.

“Është koha për ta flakur Turqinë nga NATO-ja,” shkruan opinionisti Con Coughlin, komentator i cili shpesh pasqyron pikëpamjet e agjencive britanike të zbulimit.

Muajin e kaluar, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian pezulluan ndihma me vlerë 164 milionë dollarë për Turqinë dhe shtynë pa afat të caktuar bisedimet mbi një marrëveshje aviacioni, në përgjigje të operacioneve turke të shpim-kërkimit për naftë e gaz në ujërat e Qipros. Ky ishull është ndarë që në 1974 mes popullatës etnike greke në jug dhe popullatës etnike turke në veri.

Administrata turke njihet vetëm nga Ankaraja. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian i kërkuan Bankës Evropiane për Investime të rishikojë kreditë për këtë vend që në 2018 arrinin në afro 434 milionë dollarë.

Masat e BE-së u morën vetëm disa ditë pasi në Turqi mbërriti dërgesa e parë e sistemit të raketave tokë-ajër që Ankaraja i bleu nga Rusia.

Presidenti Erdogan nuk u kushtoi shumë rëndësi paralajmërimeve të Uashingtonit se do ta ndëshkonte Turqinë për blerjen e sistemit. Shefat amerikanë të mbrojtjes thonë se sistemi S-400 nuk përputhet me sistemet mbrojtëse të NATO-s dhe paraqet kërcënim të mundshëm për avionët e fshehtë luftarakë amerikanë F-35. Në përgjigje të blerjes së sistemit, Presidenti Trump tha se do të pezullonte shitjen e avionëve F-35 për Turqinë, por nuk mori masa më tej.

Zoti Erdogan tha të premten se ka besim se Presidenti Trump nuk do të lejojë që lidhjet mes dy aleatëve të NATO-s të bëhen peng i mosmarrëveshjes për blerjen e sistemit S-400 nga Turqia. Në një takim me ambasadorët turq në Ankara, zoti Erdogan tha se ai mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s.

“Nuk ka prova që tregojnë se sistemi S-400 do të dëmtojë avionët F-35 apo NATO-n, askush nuk duhet të gënjehet nga këto deklarata. Shumë vende anëtare të NATO-s kanë blerë nga Rusia. Nuk shohim rrezik se kjo mund të shndërrohet në krizë. Turqia mori një vendim në interes të sigurisë së saj,” tha zoti Erdogan.

Analistët thonë se Presidenti Erdogan i ka varur shpresat tek nevoja e vendeve evropiane për të balancuar mospëlqimin e tyre ndaj qëndrimeve të fundit të Ankarasë në politikën e jashtme si dhe kundërshtimet e tyre ndaj masave autoritare që ka zbatuar zoti Erdogan në vend me rëndësinë që ka për ta Rusia në përpjekjet për të penguar imigracionin e paligjshëm dhe për t’i ndihmuar në masat kundër terrorizmit. Por vendet evropiane thonë se Presidenti Erdogan rrezikon të bëjë kalkulime të gabuara dhe se problemet e shumta që janë shfaqur në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Perëndimit po arrijnë një pikë kulmore.

Nëse Turqia ndërhyn ushtarakisht në zonat kurde në veri të Sirisë këto tensione do të shkallëzoheshin edhe më tej.

Kjo nuk është krizë e re. Që nga 2013, Presidenti Erdogan ka krijuar tensione me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Ai u irritua dukshëm pasi SHBA dhe BE nuk dënuan rrëzimin e Presidentit egjiptian Mohamed Morsi me grusht shteti nga ushtria. Zoti Morsi me bindje islamiste, e ka kritikuar hapur Perëndimin për standarde të dyfishta. Udhëheqësi turk akuzoi Izraelin se kishte luajtur rol në rrëzimin e zotit Morsi.

Ai filloi të ftohej e të largohej gjithnjë e më shumë nga ideja e antarësimit të Turqisë në BE, një ambicje gjysmë-shekullore e këtij vendi, megjithë rezistencën e fortë nga disa vende evropiane si Gjermania. Kryenegociatori i tij me BE-në tha se Turqia nuk do të antarësohej kurrë, si rrjedhojë e paragjykimeve të anëtarëve aktualë të BE-së. Kryenegociatori më pas foli me mospërfillje për BE-në duke thënë se ky, gjithsesi, është një bashkim në shpërbërje.

Në një raport të Institutit Brookings vjet, analistja Amanda Sloat nënvizon se Perëndimi ka një pikëpyetje të madhe brenda vetes lidhur me Turqinë. Megjithëse do që Turqia të mbetet anëtare e NATO-s, pjesërisht për arsye të pozicionit të rëndësishëm strategjik, “presidenti i vendit po bëhet gjithnjë e më autoritar, po përdor retorikë të ashpër anti-Perëndimore dhe po bën zgjedhje në politikën e jashtme që bien ndesh me interesat e aleancës transatlantike,” vë në dukje zonja Sloat.

Presidenti Erdogan, thonë analistët dhe diplomatët perëndimorë, e ka treguar veten në të kaluarën se ka aftësi të larta për të manipuluar Perëndimin. Ai ka intuitë të hollë për të kuptuar kur duhet të tërhiqet e kur mund të mos përfillë paralajmërimet e Perëndimit, duke i varur shpresat tek rëndësia që kanë kapacitetet dhe mbështetja që ofron Turqia për SHBA dhe BE si kundrapeshë për të tejkaluar irritimin e tyre për forcimin e lidhjeve Ankara-Moskë.

Por sa mund të zgjasë kjo gjendje e një balance delikate? Doug Bandow, analist në Institutin Cato vuri në dukje këtë javë se “i vetmi kërcënim potencial për sigurinë e Evropës së sotme është Rusia. Megjithatë, nuk mund t’i zihet besë Turqisë që të mbajë anën e NATO-s në situatë konflikti. Analisti argumenton se NATO-ja nuk ka shumë zgjidhje të tjera, përveçse të pezullojë antarësinë e Turqisë, pasi politika e jashtme turke tani është larguar aq shumë nga ajo e vendeve perëndimore. “Praktikisht, Turqia është e humbur për NATO-n,” thotë analisti Bandow.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA