...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dhurata e radhës e Ramës kundrejt elitës amerikane

Rama mori nga qeveria amerikane një hua për të blerë armë nga industria amerikane dhe për të luftuar në luftrat që shkakton elita amerikane

Ylli Përmeti

28/07/2026 - 16:27

Qeveria shqiptare mori një hua prej 302 milionë dollarë drejtpërdrejt nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, jo nga një bankë tregtare apo institucion financiar privat. Huaja jepet përmes Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes (DSCA) të SHBA-së, në kuadër të programit Financimi i Huaj Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF), që synon t’u mundësojë vendeve “aleate” blerjen e pajisjeve të mbrojtjes amerikane, shërbimeve ushtarake, trajnimeve dhe aftësive të tjera të lidhura me to. Duke qenë se kjo është një hua, SHBA do të përfitojnë gjithashtu të ardhura financiare përmes interesit, norma e të cilit përcaktohet nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së dhe specifikohet në marrëveshjen e huasë.

Një financim i ngjashëm u është dhënë kohët e fundit edhe vendeve të tjera aleate, përfshirë Poloninë përmes një huaje prej 2 miliardë dollarësh dhe Rumanisë përmes një huaje prej 920 milionë dollarësh. FMF nuk shërben vetëm si një mjet sigurie, por edhe si një mjet i politikës industriale dhe gjeopolitike. Meqë financimi zakonisht lidhet me blerjen e pajisjeve nga prodhuesit amerikanë të mbrojtjes, fondet e marra hua rikthehen kryesisht në industrinë amerikane të armatimeve, duke ndihmuar në ruajtjen e prodhimit, vendeve të punës dhe zhvillimit teknologjik në atë sektor.

Në të njëjtën kohë, vendet që pajisen me sisteme të përparuara ushtarake amerikane krijojnë shpesh varësi afatgjatë ndaj SHBA-së për mirëmbajtje, pjesë këmbimi, programe kompjuterike, trajnime dhe përditësime të ardhshme. Varësia financiare dhe teknologjike, me radhë, shndërrohet në një varësi më të gjerë strategjike, duke i dhënë Uashingtonit ndikim të qëndrueshëm mbi aftesitë ushtarake dhe politikat e sigurisë së vendeve “aleate” si Shqipëria dhe duke i përfshirë ato në luftrat që shkakton e nxit rreth botës.

Një anë tjetër që meriton vëmendje është dallimi mes përfshirjes financiare dhe mbërritjes së pajisjeve ushtarake. Edhe pasi një qeveri miraton financimin e pajisjeve ushtarake, prodhimi dhe dorëzimi i tyre mund të kërkojë disa vite. Marrëveshjet e fundit të armatimit të SHBA-së me Poloninë tregojnë se blerjet e mëdha ushtarake shpesh zbatohen gjatë periudhave prej pesë vitesh ose më shumë. Kjo merr rëndësi të veçantë duke pasur parasysh trysninë që lufta në Ukrainë dhe Iran ka ushtruar mbi rezervat e armëve dhe aftesitë prodhuese të SHBA-së. Për rrjedhojë, Shqipëria mund të marrë përsipër një detyrim financiar afatgjatë përpara se të sigurojë plotësisht aftësitë ushtarake që financohen përmes huasë përkatëse, duke e lënë vendit tonë të zbuluar ndaj rreziqeve por dhe duke e bërë atë pjesë të luftrave ndërkombëtare të elites amerikane.

Ndryshe nga këto të vërteta, kundërshtia “Berisha” në kuvend nuk ishte kundër marrëveshjes por kundër “procedurave kushtetuese”, ”pasi marrëveshja u fut për miratim me procedurë të përshpejtuar dhe pa u vënë më herët në dispozicion të deputetëve teksti i plotë i dokumentit”. Të njëjtën ditë u shënua dhe një përplasje mes zyrtarëve të Kuvendit dhe Shehajt; ky i fundit rrëmbeu marrëveshjen e klasifikuar si të fshehtë dhe u largua. Si pasojë, Rama paralajmëroi ndjekje penale ndaj tij ndërsa një ditë më pas Manja njoftoi kallëzim penal në SPAK.       

Kjo marrëveshje shtohet në lëshimet që ka bërë Rama ndaj Uashingtonit, në fushën e energjitikës (me përpjekjen e tij për të tregtuar gazin amerikan përmes portit të Vlorës) dhe në Zvërenc dhe Sazan. Këto, me radhë, shtohen në deficitin tregtar që ka krijuar vendi ynë me SHBA-në (rreth 40 milionë: 2025) dhe milionat që shpenzohen për ndikim politik (lobing). Sipas një raporti, Shqipëria shpenzon shuma të mëdha për ndikim politik.

Si pasojë, Rama çimenton edhe më shumë pushtetin e tij dhe varfëron shumicën e popullit tonë dhe përkeqëson gjendjen ekologjike.     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA