Përfundoi pa marrëveshje takimi Tramp – Kim por shpresat nuk janë shuar
Presidenti Trump i përshkroi bisedimet si “produktive” dhe shfaqi shpresën se palët do të arrijnë një marrëveshje për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut së shpejti.
Voa-SHJ
28/02/2019 - 14:47
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se takimi i tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përfundoi të enjten pa marrëveshje për shkak të mospajtimeve rreth sanksioneve amerikane.
“Ata kërkuan heqjen e tërësishme të sanksioneve dhe ne nuk mund ta bënim këtë”, u tha presidenti Trump gazetarëve në Hanoi. “Ata ishin të gatshëm të kryenin çarmatimin bërthamor në shumë zona që ne kërkuam, por nuk mund të hiqnim dorë nga të gjitha sanksionet për këtë”.
Takimi përfundoi para kohës së planifikuar dhe të dyja palët shmangën një drekë të përbashkët. Presidenti Trump i përshkroi bisedimet si “produktive” dhe shfaqi shpresën se palët do të arrijnë një marrëveshje për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut së shpejti.
Kimi, ndërkohë, kërkoi heqjen e plotë të sanksioneve. Ishte pikërisht kjo kërkesë që detyroi Trampin të mos nënshkruante asnjë marrëveshje--sepse Koreja e V. ka zhvilluar një bazë jozyrtare bërthamore të cilën e përmendi në bisedime ndërsa pala koreate u befasua. Kështu Trampi kërkoi çbërthamorizimin e gjithë vendit ndërsa Kimi heqjen e plotë të sanksioneve.
“The Times” njoftoi një javë më pas një pohim të një zyrtari të lartë të qeverisë amerikane se Trampi kërkoi nga Kimi të hiqte dorë nga gjithë arsenali bërthamor dhe rezervat e tij të armëve kimike dhe bilogjike. (Trump wants ‘all or nothing’ deal on Kim’s weapon arsenal, The Times, March 8 2019).
Media koreano-veriore: takimi Tramp-Kim i padobishëm
Mediat shtetërore të Koresë së Veriut pranuan për herë të parë të premten se takimi mes udhëheqësit të saj Kim Jong Un dhe Presidentit amerikan Donald Trump ishte i padobishëm, duke thënë se njerëzit po fajësojnë Shtetet e Bashkuara për mungesën e një marrëveshjeje.
Presidenti Trump megjithatë ishte i hapur për më shumë bisedime me Korenë e Veriut që synojnë çarmatimin e saj, tha këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, pavarësisht njoftimeve se Pheniani ka riaktivizuar pjesë të programit të tij të raketave.
"Publiku brenda dhe jashtë vendit që kishte shpresuar për sukses dhe rezultate të mira nga takimi i dytë në Hanoi ndjen keqardhje, duke fajësuar SHBA-në që takimi përfundoi pa një marrëveshje", thuhej në një koment të gazetës së Partisë Punëtore që qeveris Korenë e Veriut.
Gazeta përdor retorikë të ashpër kundër Japonisë, duke e akuzuar atë se "dëshiron shumë” që marrëdhëniet mes Penianit dhe Uashingtonit të ndërpriten dhe se e kishin "duartrokitur" prishjen e takimit.
Këtë javë, dy organizata amerikane si dhe agjencia e zbulimit e Koresë së Jugut thanë se Koreja e Veriut po rindërton bazën e raketave në Sohae. Presidenti Trump reagoi duke thënë se do të ishte "shumë, shumë i zhgënjyer" me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un nëse ky lajm është i vërtetë. Organizatat amerikane njoftuan të enjten se besonin se vendi i nisjes së raketave është sërisht në gjendje pune. Voa
Gjykuar nga këto fakte, të dyja palët nuk ishin të gatshme për një marrëveshje. Për të njëjtën arsye shpresat nuk janë shuar nga të dyja palët...
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 10 reads



