Pritshmëritë nga takimi Tramp-Putin dhe qasja e Putinit në politikën e jashtme
Takimi me Putinin zhvillohet në kohën kur ka “ngrirë” thuajse gjithçka mes dy vendeve
SHJ
16/07/2018 - 09:46
Takimi me Putinin zhvillohet në kohën kur ka “ngrirë” thuajse gjithçka mes dy vendeve: “shumica e kanaleve që u themeluan tetë vitet e fundit kanë ngrirë duke përfshirë kanalet në çështje shumë të rëndësishme, si lufta kundër terrorizmit dhe kiberlufta”. Pala ruse shpreson se takimi do të rihapë gjithë kanalet e dialogut në çështje ndarëse dhe çështjet ku mund të bashkëpunojnë. Ky është rezultati “ideal” i takimit, sipas Lavrovit, ministrit të jashtëm rus. Qartësisht, pala ruse ka pritshmëri të vogla nga takimi. Për këtë arsye por dhe për faktin se Trampi nuk mund ta ndryshojë dot orientimin e NATO-s, takimi nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh në politikat e tyre të jashtme: sepse mbetet pa u zgjidhur çështja e ekspansionit të NATO-s dhe Ukrainës për të cilën Putini do t’i kërkojë Trampit të largojë bazat e NATO-s nga kufijtë e Rusisë dhe të lërë Ukrainën jashtë influencës perëndimore.
Në prag të takimit mes dy presidentëve establishmenti juridik amerikan njoftoi akuzat —tashmë zyrtarisht— për 12 ushtarakë rusë të cilët kanë vjedhur në bazën e të dhënave të demokratëve amerikan hollësi që dëmtuan Hilarin...me qëllim që të pengonin takimin dhe hamendësisht të vazhdonin politikat armiqësore. Por Trampi u paraqit i vendosur duke i konsideruar akuzat dëm për marrëdhëniet me Rusinë dhe duke nënkuptuar se ai kërkon përmirësimin e marrëdhënieve. Por demokratët përdorën dhe një argument tjetër: se donin nga Trampi të bënte përgjegjës Putinin për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, hamendësisht për ta paralajmëruar. Por këshilltari i Trampit, Roger Stone, i cili hamendësohet se ka komunikuar me “Guccifer 2.0”, një nga kibernetistët rusë, kundërshtoi se s’ka asnjë fakt për një akuzë të tillë: “Unë jam ndoshta njeriu që përmendet në akuzë. Akuzat janë përgjegjësi dhe deri sa të ketë një gjykim - pretendimet mbeten të paprovuar”, citoi Stone.
Është e qartë se demokratët këmbngulin në një çështje që Trampi nuk do ta pranojë kurrë (megjithëse një lloj pranimi pasoi por ai ishte lidhur me faktin e mosveprimit të administratës “Obama” lidhur me sulmet) për sa kohë që pretendimet nuk kanë shkuar në gjykatë dhe për sa kohë që pranimi do të nënkuptonte se Trampi nuk i fitoi zgjedhjet me aftësinë e tij por me ndihmën e rusëve. Pas gjithë këtyre përplasjeve Trampi tha se kishte pritshmëri të pakta nga takimi me Putinin dhe se do ta ngrinte çështjen e ndërhyrjes ruse.
Putini, në anën tjetër, kupton mjaft mirë qasjen e Trampit —“Amerika e para”— sepse, sipas tij, çdo udhëheqës në politikën e jashtme do të kujdesësh së pari për interesat e vendit të tij. Por kjo qasje nuk do të ishte e drejtë në politikën globale, sepse ka prirjen të rezutojë në izolim, përveç rastit kur plotësohet me parimin e respektit të ndërsjellë dhe njohjes së interesave të partnerëve. Kjo qasje duhet të bazohet në angazhimin e zhvillimit të bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë, e cila merr në konsideratë interesat e vendeve të tjerë gjithashtu. Gjithë këta faktorë bashkë mund të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e bashkëpunimit. Ky është qëllimi i Putinit në takim: një hap i vogël për të tejkaluar gjendjen aktuale kritike në raportet e tyre dypalëshe.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 15 reads



