Putini nxjer blof perëndimin: tërheq disa trupa dhe armatime nga Bjellorusia
Kremlini njoftoi se Putini u nxit nga ligjbërësit rusë me një projektligj për të njohur pavarësinë e rajonit të Donbasit të vetë-quajtur të pavarur pas puçit në Kiev
SHJ
14/02/2022 - 18:40
Ndërsa aleanca perëndimore kishte refuzuar një nga kërkesat kryesore të Rusisë për mos anëtarësimin e Ukrainës në Nato, se kjo çështje nuk diskutohet, sepse dera e aleancës duhet të qendrojë e hapur për anëtarët e rinj dhe Uashingtoni kishte deklaruar dhe datën e mundshme të “pushtimit” të Ukrainës nga Rusia, 16 shkurtin, Ukraina kërkoi një takim me Rusinë dhe me anëtarë të tjerë të grupit të sigurisë evropiane lidhur me tensionet e përshkallëzuara në kufirin e saj pasi Rusia, sipas ministrit të jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, kishte shpërnjohur kërkesat zyrtare për të sqaruar përqendrimin e trupave ushtarake në kufi.
Kievi kërkoi, si duket për të parandaluar “pushtimin”, takim brenda 48 orësh ku do të kërkojë “tejdukshmëri” rreth planeve ruse ose përgjigje nga Rusia rreth qëllimeve të saj sipas ligjeve të Dokumentit të Vjenës (Artikulli 3) i cili përmban çështje sigurie për gjithë anëtarët e OSBE-së duke përfshirë dhe Rusinë.
“Nëse Rusia është serioze kur ajo flet rreth sigurisë së pandashme në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbush zotimin e saj për tejdukshmëri ushtarake me qëllim që të shpërshkallëzohet tensioni dhe rritet siguria për të gjithë” tha ai.
Ministria e jashtme ruse nuk iu përgjigj kërkesës ukrainase sepse ajo “nuk e quan të ligjshme, meqënse veprimtaria [e saj] nuk është e pazakonshme dhe nuk ushqen arsye për përdorimin e mekanizmit të pakësimit të kërcënimit ushtarak nën Dokumentin e Vjenës 2011”...por pas këtij reagimi, thanë diplomatët rusë, do t`i përgjigjet.
Një ditë më pas Kremlini njoftoi se Putini u nxit nga ligjbërësit rusë me një projektligj për të njohur pavarësinë e rajonit të Donbasit të vetë-quajtur të pavarur pas puçit në Kiev. Projektligji është njoftuar nga dhoma e ulët e parlamentit rus ndërsa ligjhartuesit janë duke e këshilluar me ministrinë e jashtme ruse. Projekligji u parashtrua nga partia komuniste një muaj përpara se të nxitësh Putini nga ligjbërësit. Ata besojnë se njohja e republikave të vetë-deklaruara të pavarura do të krijonte kuadrin për të mbrojtur popullatën nga kërcënimet.
Pas pak orësh u njoftua përgjigjja amerikane ndaj kërkesave ruse: ajo ishte e ndarë në dy pjesë. Lidhur me zgjerimin e Nato-s amerikanët u përgjigjën negativisht ndërsa rusët ishin të “pakënaqur” dhe lidhur me parimin e “sigurisë së pandashme” evropiane. Por ministria e jashtme ruse beson se “atje është ende një mundësi për të arritur një lloj marrëveshje me SHBA-në dhe Nato-n” ndërsa Putini miratoi përgjigjen me dhjetë faqe.
Por Shtëpia e Bardhë shoi shpresat lidhur me besimin e Moskës se mund të arrinte një lloj marrëveshje diplomatike. “Ne kemi shënuar komentet e tij [Lavrovit]. Por ne nuk kemi shënuar ndonjë shënim shpërshkallëzimi. Ne nuk kemi parë ndonjë shenjë të prekshme, të vërtetë shpërshkallëzimi”. Mbetet e paqartë për ne se nëse Rusia interesohet në ndjekjen e rrugës diplomatike apo fuqisë ushtarake” tha zëdhënësi i saj.
Sidoqoftë, një ditë më pas u përgjigj Rusia: këtë herë duke përdorur taktikën e tërheqjes së disa trupave dhe mjeteve ushtarake nga Bjellorusia. Në këtë mënyrë nxori blof ―një ditë përpara― pretendimit të Shtëpisë së Bardhë se Rusia synonte të pushtonte Ukrainën me stërvitjet e saj ushtarake rreth kufirit ukrainas duke përmendur dhe një datë të mundshme: 16 shkurtin!
Vetë ministria e jashtme ruse e quajti pretendimin amerikan dhe britanik “dështim të propagandës perëndimore”. “15 shkurti i vitit 2022 do të mbahet mend në histori si dita kur dështoi propaganda luftarake perëndimore” dhe se perëndimi është “turpëruar dhe shkatërruar pa shkrepur një plumb të vetëm”, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse.
Por kjo s`do të thotë se tensionet do të shpërshkallëzohen për sa kohë që Rusia nuk ka realizuar asnjë nga qëllimet e saj dhe SHBA-ja s`ka hequr dorë nga gjeopolitika e saj në rajon. Madje një zyrtar i ushtrisë ruse paralajmëroi ―vetëm dy ditë pasi anijet ruse kishin ndjekur një nëndetëse amerikane në ujërat kombëtare ruse― se do të goditen me raketa pa paralajmërim!
Madje menjëherë pas njoftimit se Rusia po tërhiqte disa turpa dhe armatime ushtarake kreu i Nato-s tha se nuk shikonte shenja shpërshkallëzimi por shtoi se ka arsye për “optimizëm të kujdesshëm” meqë Moska dha shenja se dëshironte të vazhdonte diplomacinë. “Rusia ka ende kohë për t`u tërhequr nga zgripi. Ne kemi nevojë të shohim një tërheqje të rëndësishme dhe të gjatë të forcave, trupave dhe jo vetëm pajisjet e rënda“, tha ai.
Paralelisht ministri i jashtë rus i parapriu qendrimeve perëndimore duke thënë se “tani kolegët tanë perëndimorë nuk do të thonë se dështuan por do të thonë se ishte politika e tyre përfrikësuese që detyroi Rusinë të tërhiqësh”.
Ndërsa perendimi do të përpiqet ta paraqesë si “triumf” tërheqjen e pjesshme ruse dhe jo si dështim, dhe Putini do të përpiqet t`i tregojë si propagandistë dhe luftënxitës në vazhdim, në Moskë u zhvillua një takim prej tre orësh me kancelarin gjerman pas të cilit presidenti rus tha se ai ishte gati për negociata mbi forcat raketore bërthamore të ndërmjetme dhe për marrjen e masava për ndërtimin e besimit me perëndimin nëse SHBA-ja dhe Nato-ja zotoheshin të bisedonin shqetësimet e Moskës me aleancën transatlantike duke përfshirë kërkesën e saj kryesore se do të zotoheshin se nuk do ta pranonin kurrë Ukrainën në Nato.
Negociatat, sipas tij, varen nga gjendja reale në terren, i cili ishte i paparashikueshëm dhe nuk varet vetëm nga Moska. “Ata na thonë se ata nuk do të pranojnë Ukrainën nesër, por vetëm kur të jetë gati”. Por kjo do të ishte shumë vonë për ne. Ndaj ne duam ta zgjidhim këtë çështje tani, në të ardhmen e menjëhershme, si pjesë e një procesi të paqtë bisedimesh”, tha Putini.
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 268 reads



