...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama na turpëroi në Glasgou: Shqipëria është vend “jondotës”

Mbi 120 udhëheqës botërorë po marrin pjesë në konferencën e OKB-së, disa duke mbrojtur angazhimin e tyre për klimën, të tjerët duke paraqitur premtime të reja për të frenuar emetimet.

Voa-SHJ

02/11/2021 - 17:31

Shkencëtarët kanë bërë paralajmërime të ashpra se mos arritja e një marrëveshjeje për shkurtime shumë më të thella në emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serrë do të rezultojë në ndryshime katastrofike dhe të pakthyeshme të klimës. Por, shpresat tashmë po zbehen se konferenca e OKB-së për klimën në Skoci do të rezultojë me një marrëveshje të re për të shpëtuar planetin. 

Sallat e konferencave në Glasgou janë zyrtarisht zonë e Kombeve të Bashkuara për dy javët e ardhshme ndërsa udhëheqësit botërorë janë mbledhur për të shpëtuar planetin. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres lëshoi një paralajmërim të fortë.

“T’i japim fund vrasjeve me karbon. Nuk duhet ta trajtojmë natyrën si një banjë. Të ndalim djegiet, shpimet dhe gërmimet e thella minerale. Ne po gërmojmë varret tona”, tha ai.

A do të merret parasysh ky paralajmërim? Mbi 120 udhëheqës botërorë po marrin pjesë në konferencën e OKB-së, disa duke mbrojtur angazhimin e tyre për klimën, të tjerët duke paraqitur premtime të reja për të frenuar emetimet.

India është ndotësi i tretë më i madh në botë. Shpresat ishin të mëdha që kryeministri Narendra Modi të paraqiste plane të reja për të ulur emetimet.

"Deri në vitin 2070, India do të arrijë objektivin e nivelit zero të emetimeve", tha ai.

Kjo datë është 20 vjet më vonë se objektivi i OKB-së për vitin 2050, një zhgënjim i madh për shumë aktivistë të klimës. Fokusi nuk është vetëm në premtimet e bëra, por edhe tek ata që nuk po marrin pjesë në konferencën e OKB-së për klimën në Glasgou.

Xi Jinping, Presidenti Kinës, emetuesi më i madh në botë i gazit karbonik, nuk do të marrë pjesë në takim. Ai ofroi vetëm një deklaratë me shkrim dhe nuk bëri asnjë premtim të ri të rëndësishëm për të ulur emetimet.

“Zyrtarët kinezë mund të mos kenë ardhur në këtë takim ndoshta sepse ata nuk kanë shumë për të ofruar. Dhe ndoshta ata do të preferonin të shmangnin presionin e takimit për klimën, ky mund të jetë realiteti”, tha shefi për klimën i Fondit Botëror për Kafshët e Egra, Manuel Pulgar-Vidal.

Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, emetuesi i katërt më i madh në botë i gazit karbonik, gjithashtu nuk po merr pjesë në takim. Mes aktivistëve të klimës, zhgënjimi është tashmë i dukshëm.

“Kjo konferencë për klimën është deri tani e ngjashme me konferencat e mëparshme dhe kjo nuk na ka çuar askund. Ato nuk na kanë çuar askund”, tha aktivistja për klimën, Greta Thunberg.

Por të tjerë thonë se takimi për klimën nuk duhet nënvlerësuar.

“Mendoj se është një gjë e mirë që më në fund të kemi një vizion kolektiv për botën që askush nuk e vë në dyshim. Por, tani ne duhet të kemi veprime më të qarta, jo vetëm objektiva, por veprime më të qarta”, thotë Manuel Pulgar-Vidal.

Në çdo takim për klimën, udhëheqësit botërorë kanë premtuar objektiva ambicioze për të ulur emetimet. Mesazhi i këtij takimi është se ka ardhur koha për t'i kthyer ato premtime në politika konkrete. Voa

Në ditën e dytë të punimeve presidenti amerikan kritikoi Shinë e Kinës dhe Putinin e Rusisë për mospjesëmarrje pavarësisht se këta të fundit dërguan delegatë dhe letra në punimet e mbledhjes COP26, se bënë gabim të madh që s`shkuan. Për Putinin tha se pyjet e egër të Rusisë po digjeshin dhe presidenti [rus] hesht rreth kësaj çështje.

Si Kina ashtu dhe Rusia kanë nënshkruar zotimin për uljen e çlirimeve të metanit deri në vitin 2030 dhe ndalimin e shpyllëzimit po të njëjtin vit. Përpara fjalës së Bajdenit, Putini tha në një takim virtual në mbledhjen e COP26 se Rusia merr masat më të fuqishme dhe energjike për të ruajtur tokat me pyje. 

Pesë ndotësit kryesorë 

Vlen të përmendet fakti se të njëjtën ditë foli dhe kryeministri ynë Rama, i cili kritikoi pjesëmarrësit duke u thënë atyre se nuk i dhanë përgjigje për pytjen se si do ta dëmshpërblejnë Shqipërinë, e cila, sipas tij, është vend jondotës! 

Në ngjarje të rëndësishme, si kjo e sotmja, na thuhet se çfarë duhet të bëjmë. Zakonisht, ne dëgjojmë dhe mbajmë shënim. Kështu bëra, ju dëgjova dhe mbajta shënim, por ende nuk kam marrë përgjigje për pyetjen me të cilën kam ardhur këtu. Ndoshta nuk i ka shkuar kujt në mend, kështu që po e them qartë: “Si mendojnë të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, që jemi jondotës?”

Po, jondotës! Prodhimi ynë i energjisë mbështetet te burimet e ripërtëritshme, 100 për qind hidrike, zero për qind karburante fosile. E nuk japim vetëm premtime se do të përballemi me sfidën e përbashkët të angazhimeve të ndërmarra dhe objektivave të vendosura. Ne e bëjmë këtë. Sot. Në vitin 2021.

Mirëpo, ky është një qendrim jo vetëm i turpshëm në raport me të vërtetën, por edhe kriminal, sepse vendi ynë është tejet ndotës në raport me popullsinë e tij, dhe qoftë edhe hidrocentralet që përmend Rama janë burim shkatërrimi si i ekosistemit ashtu dhe kursimeve të popullit.

Ndotja në vendin tonë shkaktohet, siç ka treguar Ylli Përmeti në një studim të fundit, kryesisht nga automjetet, duke u shoqëruar me ndotjen që shkaktohet nga djegia e pyjeve, traktorët e bujqësisë, anijet e peshkimit dhe transportit, skafet e oligarkive, dhe avionët e transportit dhe luftarakë, që, me të parët udhëton më shpesh se kushdo tjetër dhe kryekrimineli ynë për të treguar pacipësinë e tij jo vetëm brenda vendit por dhe jashtë tij.

Ai, madje, po bën ç`është e mundur të rrisë ndotjen me aeroporte dhe porte të tjerë që po ngre ndërsa përparon me marrëzinë tjetër kolektive të përdorimit të automjeteve dhe nuk bën asgjë për orientimin e shoqërisë drejt transportit ekologjik! Pa përmendur ndotjen tjetër masive, që shkaktohet nga plastika, mbetjet kimike të industrive në toka dhe lumenj etj., dhe ndotja nga ujërat e zeza.

Pjesëmarrësit në COP25 ndoshta nuk e dinë gjendjen ekologjike në vendin tonë por nuk e kanë të vështirë ta mësojnë atë meqë në të njëjtën mbledhje ka plotë studiues. Por si duket, kryeministri ynë i turpit dhe krimit, donte ta shtrembëronte realitetin për të gjeneruar ndonjë grant si 'lypsar' që është dhe për t`u paraqitur si “përparimtar” në çështjet ekologjike! 

*Përditësuar në datën 03 nëntor 2021

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA