...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Reagimet modeste ndaj shfuqizimit të politikave mjedisore në Amerikë

Plani i Presidentit Trump braktis qëllimin e administratës së mëparshme për të zvogëluar varësinë e Shteteve të Bashkuara ndaj qymyrit dhe për të pakësuar çlirimin e dioksidit të karbonit në vendit me një të tretën deri në vitin 2030. Në vend të kësaj, Presidenti Trump thotë se shtetet që prodhojnë qymyr, si Virxhinia Perëndimore, duhet të jenë në gjendje të vendosin kufijtë e tyre ndaj çlirimit të gazrave nga termocentralet me qymyr.

Voa

04/09/2018 - 08:40

Presidenti Donald Trump përmbushi premtimin e tij për të shfuqizuar rregullat e vendosura nga adminstrata e Presidentit Obama që kanë ashpërsuar kufizimet ndaj çlirimit të gazrave serrë. Presidenti Trump premtoi se kjo lëvizje do të çojë në hapjen e më shumë vendeve të punës për amerikanët dhe do të ndihmojë rritjen ekonomike. Propozimi i Presidentit Trump përfshin lehtësimin e kufizimeve për prodhimin e makinave të pastra dhe të energjisë së pastër.

Gushti nuk ka qenë muaj i mirë për ambientalistët. Së pari, administrata Trump propozoi shfuqizimin e standardeve të rrepta për makinat që përdorin më pak karburant dhe emetimit të gazrave, duke ia hequr shteteve si Kalifornia të drejtat për të vendosur standartet e tyre.

"Ne synojmë të paraqesim komentet për atë që besojmë se është një propozim i egër që shkel ligjin dhe dëmton interesat e popullit të këtij vendi për përmirësimin e cilësisë së ajrit", thotë Xavier Becerra, Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë. Por Presidenti Trump përsëriti qëndrimin e tij gjatë një tubimi të kohëve të fundit në Virxhinian Perëndimore, ku njoftoi planet për të shfuqizuar Planin për Energji të Pastër të administratës Obama.

"Panelet diellore mund të dëmtohen, por jo qymyri. Ju mund të bëni çfarë të doni me qymyrin".

Plani i Presidentit Trump braktis qëllimin e administratës së mëparshme për të zvogëluar varësinë e Shteteve të Bashkuara ndaj qymyrit dhe për të pakësuar çlirimin e dioksidit të karbonit në vendit me një të tretën deri në vitin 2030. Në vend të kësaj, Presidenti Trump thotë se shtetet që prodhojnë qymyr, si Virxhinia Perëndimore, duhet të jenë në gjendje të vendosin kufijtë e tyre ndaj çlirimit të gazrave nga termocentralet me qymyr.

Aktivistët e mjedisit kanë denoncuar propozimet, duke thënë se ato dërgojnë mesazhin e gabuar në botë.

"Makinat dhe termocentralet së bashku janë përgjegjës për shumicën e ndotjes nga karboni në vend. Shfuqizimi i rregullave për mbrojtjen e klimës dërgon në botë sinjalin se Amerika nuk do të jetë pjesë e përpjekjeve për të reduktuar ndotjen", thotë Tomas Carbonell nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit.

Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit e pranon se rritja e ndotjes nga ndryshimi i rregullave mund të çojë në 1400 vdekje të parakohshme më shumë çdo vit duke filluar në vitin 2030.

Por prodhuesit e qymyrit këmbëngulin se karburantet e prodhuara nga fosilet janë të nevojshme për sigurinë energjitike të vendit.

Jason Bostic, Shoqata e Prodhimit të Qymyrit në Virixhinian Perëndimore

"Unë mendoj se kemi kritikë jashtë kësaj industrie që janë jorealist në qëllimet e tyre për një ekonomi të ripërtëritshme, të ndërtuar mbi energjinë e erës, dëshira dhe përralla".

Nëse miratohet, propozimi i Presidentit Trump mund të mbajë në funksion për një kohë më të gjatë impiantet e qymyrit, duke mos i detyruar kompanitë të përmirësojnë kontrollet e ndotjes. Minatorët thonë se ndryshimi i rregullave do të mbajë më shumë prej tyre të punësuar.

"Më pëlqen gjithçka që ka bërë. Ai po i mban premtimet e tij të fushatës", thotë minatori Kevin Abbott nga Virxhinia Perëndimore.

Por ekspertët janë skeptikë se propozimi i Presidentit Trump vërtetë mund të shpëtojë vendet e punës në industrinë e qymyrit në aspektin afatgjatë.

"Gazi natyror është më i lirë, kostoja e energjisë së ripërtëritshme po bie. Pra, edhe pse ata po shfuqizojnë disa rregulla që kanë qenë më të ashpra ndaj industrisë së qymyrit, mendoj se industria e qymyrit është ende duke u përballur me disa sfida mjaft të rëndësishme", thotë Blair Beasley nga Qendra për Politikat Dypartiake.

Propozimet e administratës për të shfuqizuar standardet kundër ndotjes janë në përputhje me vendimin e Presidentit Trump për t'u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e nënshkruar më 2015. Marrëveshja, e cila synon zbutjen e efekteve të ngrohjes globale, u nënshkrua nga pothuajse çdo vend në botë, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA