...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia do të dërgojë më shumë raketa kundërajrore në Krime

Ushtria ruse tha të mërkurën se do të shtojë më shumë raketa kundërajrore në sistemin mbrojtës të vendosur në gadishullin e Krimesë së aneksuar nga Rusia

Voa

28/11/2018 - 13:29

Ushtria ruse tha të mërkurën se do të shtojë më shumë raketa kundërajrore në sistemin mbrojtës të vendosur në gadishullin e Krimesë së aneksuar nga Rusia. Ky veprim ndodhë në një periudhë tensionesh ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës pas një incidenti të ditës së diel, në të cilin forcat ruse kapën tri anije ukrainase dhe ekuipazhet e tyre në Detin e Zi.

Rusia akuzoi marinarët, që po drejtonin anijet e marinës ukrainase për hyrje të paligjshme në ujerat ruse dhe injorim të rojës bregdetare ruse, akuza këto që janë hedhur poshtë nga Ukraina. Të martën një gjykatë në Krime urdhëroi burgosjen prej dy muajsh për 12 nga 24 marinarët e kapur. Pjesa tjetër e grupit do të dalë para gjykatës të mërkurën. Ukraina shpalli ligjin e luftës në disa nga rajonet e saj kufitare,si përgjigje ndaj incidentit dhe i bëri thirrje perëndimit për më shumë sanksione ndaj Moskës. Presidenti, Petro Poroshenko, tha se shpallja e ligjit të luftës do të ndihmojë “forcimin e mundësive mbrojtëse të Ukrainës përballë agresionit nga Federata Ruse”.

Ai kërkoi nga Rusia të lirojë marinarët dhe anijet e kapura. Presidenti rus, Vladimir Putin, shprehu shqetësimin pas vendimit për shpalljen e ligjit të luftës dhe i tha kancelares gjermane, Angela Merkel, se ai shpreson që Gjermania do të ndikojë mbi Ukrainën që të shmangë çfarëdo “akti të pamatur”. Presidenti Putin pritet të takohet këtë javë me presidentin amerikan Donald Trump, në takimin e lartë të vendeve të G-20-tës në Argjentinë. Por, në një intervistë për Washington Post, presidenti Trump tha se “mbase nuk do të takohemi”. Ai tha se vendimi varet nga raporti i plotë mbi situatën duke shtuar se “nuk me pëlqen ai agresion”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të mërkurën se Rusia nuk ka marrë asnjë informatë për anulimin e takimit.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA