...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia i kujton perëndimorëve parimin e sigurisë evropiane dhe doktrinën ushtarake të Ukrainës

Ministria e jashtme ruse u shpërndau një letër ministrive të punëve të jashtme të SHBA-së, Kanadasë dhe disa vendeve evropiane duke përfshirë dhe ministrinë tonë, ku shqyrtohet parimi i “pandashmërisë së sigurisë evropiane”

SHJ

02/02/2022 - 19:33

Argumentin amerikan lidhur me të drejtën e shteteve për të zgjedhur sigurinë e tyre e kritikoi Putini kur Uashingtoni po përsëriste parashikimin e tij për pushtimin e Ukrainës nga Rusia ―dhjetë ditët e dyta të shkurtit― kur në Moskë shkoi kryeministri hungarez Viktor Orbani, i cili u akuzua për tradhëti nga kundërshtarët e tij në Budapest, dhe kur Putini bëri thirrje pas takimit me të për vazhdimin e bisedimeve me perëndimin. Ai shprehu shqetësimin lidhur me argumentin e Uashingtonit ―se kombet janë në të drejtën e tyre të lirë të zgjedhin sigurinë e tyre―se “SHBA-ja shpërnjeh një parim tjetër kyç të sigurisë evropiane i cili thotë se asnjë shtet nuk duhet të lejohet të rrisë sigurinë e tij në dëm të një tjetri”.

Ndërsa përsëriti premtimin e NATO-s ndaj Gorbaçovit ai shtoi dhe një shqetësim tjetër lidhur me Ukrainën: se ajo ka një doktrinë ushtarake që përfshin qëllimin për të rifituar kontrollin e Krimesë “duke përfshirë dhe mjetet ushtarake”. Nëse Ukraina anëtarësohet në NATO ajo mund të fillojë veprimet ushtarake në rajon dhe kjo mund të çojë në luftë mes Rusisë dhe NATO-s dhe Moska kërkon ta shmang këtë skenar, tha Putini.

Një ditë më pas ministria e jashtme ruse u shpërndau një letër ministrive të punëve të jashtme të SHBA-së, Kanadasë dhe disa vendeve evropiane duke përfshirë dhe ministrinë tonë, ku shqyrtohet parimi i “pandashmërisë së sigurisë evropiane”. Letra fillon me ndryshimet e kuptimit të parimit në fjalë mes SHBA-së, Nato-s dhe Rusisë. Ngaqë parimi është themeltar për gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë dhe do të përcaktojë të ardhmen e dialogut, ministria e jashtme ruse përpiqet ta sqarojë atë.

Karta për Sigurinë Evropiane e nënshkruar në mbledhjen e OSBE-së në Stamboll në nëntor të vitit 1999 shprehu qartë të drejtat dhe detyrimet kyçe të Shteteve të përfshira në OSBE lidhur me pandashmërinë e sigurisë. Ajo theksoi të drejtën e çdo shteti pjesëmarrës të jetë i lirë të zgjedhë ose ndryshojë marrëveshjet e sigurisë duke përfshirë traktatet e aleancave, ndërsa ato zhvillohen, gjithashtu dhe të drejtën e çdo Shteti për asnjanësi. Ky paragraf i Kartës kushtëzon drejtpërdrejt këto të drejta mbi detyrimet e çdo shteti jo të fuqizojë sigurinë e tij në dëm të sigurisë së shteteve të tjerë. Ai thotë se asnjë Shtet, grup shtetesh ose Organizatë nuk mund të ketë ndonjë përgjegjësi të dalluar për të mbajtur paqe dhe qendrueshmëri në zonën e OSBE-së ose mund të konsiderojë ndonjë pjesë të zonës së OSBE-së si sferën e tij të influencës.

Në mbledhjen e OSBE-së në Astana në dhjetor të vitit 2010, krerët e shteteve tanë miratuan një deklaratë e cila rivërtetoi këtë paketë të detyrimeve të ndërlidhura. Por vendet perëndimore, citon letra më tej, “vazhdojnë të kapin nga ky parim vetëm ato pjesë që i shkojnë për shtat atyre, dhe domethënë ― të drejtën e Shteteve për të qenë të lirë të zgjedhin aleanca për të siguruar vetëm sigurinë e tyre. Fjalët ‘ndërsa ata zhvillohen’ kapërcehen paturpësisht, sepse kjo klauzolë ishte gjithashtu pjesë integrale e kuptimit të ‘sigurisë së pandashmërisë’, dhe veçanërisht në kuptimin se aleancat ushtarake duhet të braktisin funksionin e tyre përfrikësues fillestar dhe të integrohen në tërë arkitekturën evropiane bazuar në qasje kolektive, se sa në grupe të ngushta.

Parimi i sigurisë së pandashme interpretohet përzgjedhshëm për të përligjur kursin aktual drejt ekspansionit të papërgjegjshëm të NATO-s. Del në dritë se si përfqësuesit perëndimorë, ndërsa shprehin gadishmërinë e tyre për t`u angazhuar në dialog mbi arkitekturën e sigurisë evropiane, qëllimshëm i shmangen Kartës për Sigurinë Evropiane dhe Deklaratës së Astanas në komentet e tyre. Ata përmendin vetëm dokumente të hershme të OSBE-së, veçanërisht shpesh ― se Karta e Parisit 1990 për një Evropë të re që nuk përfshin detyrimin e ‘pavolitshëm’ për mos fuqizimin e sigurisë në dëm të sigurisë së Shteteve të tjerë. Kryeqytetet perëndimore përpiqen gjithashtu të shpërnjohin një dokument kyç të OSBE-së ― Kodin e Sjelljes mbi Aspekte Politiko-Ushtarake të Sigurisë të vitit 1994, i cili qartësisht thotë se Shtetet do të zgjedhin marrëveshjet e tyre të sigurisë, duke përfshirë anëtarësinë në aleanca, ‘duke patur në mendje shqetësimet e drejta për sigurinë të Shteteve të tjerë’.

Thelbi i marrëveshjes mbi sigurinë e pandashme, shton letra, është se ose atje ka siguri për të gjithë ose s`ka siguri për asnjërin. Karta e Stambollit citon se çdo Shtet pjesëmarrës i OSBE-së ka të drejtë të barabartë në siguri, dhe jo vetëm vendet e NATO-s që e interpretojnë këtë të drejtë si një privilegj të veçantë të anëtarësisë në klubin ‘ekskluziv’ të Atlantikut Verior. Letra nuk shkon në çështje të tjera lidhur me Nato-n, e cila, si organizatë e sheh veten ushtarakisht supremaciste dhe anashkalon prerogativat e Këshillit të Sigurisë në OKB... dhe pret nga shtetet evropaine të kenë qendrim besëplotë lidhur me zotimet e tyre në raport me parimin e sigurisë evropiane.               

Për më shumë këtu

“Shahmati” i Putinit ndaj perëndimit dhe variantet e Moskës dhe Uashingtonit

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA