...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia i kundërpërgjigjet NATO-s me teste raketore

Rusia planifikon të testojë disa raketa përreth rajonit të gadishullit Skandinav këtë javë, pikërisht në një zonë ku aleanca perëndimore e NATO-s është duke zhvilluar stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që prej fundit të Luftës së Ftohtë, në një lëvizje që shihet si një përshkallëzim tensionesh në veri të Europës.

Top Channel

30/10/2018 - 18:47

“Jemi njoftuar javën e kaluar mbi testet e planifikuara raketore të Rusisë, pranë brigjeve të këtushme”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për reporterët e pranishëm në Norvegjinë perëndimore, aty ku po zhvillohet edhe stërvitja e quajtur “Trident Juncture 18”.

Stërvitja ka për qëllim të trajnojë aleancën e Atlantikut të Veriut të mbrojë një vend anëtar, në rastin e një agresioni hipotetik.

Duke mobilizuar rreth 50 mijë trupa, 65 anije dhe 250 avionë nga 31 vende, vetëm pak qindra kilometra nga kufiri mes Norvegjisë dhe Rusisë në Arktik, stërvitja ka irrituar së tepërmi Moskën, e cila është zotuar të “hakmerret”.

Ushtria ruse njoftoi javën e kaluar se do të dërgojë 4 anije në Atlantikun e Veriut për stërvitjen e saj. “Rusia ka një prani domethënëse të forcave detare në këtë zonë, – tha Stoltenberg këtë të martë. – Pres që Rusia të sillet në një mënyrë profesionale”.

“Pavarësisht përpjekjeve të vështira nga përfaqësues të aleancës dhe shtetet anëtare të saj, për ta prezantuar këtë aktivitet ushtarak me natyrë mbrojtëse, është më se e qartë se kjo shfaqje force është me natyrë antiruse”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA