Rusia i përgjigjet SHBA-së dhe Nato-s: ose përmbaju traktateve të sigurisë për të gjithë ose përballesh ushtarakisht
Për të shpërshkallëzuar gjendjen perëndimi duhet të bindë Kievin të zbatojë masat e pajtuar në Minsk, të ndalojë të dërgojë trupa në Ukrainë, të tërheqë gjithë këshilltarët dhe instruktorët e tij, të ndalojë ushtrimet e Nato-s dhe ushtrisë ukrainase, dhe të tërhiqen gjithë armët e huaja që i janë dhënë Kievit më parë
SHJ
18/02/2022 - 16:36
Siç edhe pritësh, Kremlini u hodh në “kundërsulm” pas përgjigjes refuzuese të SHBA-ve dhe Nato-s: ai publikoi (kundër)përgjigjen. Thelbi i përgjigjes është se Rusia mund të përgjigjet me “masa ushtarako-teknike” për të siguruar sigurinë e saj. Në përgjigjen prej 10 faqesh të publikuar nga ministria e jashtme ruse të enjten, thuhet se SHBA-ja dhe aleatët e saj refuzuan t`i kushtohen “vijave të kuqe” ruse dhe interesave kyçe të sigurisë.
Në të theksohet edhe një herë se nuk do të ketë “pushtim ushtarak” në Ukrainë as ka ndonjë plan. Akuzat e SHBA-s dhe aleatëve të saj mund të shihen vetëm si një përpjekje që të shtrëngohet Moska dhe të hedhë poshtë propozimet ruse për garanci sigurie, duke e quajtur konfliktin në Ukrainë “tërësisht të brendshëm”. Konflikti mund të shihet, argumenton Moska, përmes zbatimit të marrëveshjes së Minskut dhe masat e paraqitura atje. Vendimi (ose rezoluta) e Këshillit të Sigurisë 2022 e quan Kievin dhe rajonin e Donetskut dhe Luganskut si palë ndërsa Rusia është ndërmjetësuese bashkë me Francën dhe Gjermaninë në të ashtuquajturin “Formati i Normandisë”.
Për të shpërshkallëzuar gjendjen perëndimi duhet të bindë Kievin të zbatojë masat e pajtuar në Minsk, të ndalojë të dërgojë trupa në Ukrainë, të tërheqë gjithë këshilltarët dhe instruktorët e tij, të ndalojë ushtrimet e Nato-s dhe ushtrisë ukrainase, dhe të tërhiqen gjithë armët e huaja që i janë dhënë Kievit më parë.
Për Krimenë, Moska thotë se rasti është i ‘mbyllur’, sepse Rusia nuk e pushtoi atë, por ishte rezultat i proceseve të brendshme të vendit, më konkretisht, të grushtit të shtetit të mbështetur nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, “bërësit e të cilit filluan ndërtimin e një shteti nacionalist duke shkelur të drejtat e rusëve etnik dhe popullit rusofon, gjithashtu dhe kombeve të tjerë”, thuhet në të. Në këto kushte rajoni i Krimesë dhe qyteti i Sevastopolit mbajti një referendum për t`iu bashkuar Rusisë në përputhje me të drejtën e garantuar të OKB-së për vetëvendosje.
Ndërsa kërkon tërheqjen e SHBA-së nga kufiri rus politika e Nato-s e ‘dyerve të hapura’ shkel zotimet e vetë Nato-s të bëra në korrik, 1991, për mos rrezikimin e interesave legjitime të shteteve të tjerë ose të krijojë linja të reja ndarje në Evropë. Politika e saj gjithashtu nuk pajtohet me parimin e pandashmërisë së sigurisë ndaj të cilit SHBA-ja zotohet në traktatet që themeluan OSBE-në, domethënë, “jo të fuqizojë sigurinë e saj në dëm të të tjerëve”. “Ne i bëjmë thirrje SHBA-së dhe Nato-s të kthehen në detyrimet e tyre ndërkombëtare në sferën e mbështetjes së paqes dhe sigurisë. Ne presim nga aleanca propozime konkrete mbi formën dhe përmbajtjen e garancive ligjore se Nato-ja nuk do të zgjerohet më tej në lindje”, thuhet në përgjigje.
Moska dëshiron siguri të pandashme për të gjithë dhe jo vetëm për Nato-n duke akuzuar SHBA-në e cila refuzon të braktisë “kursin e saj kundërproduktiv dhe destabilizues”, duke kërkuar avantazhe për veten dhe aleatëve të saj në dëm të interesave të sigurisë ruse ndërsa kërcënon kufijtë e Rusisë.
Sipas Moskës, e drejta e vendeve për të “zgjedhur lirshëm ose ndryshojnë marrëveshjet e tyre të sigurisë, duke përfshirë aleanca të reja”, të cilin citon SHBA-ja, nuk është absolut, por është vetëm gjysma e formulës e përfshirë në traktatet evropiane të sigurisë, të cilin Uashingtoni e kapërcen. Përgjigjja përfundon me theksimin se Rusia kërkon nga SHBA-ja dhe Nato-ja të ndalojë dislokimin e armëve bërthamore në Evropë dhe i quan kërcënimet dhe ultimatumet me sanksione të “papranueshme” dhe se shkelja e ‘vijave të kuqe’ ruse do ta detyrojë Moskën të përgjigjet përmes masave të natyrës ‘ushtarako-teknike'.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 847 reads



