...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia sfidon Amerikën në Venezuelë: krijon qendër trajnimi për pilotët ushtarakë

Qendra në fjalë u inaugurua ditën e enjte, në të njëjtën kohë kur Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Moskën dhe vendet e tjera që mbështesin Maduron, të mos dërgojnë njësi dhe paisje ushtarake

Voa

03/04/2019 - 15:49

Si forma më e fundit e mbështetjes për Presidentin Nicolas Maduro, Rusia ka hapur një qendër trajnimi në Venezuelë për të ndihmuar pilotët vendas në drejtimin e helikopterëve të prodhuar në Rusi. Lajmi u njoftua sot nga korporata shtetërore ruse "Rostec".

"Rostec" shtoi se qendra në fjalë u inaugurua ditën e enjte, në të njëjtën kohë kur Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Moskën dhe vendet e tjera që mbështesin Maduron, të mos dërgojnë njësi dhe paisje ushtarake, pasi veprime të tilla shikohen si një "kërcënim i drejtpërdrejtë" për sigurinë e rajonit.

Uashingtoni, që mbështet udhëheqësin e opozitës venezueliane, Juan Guaido, e bëri paralajmërimin pasi dy avionë të forcave ajrore ruse u ulën në një aeroport pranë kryeqytetit venezuelian Karakas. Në bord ishte një kontigjent me mbi 100 ushtarakë rusë, të cilët Kremlini i përshkroi si specialistë ushtarakë.

Korporata "Rostec" tha se qendra e re e trajnimit, vendndodhja e të cilës nuk është bërë e ditur, u ndërtua nëpërmjet ndihmës së specialistëve rusë dhe se synon trajnimin e pilotëve venezuelianë për drejtimin e helikopterëve luftarakë Mi-35M, si dhe të helikopterëve të tjerë të transportit ushtarak, të prodhuar në Rusi.

Qendra e trajnimit u krijua bazuar mbi një kontratë me kompaninë shtetërore venezueliane për prodhimin e armëve, CAVIM. Korporata shtetërore ruse "Rostec" shtoi se dëshiron thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dhe teknik me Ministrinë e Mbrojtjes së Venezuelës.

Rusia, e cila ka furnizuar Venezuelën edhe me avionë luftarakë, tanke dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, ka hedhur poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin ushtarak me Karakasin, duke thënë se nuk po ndërhyn në punët e brendshme të këtij vendi të Amerikës Latine dhe se nuk përbën kërcënim për stabilitetin rajonal.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se "Rusia duhet të largohet nga Venezuela" dhe se "të gjitha opsionet" janë të hapura për ta shtrënguar Rusinë të ulë ndihmën ndaj Maduros, duke rritur kështu gjasat për sanksione të mëtejshme amerikane ndaj Moskës.   

Kërkohet heqja e imunitetin të zotit Guaido

Kryetari i Gjykatës së Lartë në Venezuelë u ka kërkuar ligjvënësve të atij vendi që t’i heqin imunitetin parlamentar udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, përpjekje këto që mund t’i hapin rrugën mundësisë së arrestimit të tij.

Gjykatësi Maikel Moreno akuzoi zotin Guaido se kishte shkelur një vendim të Gjykatës së Lartë për të mos u larguar nga vendi, ndërsa ai vizitoi disa vende të Amerikës së Jugut për të konsoliduar mbështetjen rajonale ndërsa kërkon të rrëzojë Presidentin Nicolas Maduro.

Duke folur për mbështetësit të hënën, zoti Guaido tha se ai nuk i druhet arrestimit ndërsa vuri në lojë përpjekjet e qeverisë për ta diskredituar atë.

“Një grup i vogël njerëzish të dhunshëm duan të ngjallin frikën mes nesh. Pavarësisht kërcënimeve nga Gjykata e Lartë, unë jam këtu me ju. Jemi në një rrugë të qartë për t’i dhënë fund uzurpimit, për një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të lira”- tha udhëheqësi i opozitës.

Gjatë fjalimit, mbështetësit e zotit Guaido u sulmuan me gaz lotësjellës por nuk është e qartë se kush ishte autori.

Në muajin janar, zoti Guaido bazuar në kushtetutën e vendit mori drejtimin e përkohëshëm si presidenti i vendit, duke argumentuar se rizgjedhja e zotit Maduro në vitin 2018 ishte e paligjshme. Zoti Guaido është njohur si udhëheqës legjitim i Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera.

Ndërkohë udhëheqësi 35 vjeçar i opozitës ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave pasi presidenti Maduro njoftoi një plan 30 ditor për racionimin e energjisë elektrike. Zoti Maduro tha në një fjalim të dielën se shkollat do të mbylleshin dhe kohëzgjatja e ditës së punës do të shkurtohej për të kursyer energji elektrike gjatë periudhës 30 ditore.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA