Rusia ul pragun e përdorimit të armëve bërthamore dhe përfshin në listë vendet aleate të fuqive bërthamore perëndimore (dhe Shqipërinë)
Doktrina e re ul pragun e përdorimit të armëve bërthamore dhe zgjeron kategorinë e shteteve që i nënshtrohen përfrikësimit bërthamor, por vetëm kur Rusia e gjen veten nën një kërcënim “kritik” nga armët konvencionale dhe jokonvencionale, nga fuqi bërthamore dhe fuqi jobërthamore, duke vepruar së bashku kundër Rusisë
Ylli Përmeti
26/09/2024 - 08:54
Debati prej më shumë se një viti mbi doktrinën bërthamore ruse dhe dinamika e luftës në Ukrainë e shtyn Putinin të njoftojë “në fund të shtatorit” se ai po rishikonte “doktrinën bërthamore të Rusisë” përpara se ta nënshkruante atë. Doktrina u “përshtat” nga specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme, Aparatit të Këshillit të Sigurimit dhe agjencive të tjera qeveritare gjatë kohës që zhvillohej debati.
“Dokumenti i rishikuar ka një listë më të gjerë të vendeve dhe aleancave ushtarake që i nënshtrohen përfrikësimit bërthamor”, ndërsa shton “më shumë hyrje në listën e kërcënimeve ushtarake, neutralizimi i të cilave kërkon përfrikësim bërthamor”.
Doktrina e rishikuar përcakton se “agresioni kundër Rusisë nga një vend jo-bërthamor, por me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një vendi bërthamor, u propozua të shihej si sulm i përbashkët ndaj Rusisë”.
‘Agresioni’ në fjalë bazohet në gjykimin e ”të dhënave të besueshme për një ngritje masive të avionëve strategjikë ose taktikë drejt Rusisë, ose lëshimi i raketave lundruese (kruiz), dronëve, armëve hipersonike drejt territorit të saj mund të shihen si arsye e mjaftueshme për një përgjigje bërthamore nga Moska”. Ajo përfshin aleatin e Rusisë, Bjellorusinë, ndërsa shton se “kërcënimi kritik ndaj sovranitetit rus me armë konvencionale do të jetë i mjaftueshëm për një përgjigje bërthamore”.
Doktrina e re, me fjalë të tjera, ul pragun e përdorimit të armëve bërthamore dhe zgjeron kategorinë e shteteve që i nënshtrohen përfrikësimit bërthamor, por vetëm kur Rusia e gjen veten nën një kërcënim “kritik” nga armët konvencionale dhe jokonvencionale, nga fuqi bërthamore dhe fuqi jobërthamore, duke vepruar së bashku kundër Rusisë. Hamendësisht, vende si vendi im, do të jenë subjekt i sulmit bërthamor të Rusisë.
Qëllimi i Putinit është i qartë: ai synon t`i japë fund luftës në Ukrainë me mjete konvencionale dhe të ndalojë fuqitë perëndimore që të lejojnë Kievin të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë. Ky është një skenar ose një paralajmërim i drejtpërdrejtë për fuqitë perëndimore dhe aleatët e tyre që ose të braktisin luftën dhe të pranojnë humbjen e tyre në Ukrainë ose të përballen me një luftë bërthamore botërore, përmes së cilës, siç kam treguar në këtë studim, Rusia do të fitojë përsëri dhe fuqitë perëndimore do të mposhten.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 65 reads