Sanksioneve amerikane Rusia u përgjigjet me sanksione më të ashpra
Sanksionet synojnë mesa duket t'i dërgojnë një mesazh të qartë ndëshkues Rusisë dhe të parandalojnë veprime të ngjashme në të ardhmen
Voa
15/04/2021 - 19:58
Shtëpia e Bardhë njoftoi dëbimin e 10 diplomatëve rusë dhe një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë. Masat vijnë në përgjigje të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, si dhe piraterimit të agjencive qeveritare amerikane.
Masat e njoftuara të enjten përfshijnë sanksione ndaj gjashtë kompanive ruse që mbështesin veprimtaritë kibernetike të vendit, përveç sanksioneve ndaj 32 individëve dhe entiteteve të akuzuara për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, duke përfshirë shpërndarjen e dezinformimit. Dhjetë diplomatët që po dëbohen përfshijnë përfaqësues të shërbimeve ruse të inteligjencës, tha Shtëpia e Bardhë.
Për herë të parë, SHBA e lidhi drejtpërdrejt këtë ndërhyrje me njërin nga shërbimet ruse të zbulimit. Presidenti Joe Biden tha se përpjekjet e Rusisë për të minuar zgjedhjet e lira në SHBA dhe në vende të tjera si dhe aktiviteti i saj keqdashës kibernetik, përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë amerikane.
Sanksionet, të paralajmëruara prej shumë javësh nga administrata, janë kundërpërgjigjja e parë që administrata e Presidentit Biden njofton kundër Kremlinit për sulmin ndaj kompanisë SolarWinds. Një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse tha se sanksionet amerikane janë kundër interesave të dy vendeve. Ajo tha se përgjigjja e Rusisë do të jetë e pashmangshme.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se Biden po përdorte kanale diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës për t'iu përgjigjur raporteve se Rusia inkurajoi talibanët për të sulmuar trupat amerikane dhe ato aleate në Afganistan, bazuar në vlerësimet e komunitetit të inteligjencës.
Nuk është ende e qartë se çfarë veprime të tjera mund të planifikohen kundër Rusisë. Zyrtarët kishin thënë më parë se ata do të ndërmerrnin veprime që duken dhe që nuk duken. Sanksionet synojnë mesa duket t'i dërgojnë një mesazh të qartë ndëshkues Rusisë dhe të parandalojnë veprime të ngjashme në të ardhmen.
Presidenti Joe Biden i tha Presidentit Putin në një telefonatë këtë javë se Shtetet e Bashkuara do të "veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë".
Ndërhyrja ndaj SolarWinds, u dha hakerëve qasje në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që përdorin produktet e saj. Sanksionet pritet të thellojnë ftohjen e marrëdhënieve tashmë të akullta midis Uashingtonit dhe Moskës, e cila ka vënë në provë durimin e perëndimit me grumbullimet ushtarake afër kufirit me Ukrainën.
Me sanksionet e reja Shtetet e Bashkuara gjithashtu ndëshkojnë Moskën lidhur me aludimet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020. Në një raport të publikuar muajin e kaluar, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se Presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë urdhëruar një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish presidentit Trump.
Ky hap i Uashingtonit ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet në një marrëdhënie që ra në një nivel të ri të ulët, pas komenteve të presidentit Biden, kur ai tha ai mendonte që Putini ishte një "vrasës". Në një bisedë telefonike të martën, presidenti Biden i tha presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara do të vepronin "me vendosmëri” për të mbrojtur interesat e tyre.
Presidenti Biden gjithashtu propozoi një takim me presidentin Putin "në një vend të tretë" që të mund t'u lejonte udhëheqësve të gjejnë hapësira për të punuar së bashku.
Masat gjithëpërfshirëse kanë për qëllim të ndëshkojnë Rusinë për veprimet që zyrtarët amerikanë thonë se kanë patur në shënjesër zemrën e demokracisë amerikane dhe për të parandaluar aktet e ardhshme duke imponuar kosto ekonomike mbi Moskën, përfshirë aftësinë e saj për të marrë hua.
“Nuk mund të lejojmë fuqitë e huaja të ndërhyjnë në procesin tonë demokratik me pandëshkueshmëri. Dhe unë i thashë atij (Putinit) se nëse del ajo që unë kam menduar mbi angazhimin e tyre në zgjedhjet tona, unë do të përgjigjem. Kur biseduam në fillim të kësaj jave, unë i thashë atij se brenda një kohe të shkurtër ne do të përgjigjemi me masa proporcionale sepse ne kemi arritur në përfundimin se ata (rusët) kanë ndërhyrë në zgjedhje dhe sulmi kibernetik ndaj kompanisë Solar Wind ishte i papërshtatshëm”, tha Presidenti Biden në fjalimin që mbajti të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Për këtë arsye, Presidenti Biden tha se ai ka autorizuar disa veprime kundër Moskës, përfshirë dëbimin e disa zyrtarëve rusë.
"Unë gjithashtu kam nënshkruar një urdhër ekzekutiv që autorizon masa të reja, duke përfshirë sanksione, për të trajtuar veprimet specifike të dëmshme që Rusia ka ndërmarrë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Unë isha i qartë me Presidentin Putin se mund të kishim shkuar më tej, por unë vendosa të mos e bëja këtë. Unë zgjodha të jem proporcional", tha Presidenti Biden.
Sanksionet pritet të rrisin tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila ka premtuar se do të përgjigjet me veprime hakmarrëse.
Hakmarrja ruse
Moska njoftoi të premten se do të ndalojë hyrjen në Rusi të tetë zyrtarëve të lartë të administratës aktuale si dhe administratave të mëparshme amerikane. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse përmendej emri i Drejtorit të FBI-së Christopher Wray, Drejtoreshës së Zbulimit Kombëtar Avril Haines, Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland dhe Sekretarit të Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas.
Në listën e sanksioneve përfshihej gjithashtu edhe Drejtori i Byrosë Federale të Burgjeve Michael Carvajal, Drejtoresha e Këshillit për Politikën e Brendshme Susan Rice, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe ish-kreu i CIA-s Robert James Woolsey.
Më herët Moska njoftoi se do të dëbojë 10 diplomatë amerikanë duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë një serie sanksionesh të reja amerikane. Rusia tha se do të ndërmarrë edhe hapa të tjera hakmarrëse, në një përballje të tensionuar me Uashingtonin.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha gjithashtu se Moska do të marrë masa për të kufizuar dhe ndaluar aktivitetet e organizatave joqeveritare amerikane nga ndërhyrja në politikën e Rusisë. Ai tha se Kremlini sugjeron që ambasadori amerikan John Sullivan të ndjekë shembullin e homologut të tij rus dhe të kthehet në SHBA për konsultime.
Rusia gjithashtu do të marrë masa për t’i mohuar ambasadës së SHBA mundësinë që të punësojë personel nga Rusia dhe vendet e treta në cilësinë e personelit mbështetës. Këto hapa pasojnë sanksionet ndaj Rusisë të njoftuara këtë javë nga administrata Biden.
SHBA zotërojnë fuqinë për të gjymtuar ekonominë ruse, ndërsa Moskës i mungojnë mekanizamt për t'u përgjigjur me të njëjtën monedhë, megjithëse potencialisht ajo mund të dëmtojë interesat amerikane në botë në shumë aspekte të tjera.
Ministri Lavrov vuri në dukje se ndërsa Rusia mund të merrte "masa të dhimbshme" kundër interesave të biznesit amerikan në Rusi, ajo nuk do ta bënte menjëherë këtë. Rusia mohon se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-s dhe përfshirjen në sulmin ndaj agjencive federale të SHBA përmes firmës SolarWind, aktivitete, të cilave SHBA iu përgjigj me sanksione ditët e fundit.
Ministria e Jashtme ruse kishte paralajmëruar një hakmarrje "të pashmangshme", duke akuzuar se "Uashingtoni duhet ta kuptonte se do të paguajë një çmim për degradimin e marrëdhënieve dypalëshe".
Shtetet e Bashkuara urdhëruan të enjten dëbimin e 10 diplomatëve rusë. Ajo vuri në shënjestër dhjetra kompani dhe persona si dhe vendosi kufizime të reja ndaj aftësive të Rusisë për të marrë hua.
Potenciali ekonomik i Rusisë dhe shtrirja e saj globale janë të kufizuara në krahasim me Bashkimin Sovjetik që konkurroi me SHBA për ndikim ndërkombëtar gjatë Luftës së Ftohtë. Megjithatë, arsenali bërthamor i Rusisë dhe ndikimi i saj në shumë pjesë të botës e bëjnë atë një fuqi të cilën Uashingtoni nuk mund ta injorojë.
I vetëdijshëm për këtë, Presidenti Joe Biden bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe e ka mbajtur derën të hapur për bashkëpunim me Rusinë në aspekte të caktuara. Ai tha se i kishte deklaruar Presidentit rus Vladimir Putin në një telefonatë të martën se kishte zgjedhur të mos impononte sanksione më të ashpra tani për tani dhe propozoi të takohej me udhëheqësin rus në një vend të tretë gjatë verës.
*Përditësimi do të vijojë...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 26 reads



