...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Senati amerikan hodhi poshtë Marrëveshjen e Re të Gjelbër mes debatesh

Marrëveshja e re e gjelbër është një propozim jo i detyrueshëm ligjor që synon të largojë Shtetet e Bashkuara nga nafta, gazi natyror dhe qymyri tek burimet e ripërtëritshme të energjisë, duke përfshirë energjinë e erës dhe të diellit

Voa

28/03/2019 - 15:55

Senati amerikan i udhëhequr nga republikanët votoi të martën mbrëma kundër shqyrtimit të Marrëveshjes së Re të Gjelbër të mbështetur nga demokratët. Fjala është për një plan ambicioz që synon të eliminojë karburantet fosile në Shtetet e Bashkuara, si faktor që çon në ndryshimet e klimës.

57 senatorët republikanë votuan kundër atij që njihet si propozimi i gjelbërt. 43 demokratë thjesht konfirmuan praninë kur u thirrën emrat e tyre, duke refuzuar të merrnin pjesë në atë që ata thane se ishte një votim republikan.

"Ka ardhur koha për ide të reja, jo ideologji të vjetër, koha për një hulumtim inovativ, jo retorikë të lodhur, koha për novacion shkencor, jo lojra politike" tha senatorja demokrate Elizabeth Warren që garon për të marrë emërimin e partisë si kandidate presidenciale.

"Ky propozim është utopik, destinacion i paarritshëm, pa hollësi se si të mund të realizohet", tha senatori republikan nga Teksasi John Cornyn.

Marrëveshja e re e gjelbër është një propozim jo i detyrueshëm ligjor që synon të largojë Shtetet e Bashkuara nga nafta, gazi natyror dhe qymyri tek burimet e ripërtëritshme të energjisë, duke përfshirë energjinë e erës dhe të diellit.

Shkencëtarët pajtohen gjerësisht se djegia e karburanteve fosile po bën që globi të bëhet më i ngrohtë në mënyrë artificiale. Sondazhet tregojnë se shumë votues amerikanë janë gjithashtu të shqetësuar për pasojat e ndryshimeve klimatike. 

Por Senati diskutoi për ndryshimet klimatike

Megjithë humbjen, aktivistët mjedisorë gjetën arsye për të shprehur gëzimin e tyre.

"Ne jemi të kënaqur që kjo çështje u shtrua për debat në Senatin e Shteteve të Bashkuara; debati për ndryshimet klimatike është penguar për disa kohë," i tha Zërit të Amerikës Nënpresidentja për Çështjet Politike të Fondit për Mbrojtjen e Mjedisit, Elizabeth Gore.

Ndërsa u përpoq që Rezoluta e Klimës të mos miratohej, udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell pranoi se ngrohja globale është një kërcënim i vërtetë, në ndryshim nga presidenti Donald Trump, i cili në mënyrë të përsëritur i ka hedhur poshtë paralajmërimet e shkencëtarëve si "mashtrim".

I pyetur nga gazetarët të martën nëse ai beson se ndryshimi i klimës shkaktohet nga njeriu, zoti McConnell, ligjvënës republikan i Kentakit, tha: "Po, besoj. Por çështja është, si duhet trajtuar?"

Republikanët e kritikuan ashpër Marrëveshjen e re të Gjelbërt si një ëndërr socialiste, duke argumentuar se eliminimi i motorrëve me djegie të brendshme brenda një dekadë, do ta shkatërronte ekonominë e SHBA dhe do të ndryshonte tërësisht mënyrën e jetesës të shumë amerikanëve. "Ne kemi nevojë për traktorë,kemi nevojë për autokombajna, kemi nevojë për kamionë për ta transportuar grurin: të gjitha këto do të jenë shumë të vështira duke eliminuar teknologjinë e tanishme me karburant", tha senatori i Dakotës së Jugut, John Thune.

Në vend të ndërhyrjes së kushtueshme nga qeveria, republikanët bënë thirrje për zhvillimin e novacioneve në këtë fushë.

"Ne duhet të shfrytëzojmë studimet dhe teknologjinë amerikane për t'i siguruar pjesës tjetër të botës mjetet për krijimin e energjisë me kosto të ulët dhe që shkakton më pak ndotje", tha senatori republikan i shtetit Tenësi Lamar Alexander, duke bërë të njohur një propozim për të dyfishuar fondet federale për studime dhe projekte energjetike që shkaktojnë më pak, ose aspak ndotje.

Por demokratët e Senatit thanë se këto hapa të republikanëve janë minimale dhe të vonuara. Duke vënë në dukje pranimin nga zoti McConnell të ndryshimeve klimatike, udhëheqësi demokrat i pakicës në Senat, ligjvënësi i Nju Jorkut Chuck Schumer u shpreh me sarkazëm, "Lavdi Zotit. Ai tha "Po". Të tjerë ligjvënës demokratë kritikuan një strategji që synon vetëm novacionet për t'iu kundërvënë ngrohjes globale.

Nga ana e saj, Nënpresidentja për Çështjet Politike të Fondit për Mbrojtjen e Mjedisit Elizabeth Gore, tha se çdo diskutim dypartiak për ndryshimet klimatike përbën një hap përpara.

"Të pranosh ekzistencën e një problemi është hapi i parë për zgjidhjen e tij," tha ajo. "Mitch McConnell ka pranuar diçka që nuk është përqafuar plotësisht nga anëtarët e partisë së tij vitet e fundit. I mirëpres zërat e rinj në tryezën e diskutimeve," tha ajo.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se amerikanët po shqetësohen gjithnjë e më shumë për pasojat e ndryshimeve klimatike; një sondazh i kohëve të fundit i Agjencisë Reuters zbuloi që 72 për qind e publikut amerikan e shohin si kërcënim ngrohjen globale.

"Mendoj se nga ato që pamë në Senat këtë javë ishte se të dyja palët (republikanët dhe demokratët) reaguan ndaj ndryshimeve klimatike, duke iu përgjigjur një mjedisi më të gjerë politik", tha analisti politik Molly Reynolds i Institutit "Brookings" në Uashington. "Nëse Kongresi ka potencialin për të vepruar ndaj një legjislacioni në shkallë të gjerë për klimën, thuajse me siguri, që do të ketë nevojë për një mbështetje dypartiake"- tha ai.

Por analisti politik Reynolds shtoi se perspektivat për legjislacionin gjithëpërfshirës tani për tani janë të zbehta. Pas bllokimit të debatit mbi Marrëveshjen e re të Gjelbër, Senati filloi diskutimin mbi një projekt-ligj për financimin federal për komunitetet amerikane të goditura nga fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën, si uraganet, zjarret dhe përmbytjet. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA