...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Senati çliron Trampin për të goditur Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump e fillon javën i mbështetur nga veprimi i Senatit që në mënyrë indirekte pohoi lirinë e tij për të urdhëruar sulme ushtarake kundër Iranit

Voa

02/07/2019 - 08:26

Mes tensioneve të shtuara midis Uashingtonit dhe Teheranit, Presidenti amerikan Donald Trump e fillon javën i mbështetur nga veprimi i Senatit që në mënyrë indirekte pohoi lirinë e tij për të urdhëruar sulme ushtarake kundër Iranit. Në fund të javës së kaluar, Senati hodhi poshtë një përpjekje për ta detyruar presidentin Trump të merrte miratimin e Kongresit për çdo veprim ushtarak kundër vendit islamik.

Votimi i së premtes ishte një lloj fitoreje për administratën Trump. Për të qenë të qartë, Senati nuk miratoi ndonjë veprim ushtarak kundër Iranit pas rrëzimit të një avioni ushtarak amerikan pa pilot mbi ngushticën e Hormuzit. Në fakt, ligjvënësit hodhën poshtë një kërkesë për të frenuar autoritetin e presidentit për të sulmuar Iranin.

Përkrahësit e masës argumentuan se është në dorë të Kongresit të miratojë veprime të tilla.

“Kongresi është ai që miraton ose refuzon luftërat dhe pikë”, tha senatori Chuck Schumer.

"Ky amendament thotë: ne nuk do të shkojmë në një luftë të paautorizuar me Iranin. Nëse presidenti dhe anëtarët e këtij organi mendojnë se ne duhet të ndërmarrim masa ushtarake kundër Iranit, atëherë le të debatojmë dhe të votojmë", tha senatori demokrat Tom Udall.

Kundërshtarët e quajtën propozimin një gabim që do të inkurajonte Teheranin.

"Ky amendament mishëron hezitimin, dobësinë, druajtjen ... Kjo ka të bëjë me përpjekjen për t’i lidhur duart komandantit të përgjithshëm që atyre nuk u pëlqen, në kohën kur një vend i huaj po vë në shënjestër avionët dhe ushtarakët tanë", tha senatori republikan Tom Cotton.

"Mendojeni pak këtë: Irani rrëzon një avion amerikan. Dhe çfarë nxiton të bëjë Senati amerikan? Ai nxiton të votojë në një mënyrë të paqartë për të kufizuar pasojat ushtarake për Iranin. Kjo është thjesht e paimagjinueshme", tha senatori republikan Mitt Romney.

Shumë republikanë vunë në dukje qëndrimin e përmbajtur të presidentit Trump në përgjigjen ndaj Iranit. Presidenti anuloi një sulm ushtarak hakmarrës për rrëzimin e avionit dhe në vend të kësaj nxiti sanksione kundër Teheranit dhe dislokoi forca shtesë amerikane në Lindjen e Mesme.

"E vetmja gjë që administrata ka bërë, kur bëhet fjalë për përdorimin e forcës, është të sigurojë që kemi anije, avionë, personel dhe mjete të mjaftueshme në Lindjen e Mesme, në mënyrë që nëse sulmohemi, mund të përgjigjemi. Kjo është e vetmja gjë që ata kanë bërë", tha senatori republikan Marco Rubio.

Demokratët nuk ishin të kënaqur.

"Populli amerikan është i shqetësuar, dhe me të drejtë, pasi edhe nëse presidenti nuk është i etur për luftë, ai mund të na çojë në luftë. Provokimet e vogla në Lindjen e Mesme shpesh mund të dalin jashtë kontrollit. Vendi ynë e ka mësuar këtë nga përvoja të vështira", tha senatori demokrat Chuck Schumer.

Kongresi autorizoi veprime ushtarake në Afganistan në vitin 2001. Një vit më vonë, autorizoi luftën në Irak. Qysh atëherë, Kongresi nuk e ka ushtruar autoritetin e tij mbi përdorimin e forcës, një fakt që i shqetëson disa ligjvënës.

"Ata që votojnë kundër amendamentit, janë në thelb duke i dhënë dritën jeshile presidentit për të bërë luftë kudo, kundër kujtdo. Dhe kjo nuk është një fuqi që duhet t'i japim këtij presidenti apo ndonjë presidenti tjetër", tha senatori demokrat Tim Kaine.

Ligjvënës të tjerë shohin rrezik se Kongresi i lidh duart presidentit në një kohë të vështirë.

“Ka një arsye përse kemi një komandant të përgjithshëm dhe jo 535”, tha senatori republikan Tom Cotton.

Trumpi nuk ka përjashtuar veprime ushtarake kundër Iranit, dhe së fundmi tha në Twitter: "Çdo sulm i Iranit mbi çdo gjë amerikane do të marrë përgjigje të fortë dhe dërrmuese. Në disa zona, kjo do të thotë zhdukje." 

Irani njofton tejkalimin e rezervave të uranimut të pasuruar

Irani njoftoi të hënën se ka tejkaluar kufirin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar në nivel të ulët, për të cilin ra dakord në marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 që synonte frenimin e zhvillimit prej tij të armëve bërthamore.

Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif i tha agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve ISNA, se "Irani e ka kaluar kufirin prej 300 kilogramësh", të rezervës së këtij lloj uraniumi.

Besohet se kjo është hera e parë që Irani shkel një nga dispozitat e marrëveshjes me gjashtë fuqitë botërore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e cila u nënshkrua në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike kundër Teheranit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha të hënën se masa e Iranit është një "hap i rëndësishëm drejt realizimit të një arme bërthamore" dhe i kërkoi Evropës të imponojë sanksione ndaj Teheranit.

Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt tha në Twitter se ai ishte "thellësisht i shqetësuar" nga veprimet e Iranit dhe i kërkoi Teheranit "të shmangë çdo hap të mëtejshëm nga marrëveshja bërthamore".

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Ryabkov tha se ky zhvillim është "për të ardhur keq, por nuk duhet dramatizuar jashtë mase". Ai tha se veprimi është një "pasojë e natyrshme e ngjarjeve të fundit" dhe rezultat i presionit të paprecedent të Shteteve të Bashkuara mbi Iranin.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Mbikëqyrjen Bërthamore ka publikuar raporte të rregullta duke thënë se Teherani i është përmbajtur marrëveshjes. Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja vitin e kaluar, me arsyetimin se ajo nuk do ta pengonte dot Iranin për të zhvilluar armën bërthamore.

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA