...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Studimi: Klasat dhe oligarkia në Shqipërinë e globalizmit neoliberal

Gazeta “Dita” vazhdon të keqdijësojë popullin dhe ne do të vazhdojmë ta kritikojmë. Këtë herë ajo pretendon se na tregoi “oligarkët” me emra përmes një autori që në të vërtetë nuk tregon as oligarkinë e vërtetë as klasat dhe as procesin se si krijohen oligarkitë. Për të njëjtën arsye, po shkëpusim një pjesëz nga një studim i gjerë i Ylli Përmetit, ku tregon procesin se si krijohen ato, oligarkinë e vërtetë dhe klasat e kohëve tona — një studim që në vendet demokratike¬—me liri akademike dhe shtypi— do të ishte bërë pjesë e debatit publik. Por në Shqipëri mungon qoftë liria akademike në Universitete qoftë në masmedia. Mungon, gjithashtu, dhe në të ashtuquajturat lëvizje politike që shpesh vetëquhen “progresiste”! Obskurantizmi dhe obskurantistët kanë pushtuar vendin!

Ylli Përmeti

23/05/2019 - 08:32

Klasat në Shqipërinë e globalizmit neoliberal

Shqipëria, si rezultat i integrimit të pjesshëm në tregun ndërkombëtar të marketingut gjëndet thuajse në të njëjtën situatë me perëndimin në përgjithësi: ndërsa në vitin 1989 niveli i punësimit ishte 85% për gratë dhe 94% për burrat, në vitit 1990, si pasojë e prishjes së sistemit dhe kalimit të pasurive publike në duart e ish-burokracisë socialiste, te të ashtu-quajturit “komunistë”, punësimi u ul në 50 - 60%, dhe në vitin 2004, më shumë se një dekadë më vonë, niveli i punësimit u ul më shumë, përkatësisht 38.3% për gratë dhe 60.1% për burrat[27] dhe, përgjatë vitit 2012-të u punësuan mesatarisht 28% në sektorët e industrisë përpunuese, ndërtimit, informacionit, shërbimeve dhe tregëtisë (me shumicë dhe pakicë), në shkallë vendi,[28] me një ulje totale prej më shumë se 40%! Një raport tjetër,[29] tregon se për gjashtë mujorit të parë të vitit 2013-të shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 55.3 për qind, ndërsa për meshkujt 71.8 për qind dhe papunësia është rreth 13%, me një rritje prej 1.1 për qind. Por nëse i ndajmë shqiptarët në klasa sipas të ardhurave - rezultojnë tetë klasa:

1.      rreth 242 mijë shqiptarë kanë pagë mujore më të ulët se 30 mijë lekë; (klasa e ulët)

2.      rreth 39 mijë shqiptarë kanë pagë më të ulët se 40 mijë lekë; (e ulët-e mesme)

3.      rreth 45 mijë shqiptarë kanë pagë mes 40 dhe 50 mijë lekë; (relativisht e mesme)

4.      rreth 20 mijë të tjerë kanë pagë deri në 60 mijë lekë; (e mesme)

5.      rreth 9800 shqiptarë kanë pagë mes 80 dhe 90 mijë lekë; (e mesme e lartë)

6.      rreth 3700 shqiptarë kanë pagë deri në 100 mijë lekë; (relativisht e lartë)

7.      rreth 16 mijë shqiptarë kanë pagë më të lartë se 100 mijë lekë; dhe (relativisht e lartë)

8.      rreth 5 mijë shqiptarë kanë pagë më të lartë se 200 mijë lekë në muaj.[30] (e lartë)

Sigurisht këtu nuk përfshihet klasa më e ulët e shoqërisë: pensionistët, rrogat e të cilëve nuk tejkalojnë ‘dyshemenë’. Kjo klasë mund të konsiderohet mjerane. Por në majë të shoqërisë qëndrojnë oligarkët që kanë të ardhura më shumë se 200 mijë lekë në muaj. Kështu, si pasojë e privatizimit të pasurive, klasa politike shqiptare ka krijuar 55 individë që kanë secili një pasuri prej të paktën 30 milionë dollarësh. Në total, pasuria e 55 individëve në Shqipëri arrin në 7 miliardë dollarë, ose gati sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Njëlloj si në të gjithë vendet e tjerë, që janë integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut,[31]pasuria e miliarderëve shqiptarë u rrit me 4.1 për qind, pavarësisht reçensionit në Perëndim![32] Piramida e ndarjes së pasurisë kombëtare vjen duke u ngushtuar më shumë — sepse atje qendrojnë dhjetë (10) të tjerë mbi 55 individët e sapo cituar[33] —që zotërojnë, kontrollojnë dhe shijojnë pasurinë më të madhe të kombit shqiptar. Përqindja që zotërojnë, duhet të jetë më shumë se 60%. Dhe nëse gjykojmë nga 2,499 leje pune për të huajt që janë dhënë përgjatë vitit 2012, ku udhëhiqnin turqit (me 474 leje: 19%), grekët (me 388 leje: 15%), italianët (me 372 leje: 14%), kinezët (me 188 leje: 8%), kanadezë etj.,[34] dhe nga varfëria e skajshme në çdo periferi, Shqipëria po institucionalizon njëherësh klasën e lartë (oligarët) klasën gjysmë të lartë (sipërmarrësit e huaj), klasën e mesme (të punësuarit në to) dhe klasën e varfër (nënklasën e papunë etj.). Shkurt, mund të themi se në Shqipëri bashkëjetojnë dhjetë klasa.

Një aspekt tjetër sistemik -që nuk duhet ta anashkalojmë në këtë kontekst- janë bankat e huaja të cilat ndërsa kanë krijuar një klasë të lartë vendore, kryesisht me origjinë shqiptare...janë bankierët, ambasadorët, dhe korporatat e huaja që kontrollojnë rrjedhën e kapitalit, modelin zhvillimor dhe axhendën e politikës vendore. Në fjalë të tjera, ndërsa oligarkët vendor ndajnë sasinë më të madhe të pasurisë së një kombi, ata që përfitojnë më shumë nga hapja e tregut (kapitalit, mallrave etj.), janë bankat dhe korporatat e huaja ndërkombëtare, sepse ndërsa bankat kontrollojnë rrjedhën e kapitalit, të cilat edhe nëse kapitullojnë do të shpëtohen nga taksa-paguesit (35%), me “shpëtime nga brenda ose jashtë”, korporatat, kontrollojnë dhe shfrytëzojnë burimet kryesore! Kurum, për shembull, ndërmarrja turke e përpunimit të metaleve, shpalli falimentin dhe u ‘ristrukturua’ nga qeveria “Rama” me kursimet e popullit shqiptar në emër të “stabilitetit” financiar! Domethënë, qeveria “Rama” ristrukturoi kreditorët e ndërmarrjes — bankat private, të huaja dhe vendore! Kështu, qoftë oligarkia vendore qoftë bankierët e huaj, ndajnë të njëjtin interes: pushtetin ekonomik që (para)përcakton pushtetin politik. Objektivi i tyre është përfitimi, përmes shfrytëzimit, sesa përmes ndonjë plani zhvillimor të periferisë. Ky kuadër mundëson barbarizmit modern, qoftë kundrejt natyrës, qoftë kundrejt njeriut.       

Nuk do të ishte, rrjedhimisht, e çuditshme sjellja e politikanëve profesionistë në Shqipëri lidhur me objektivin dhe dredhitë politike: ndërsa ata kanë si objektiv integrimin në botën neoliberale, kundërshtimet për zgjedhjet, janë bërë pjesë e politikës katër vjeçare. Nëse njëra palë nuk arrin të marrë shumicën e dëshiruar (40 për qindshin) ajo kundërshton palën tjetër për manipulim. Dhe kur pala tjetër merr shumicën e votave, qoftë edhe me manipulime, ajo kundërshton palën tjetër për pengim të procesit të privatizimit të pasurive publike. Kështu, ata nuk kundërshtojnë privatizimin e pasurive publike por procesin e privatizimit! Në thelb, të gjithë, “patriotë” dhe “nacionalistë” pranojnë privatizimin e kombeve. Shembull ilustrimi është “rilindja” ose “projekti” Rama: ndërsa proponentët e kësaj partie nuk treguan se si do të realizonin premtimet parazgjedhore,[35] siç ishte punësimi i 300 mijë të papunëve, duke lënë të papunë 700 mijë të tjerë (!), meqënse sipas tyre, janë rreth 1 milionë të papunë, kjo parti adoptoi konceptin e “taksës progresive” dhe e quajti atë taksë të “ndershme”, në vend të taksës së sheshtë që kishin adoptuar “demokratët” kur ishin në pushtet.[36] Adoptimi i konceptit të “taksës progresive”, në të vërtetë, siç kam treguar në vend tjetër,[37] nuk mund çojë në ndonjë qendrueshmëri afatgjatë nëse ajo nuk shoqërohet me një strategji politike dhe një paketë të plotë ndryshimesh serioze — për zhvillimin e periferisë dhe vendosjen e paqes sociale dhe familjare.

Si përfundim mund të themi se ‘klasë punëtore’, siç paraqitësh në fillimet Revolucionit Industrial në Perëndim, bazuar në sindikata, bashkime tregëtare dhe profesionale, në globalizmin neoliberal, nuk mund të pretendojmë, sepse punëtorët e organizuar u shkatërruan —në Amerikë dhe përgjithësisht në Perëndim, siç tregon midis të tjerësh edhe Martin Wolf, objektivisht nga elitat, që në vitet 1930.[38] Kjo nënkupton se Revolucioni Sovjet, në vitin 1917, gjeti bazë të gjerë për krijimin e kushteve për ndryshime serioze sistemike. Kjo është arsyeja që Revolucioni filloi dhe mbaroi atje. Sot, kjo bazë është minimale. Kjo do të thotë se sensibilizimi dhe mobilizimi i një mase të madhe njerëzish është më i vështirë. Gjithashtu, Revolucioni i fundit në nivel ideologjikë u shoqërua me teorinë Marksiste. Dhe ‘teoria marksiste’, siç kam treguar në vend tjetër,[39] është sa problematike aq edhe kontradikotre. Ishin këto dy baza që mundësuan përpjekjen për ndryshim sistemik. Ndërsa sot, mungon qoftë baza (proletariati), qoftë përqëndrimi i aktivistëve në një Projekt që do të synonte, në bazë të një analize dhe kritikë sistemike...çlirim, njëherësh, social, kombëtar dhe ekologjik.[40]

Si të konceptojmë një shoqëri pa-klasa?

...

Studimi: Nga tirania “demokrate” në tiraninë “socialiste”: dhuna sistemike mbi femrën-gruan dhe çlirimi i saj

Shkrimin e Dita-s mund ta lexoni këtu...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA