Sulmi` i Iranit dhe kundërsulmi` Izraelit: variantet tregojnë ‘luftë rajonale’
Me sulmet e tij, të natës së 14 prillit, ai shënoi një epokë të re në luftën e gjatë dhe të padeklaruar mes dy vendeve, se ai nuk do të ngurrojë të kundërpërgjigjet
Ylli Përmeti
14/04/2024 - 08:23
Dyshimet se Irani kishte frikë për të sulmuar Izraelin si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite ndaj konsullatave dhe drejtuesve iranianë në rajon, morën fund: me sulmet e tij, të natës së 14 prillit, ai shënoi një epokë të re në luftën e gjatë dhe të padeklaruar mes dy vendeve, se ai nuk do të ngurrojë të kundërpërgjigjet.
Sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite, Irani lëshoi më shumë se 300 predha, duke përfshirë 170 dronë, 30 raketa kruiz dhe 120 raketa balistike. Sipas të njëjtit burim, 99 për qind e tyre u asgjësuan ndërsa pjesa tjetër shkaktoi dëme të “vogla” në një bazë ajrore ushtarake në jug të vendit, duke lënduar një fëmijë, ndërsa agjencia e lajmeve Tasnim e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit e përshkroi sulmin “si një sulm shumë-shtresor nga katër drejtime”.


Në asgjësimin e predhave ndihmuan dhe anijet dhe avionët amerikanë që ndodhen në rajon, krahas sistemit ajror mbrojtës të Izrealit, Shigjeta, dhe Britania dhe Franca. Besohet se sulmi i Iranit nuk ka mbaruar me ushtrinë izraelite të jetë në gadishmëri të plotë ndërsa përfaqësuesi i Iranit në OKB sinjalizoi se “çështja mund të vlerësohet e përfunduar” por shtoi se nëse Izraeli “gabon edhe një herë, përgjigjja e Iranit do të jetë më e ashpër ndërsa paralajmëroi SHBA-në të mos “përzihet”.
Elitat perëndimore dënuan sulmin e “pashembullt” dhe Bajdeni kërkoi mbledhje me udhëheqësit e G7 për të “bashkërenduar një përgjigje të bashkuar diplomatike” ndërsa Këshilli i Sigurimit në OKB do të zhvillojë një mbledhje urgjente pas kërkesës së Izraelit. Të dyja mbledhjet do të zhvillohen gjatë ditës së diel. Rusia bëri thirrje për “përmbajtje” të palëve me qëllim shmangien e përshkallëzimit.
Përpjekja mbrojtëse filloi me paralajmërimet e radarëve amerikanë që gjenden pranë Iranit të drejtuar nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane. Ata diktuan lëshimet e para të dronëve dhe më pas të raketave nga Irani, Iraku dhe Jemeni. Izraeli i është bashkuar komandës ushtarake të drejtuar nga SHBA-ja në vitin 2021, fill pas nënshkrimit të traktateve të Abrhamit nga disa vende arabe. Që nga ajo kohë ushtria e tij ka qenë pjesë në stërvitje ushtarake vjetore, me një theks në mbrojtjen ajrore, si pjesë e rrjetit në rritje të quajtur Lidhja e Mbrojtjes Ajrore e Lindjes së Mesme.
Pas marrjes së paralajmërimeve, avionët ushtarakë dhe mbrojtjet ajrore u vunë në veprim për të asgjësuar predhat ndërsa avionët ushtarakë të Izraelit tashmë në ajër dhe të shpërndarë përtej kufijëve ishin gati për t`i ndaluar ato. Por përqindjen më të madhe të predhave e asgjësoi Shigjeta (sistemi mbrojtës izraelit).
Zyrtarët izraelitë duke përfshirë dhe Natanjahun, kishin paralajmëruar Iranin se nëse sulmohet Izraeli, ai do të përgjigjet drejtpërdrejt ndërsa vlerësohet se kundërpërgjigjja është çështje kohe. Disa analistë izraelitë besojnë se sulmi Iranian ishte një “dështim strategjik” dhe një “rrënim i pushtetit të tij qendror, raketave të tij konvencionale dhe arsenalit të dronëve”.
“Irani duhet të presë tani shpagimin e Izraelit, por ndryshe nga mbrojtja ajrore iraniane janë krahasueshmërisht të kufizuara…një përgjigje në tokën iraniane duket e sigurtë”, tha njëri prej tyre.
Kabineti i luftës prej pesë individësh i Izraelit u mblodh pasditen e dielës për të shqyrtuar përgjigjet ndaj Iranit. Financial Times raportoi se një individ i pranishëm në mbledhje tha se u shqyrtuan dy variante: “luftë e madhe” apo “në përputhje me sulmin e tij”. Mbledhja u zhvillua me gjithë “partnerët” e vendit, veçanërisht me administratën amerikane, por vendimi do të ishte i Izraelit, shtoi ai. Bajdeni këshilloi Izraelin të përgjigjet në përputhje me sulmin e Iranit (duke përdorur një qasje të matur (“measured approach”) ndërsa paralajmëroi se SHBA-ja nuk do të marrë pjesë në ndonjë sulm shpagues.
Administrata e Bajdenit beson se Izraeli mori “më të mirën” nga sulmi Iranian, duke nënkuptuar dëmet e parëndësishme krahasuar me dëmet që shkaktoi Izraeli në Siri. Kjo është arsyeja se pse ajo nxiti “përmbajtje” ndërsa kërkon shpërshkallëzim dhe shmangien e një lufte rajonale.
Mbështetësit e vijës së ashpër kërkuan “veprim vendimtar” ose një “sulm rrënues”, sepse, sipas tyre, qasja për një sulm “përpjestimor” ka vdekur që pas sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar (“me qëllim krijimin e përfrikësimit në Lindjen e Mesme, pronari duhet të çmendet”, në fjalët e Itmar Ben-Gvir), ndërsa të tjerë thanë se nëse Izraeli ngurron atëherë “ne do të vendosim veten dhe fëmijët tanë në rrezik ekzistencial” (Bezalel Smotrich, ministri i financave). Udhëheqësit e G7 biseduan mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj programeve ushtarake të Iranit por asnjë marrëveshje nuk u arrit.
Ndërkohë në Uashington rritësh trysnia ndaj ligjbërësve për miratimin e ndihmës për Izraelin prej 95 miliardë dollarësh, me republikanët të kërkojnë votim në kongres në ditët në vijim. Miratimi është vonuar për shkak të kundërshtisë së Trampit, por përparimi i Rusisë në Ukraninë mund të nxis kongresin të miratojë një ndihmë të gjerë së shpejti. Michael McCaul, kreu i Dhomës së punëve të jashtme, për shembull, beson se “kërcënimet kundër Izraelit, Ukrainës dhe Tajvanit janë të lidhura bashkë dhe ka nxitur Dhomën të paraqesë ligjin”. Por disa republikanë, si JD Vance, mendojnë se Dhoma duhet të miratojë një ndihmë vetëm për Izraelin, sepse ai “është shumë më i rëndësishëm për SHBA-në se Ukraina”.
“Nuk bëhet fjalë për pará prapë, por bëhet fjalë për armë. Nëse ti nuk prodhon mjaftueshëm armë për të luftuar në tre luftëra, ti duhet të kuptosh si duhet të përqendrohesh ― dhe propozimi im është të përqendrohemi në lidhjet tona më të ngushta”, tha ai, ndërsa Bajdeni gjendet nën trysni nga partia e tij që të “kushtëzojë”, madje “tërheq” ndihëm ndaj Izraelit, ngaqë është rritur zemërata për shkak të krimeve të larta ndaj qytetarëve në Gaza. Zyrtarët amerikanë kanë frikë, gjithashtu, se ç`lloj kumti do t`i dërgojnë Iranit.
Në Iran sulmi nuk u paraqit siç e paraqitën në Izrael (si dështim) por si mbrothësi: “një përgjigje e kalibruar për të rivendosur përfrikësimin dhe përforcojë shëmbëllesën e tij mes fuqive rajonale dhe besnikëve të brendshëm. Ai u pa gjithashtu si vërtetim se Teherani do të mbështeste kërcënimet e tij dhe gadishmërinë e tij për të ndërmarrë veprim vendimtar kur provokohet”. “Kumti i Iranit ishte i qartë: ne jemi më të çmendur se mendoni ju dhe ne jemi gati të përballemi me pasojat e luftës nëse nevojitet”, tha një anëtar i brendshëm e regjimit. “Sulmi shërben për përfrikësim dhe sinjal ndaj SHBA-së dhe Izraelit se e “keqja ka kufi”.
Irani ka një force ushtarake sipërore krahasuar me forcën ushtarake të Izraelit por ky i fundit e ka atë me pajisje më të stërholluara ose më të afta.

Dhe nëse ushtria e Iranit bashkon forcat me ushtrinë e Hezbollahut, dhe fuqi të tjera rajonale, ushtria izraelite do të përballet me disfatën e saj përfundimtare, qoftë edhe nëse ndihmohet nga fuqitë perëndimore. Mbetet, sidoqoftë, të shihet se cili do të jetë vendimi i Netanjahut në 24 apo 48 orët e ardhshme.
Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë rritën trysninë ndaj Izraelit një ditë pas sulmit dhe në prag të mbledhjes së dytë të kabinetit “Netanjahu”, për “përmbajtje”. Makroni propozoi “izolimin” e Iranit në vend të përshkallëzimit ndërsa ministri` jashtëm britanik e bëri të qartë se nuk do të merrte pjesë në sulme shpaguese dhe tha se “Izraeli duhet të dyfishonte përpjekjet për të liruar 134 pengjet e mbajtur nga Hamasi.
Në përpjekjen e tij për të treguar se nuk donte përshkallëzim të luftës, Teherani rrëfeu të njëjtën ditë se kishte njoftuar Uashingtonin dy ditë përpara sulmit se do të përgjigjësh “thjesht për t`u treguar izraelitëve se tani e tutje do të ketë përgjigje në veprimet e tyre”. Njoftimi ishte dërguar përmes ambasadës zvicerane, e cila vepron si përfaqësi e SHBA-së në Teheran, dhe më pas përmes Turqisë. Moska, gjithashtu, shprehu shqetësimin e saj por shtoi se Irani ka të “drejtë të mbrohet”.
Bajdeni, siç tregoi Politico, mbajti qëllimshëm “profil të ulët publik” duke shpresuar se mungesa e tij do të ndhimonte të shpërshkallëzonte gjendjen. Shtëpia e Bardhë shqyrtoi idenë e mbajtjes së një fjalimi por më pas u tërhoq për shkak se kishte frikë se do të shkaktonte përshkallëzim dhe mund të provokonte Teheranin ndërsa një zyrtar i lartë izrealit i kishte thënë administratët amerikane se “Irzaeli po kërkonte një përshkallëzim të rëndësishëm me Iranin”.
Në logjikën e paraqitjes së sulmit iranian si “fitore” një analist iranian tha se ai ishte e tillë jo vetëm ndaj sistemit mbrojtës izraelit por dhe sistemeve mbrojtëse perëndimore meqënse disa predha, me shumë gjasa, “hipersoniket” e Iranit, depërtuan mbrojtjen dhe qëlluan objektivin. Një tjetër arsye është se Irani përdori predha të vjetra dhe jo të përparura, pikërisht për të “provuar” aftësitë mbrojtëse të Izraelit. Predhat përkatëse, sipas tij, kanë një kosto të ulët ndërsa kundërpredhat e sistemit mbrojtës izraelit dhe perëndimor kosto shumë të lartë: disa miliona dollar për Iranin përkundër miliardave të shpenzuara nga Izraeli dhe perëndimi. Pikërisht për këto arsye por dhe të tjera të karakterit politik, sulmi iranian paraqitet si “fitore” dhe shërben, sipas tij, si “provë” për sulme të tjerë me armë të përparuara.
Megjithatë, një analizë ushtarake e FT, dy ditë pas sulmit iranian, citon disa variante për Izraelin, pasi përmend faktin se ky i fundit ka sulmuar në të kaluarën vendet e prodhimit të armëve bërthamore, ka shkaktuar shpërthime “misterioze” në bazat ushtarake, dhe ka ndërmarrë operacione të fshehtë kundër Iranit. Për të njëjtën arsye sulmet e ndërmjetme në Siri dhe vende të tjerë të rajonit, si në Jemen, shihen si një variant i mundshëm por ky veprim do të nënkuptonte “frikën” e Izraelit për të sulmuar drejtpërdrejt; kibersulmet dhe sulmet e fshehtë në tokën iraniane ku do të synohet vrasja e figurave qendrore të regjimit; dhe sulm i drejtpërdrejt. Për variantin e fundit besohet se Irani nuk ka sistem mbrojtës ajror të mirë; as ka “aleatë” si Izraeli; por të gjithë variantet rrezikojnë përshkallëzimin e luftës përsa kohë që të dyja palët kërkojnë të rivendosin ‘përfrikësimin rajonal’ dhe ky qëllim mund të çojë në keqllogaritje dhe përshkallëzim të mëtejshëm.
Por përtej këtyre varianteve unë besoj se Netanjahu do të zgjedhë variantin e përshkallëzimit “rrënues” me shpresën se do të detyrojë SHBA-në të përfshihet në luftë dhe të dy bashkë, madje dhe me Francën dhe ndoshta Britaninë, të mposhtin Iranin, dhe Netanjahu të dalë fitimtar nga lufta jo vetëm kundër Gazës por dhe kundër Iranit dhe kështu të vendosë ditaktin e tij në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Ku raport i përditësuar është bazuar në shumë raporte të raportuar nga Financial Times, Politico e të tjerë dhe është si “rakia e mushtit të rrushit”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 344 reads



