...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trampi miratoi dislokim ushtarak shtesë në Gjirin Persik

Presidenti amerikan Donald Tramp miratoi dislokimin e burimeve ushtarake shtesë në Gjirin Persik për të përfrikësuar Iranin

SHJ

24/05/2019 - 19:27

Presidenti amerikan Donald Tramp miratoi dislokimin e burimeve ushtarake shtesë në Gjirin Persik për të përfrikësuar Iranin. Dislokimi i ri përfshin bateri raketash Patriot, avionë zbulues dhe fuqi ushtarake shoqëruese të nevojshme për të mbështetur përfrikësimin e Iranit. Administrata e Trampit po konsideron gjithashtu përdorimin e rregullave para-ekzistues që e lejojnë të shpejtojë shitje armësh në Arabinë Saudite. CNN

Frëngjia ligjore i lejoi Trampit t'u shiste armë Sauditëve në vlerën prej 7 miliard dollarë. The Guardian  

Presidenti Donald Trump tha të premten se do të nisë rreth 1,500 trupa amerikane në Lindjen e Mesme, kryesisht si masë mbrojtëse, në mesin e tensioneve në rritje me Iranin.

"Duam të kemi mbrojtje në Lindjen e Mesme. Do të dërgojmë një numër relativisht të vogël trupash, kryesisht për mbrojtje", tha zoti Trump ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim drejt Japonisë.

"Disa njerëz shumë të talentuar po shkojnë aktualisht në Lindjen e Mesme. Do të shohim se çfarë do të ndodhë", tha ai.

Trupat do të ndihmonin në forcimin e mbrojtjes amerikane në rajon, i thanë më herët dy burime anonime, agjencisë së lajmeve Reuters. Ata thanë gjithashtu se mes trupave, do të ketë dhe inxhinierë. Më parë gjatë këtij muaji ushtria amerikane ka dislokuar në Lindjen e Mesme një grup luftarak, mes të cilëve bombardues e raketa Patriot. Kjo lëvizje erdhi si reagim ndaj asaj që Uashingtoni tha se ishin të dhëna shqetësuese për një sulm të mundshëm nga Irani.

Javët e fundit retorika ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit është përshkallëzuar ndërsa Shtetet e Bashkuara i ashpërsuan sanksionet me qëllimin për të shtyrë Iranit të bëjë lëshime përtej kushteve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Presidenti Trump paralajmëroi të hënën se Irani do të përballej me "një forcë të madhe" nëse do të sulmonte interesat amerikane në Lindjen e Mesme.

Më herët Voa raportonte:

Shtëpia e Bardhë po shqyrton një plan të paraqitur nga Pentagoni të enjten për të dërguar mijëra trupa në Lindjen e Mesme për të penguar kërcënimet e mundshme nga Irani. Më parë këtë javë, zyrtarët e administratës së Presidentit Trump u thanë ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara nuk po përpiqen të provokojnë Teheranin. Shumë prej tyre janë të shqetësuar se mesazhet e përziera që dalin nga administrata mund të rrisin rrezikun e konfliktit dhe të zvogëlojnë mundësinë e bindjes së Iranit për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore.

Në prag të Ditës së Përkujtimit të të Rënëve, Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump vizituan të enjten Varrezën Kombëtare në Arlington.

Disa orë më vonë, ai u informua nga zyrtarët e Pentagonit mbi një plan për të vendosur më shumë trupa si një nga alternativat për të trajtuar tensionet në rritje në Lindjen e Mesme.

"Sigurisht që do të dërgoj trupa në qoftë se është nevoja. Irani ka qenë një aktor shumë i rrezikshëm dhe shumë i keq. Ata janë një vend i terrorit, dhe ne nuk do t’i tolerojmë veprimet e tyre".

Presidenti Trump tha se nuk mendon se ka nevojë të dërgojë trupa në këtë kohë. Një flotë luftanijesh amerikane tashmë është dislokuar në Gjirin Persik. Më parë këtë javë, zyrtarët e administratës thanë se masa ka qenë e suksesshme në vënien e kërcënimeve iraniane "në pritje".

Ata theksuan se Shtetet e Bashkuara nuk duan të provokojnë Iranin.

"Fokusi ynë më i madh në këtë pikë është të parandalojmë kalkulimet e gabuara të iranianëve. Ne nuk duam që situata të përshkallëzohet. Kjo ka të bëjë me frenimin e jo fillimin e luftës", tha Patrick Shanahan, Sekretar i Mbrojtjes në detyrë.

Teherani gjithashtu thotë se nuk dëshiron luftë. Megjithatë, analistët thonë se rreziku i konfrontimit është i lartë.

"Secila palë po përpiqet të krijojë një masë frenuese. Pra, prania në rritje e forcës dhe aftësive ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rajon është bërë për t’u dërguar një mesazh iranianëve se: 'Nëse na sulmoni, ne do të hakmerremi'. Iranianët po bëjnë të njëjtën gjë", thotë Dalia Dassa nga Korporata Rand.

Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit në vitin 2018, Presidenti Trump ka ndjekur një fushatë të presionit maksimal përmes sanksioneve të ashpra për të ndaluar Iranin që të prodhojë armë bërthamore dhe të përmbajë zgjerimin e influencës së tij në të gjithë Lindjen e Mesme.

"Kemi artikuluar 13 kërkesa komplekse, të cilat ndikojnë në çdo aspekt të iranianëve, marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e tyre, si dhe me pothuajse të gjithë botën", thotë Anthony Cordesman nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Irani nuk ka gjasa t'i përmbushë këto kërkesa. Presidenti Hassan Rouhani ka kundërshtuar bisedimet, duke deklaruar se Irani " kurrë nuk do të përkulet".

Është e paqartë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Ndërkohë, këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton ka hedhur në diskutim veprimet ushtarake, madje edhe idenë për ndryshim të regjimit.

"Paqartësia në lidhje me atë që kjo administratë përfundimisht dëshiron, krijon probleme në përpjekjet për të arritur sukses dhe rezultate që do të donim t’i shihnim", thotë Dalia Dassa nga Korporata Rand.

Disa analistë e shohin mungesën e qartësisë mbi Iranin si një emblemë të qasjes së përgjithshme të Presidentit Trump ndaj politikës së jashtme, ku administrata ndërmerr veprime të forta drejt një rezultati të dëshirueshëm, por i mungon besueshmëria në mesazhin e saj.

"Mënyrat e qasjes janë të ndryshme nga një strategji e deklaruar qartë në pothuajse një postim në Twitter. Por nuk e dini kurrë nga dita në ditë, se cili është parimi udhëheqës", thotë Anthony Cordesman nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Nëse miratohet propozimi për dislokimin e më shumë trupave, kjo do të përbënte një ndryshim të qëndrimit për Presidentin Trump, i cili ka theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për të zvogëluar praninë e trupave amerikane në rajon.      

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA