...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trampi njoftoi tarifat e reja kundër importeve kineze ndërsa BE-ja tarifat europiane kundër importeve amerikane

Presidenti Trump njoftoi të premten vendosjen e tarifave prej 25 për qind ndaj importeve kineze ndërsa Vvendet e Bashkimit Evropian kanë mbështetur unanimisht planet për të taksuar produkte amerikane

SHJ

15/06/2018 - 20:59

Presidenti Trump njoftoi të premten vendosjen e tarifave prej 25 për qind ndaj importeve kineze me një vlerë prej dhjetra miliardë dollarë. Vendimi shkaktoi një hakmarrje të menjëhershme të Pekinit, duke i sjellë dy ekonomitë më të mëdha në botë, në prag të një lufte të përgjithshme tregtare.

Zoti Trump, duke përmbushur premtimin që kishte bërë për të mbrojtur pronën intelektuale amerikane nga vjedhja, paralajmëroi se do të vendoste tarifa shtesë nëse Kina kundërpërgjigjej me masa hakmarrëse ndaj mallrave dhe shërbimeve amerikane.

Të paktën fillimisht, tarifat e reja nuk do të arrijnë totalin prej 50 miliardë dollarësh, shumë me të cilën kishte kërcënuar në muajin mars Shtëpia e Bardhë.

Përfaqësuesi tregptar amerikan Robert Lighthizer tha të premten se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë mbledhjen e detyrimeve për 818 mallra kineze me vlerë 34 miliardë dollarë duke nisur nga 6 korriku.

Raundi i dytë, me një vlerë prej 16 miliardë dollarësh për 284 mallra që importohen nga Kina, që do ta çonin totalin në 50 miliardë dollarë, pritet t'i nënshtrohet një procesi shtesë shqyrtimi dhe diskutimi publik, sipas zyrës së përfaqësuesit tregëtar amerikan.

"Shtetet e Bashkuara nuk mund të tolerojnë humbjen e teknologjisë dhe pronës intelektuale përmes praktikave të padrejta ekonomike" tha zoti Trump në deklaratë.

Sipas tij "tarifat janë thelbësore për të parandaluar transferimet e mëtejshme të padrejta të teknologjisë amerikane dhe pronës intelektuale në Kinë, gjë që do të garantojë mbrojtje për vendet e punës në Amerikë".

Kina u përgjigj menjëherë, duke njoftuar vendosjen e tarifa "të barabarta" për produktet amerikane.

"Do të fillojmë menjëherë masat e vendosjes së tarifave, në shkallë dhe forcë të barabartë" thuhej në një deklaratë të Ministrisë kineze e Tregtisë publikuar në faqen zyrtare të saj. Në deklaratë u bëhej gjithashtu thirrje vendeve të tjera të "ndërmarrin veprime kolektive" kundër asaj që cilësohej si "sjellje e vjetëruar dhe e prapambetur". /Voa

BE i kundërpërgjigjet tarifave amerikane

Vendet e Bashkimit Evropian kanë mbështetur unanimisht planet për të taksuar produkte amerikane 2.8 miliardë euro.

Produkte si lëngu i portokallit, bourboni, xhinset dhe motoçikletat janë në vijën e frontit dhe ky është një reagim ndaj tarifave të Donald Trump mbi hekurin dhe aluminin evropian.

Masat sidoqoftë duhet të miratohen më parë nga Komisioni Evropian, por pritet të hyjnë në fuqi në fillim të muajit të ardhshëm. BE e sheh lëvizjen e Trump si të paligjshme me tarifat amerikane që prekin më shumë se gjashtë miliardë euro eksporte.

Tarifat janë përcaktuar në masën 25 për qind për hekurin dhe 10 për qind për aluminin dhe kanë hyrë në fuqi më herët këtë muaj. Komisioni evropian ka nisur një sfidë ligjore kundër tarifave në organizatën botërore të tregtisë.

Masa mbrojtëse të tjera po ashtu janë planifikuar. Ndërkohë nga shtëpia e bardhë vjen lajmi se Donald Trump ka dhënë aprovimin që Shtetet e Bashkuara të vendosin tarifa mbi 50 miliardë dollarë eksporte kineze dhe një lajmërim zyrtar pritet të jepet gjatë ditës.

Trump është takuar një ditë më parë me zyrtarë të lartë ekonomikë, mes të cilëve sekretarin për thesarin, atë për tregtinë dhe përfaqësuesit tregtarë amerikanë.

Lëvizja përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes dy ekonomive më të mëdha të botës, ndërkohë që Trump është angazhuar përveç BE dhe Kinës në një luftë tregtare edhe me aleatë të tjerë si Kanadaja dhe Meksika.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në anën tjetër ka paralajmëruar se politikat tregtare ka gjasa të dëmtojnë ekonominë amerikane dhe të dëmtojnë sistemin tregtar të botës.

Drejtoresha e FMN Kristine Lagarde, tha se një luftë tregtare do të çonte në humbës në të gjitha frontet dhe mund të kishte pasoja serioze./dita

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA