...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trampi shpreson Amerika të mos hyjë në luftë me Iranin; ky i fundit përgjigjet me raketa

Gjiri Persik konsiderohet si një nga rrugët ujore më strategjike në botë, nëpërmjet të cilave transportohet një e treta e sasisë së naftës që furnizon botën

Voa

17/05/2019 - 17:57

Presidenti Trump thotë se shpreson që SHBA të mos hyjë në luftë me Iranin

Presidenti Donald Trump tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara të mos hyjnë në luftë me Iranin, mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme ndërsa një diplomat iranian nuk i kushtoi shumë rëndësi një mundësie të tillë.

"Shpresoj që jo”, tha Presidenti Trump i pyetur lidhur me mundësinë e një konflikti me Teheranin, ndërsa ai filloi bisedimet me presidentin zvicerian Ueli Maurer të enjten. Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk kanë lidhje diplomatike, por Zvicra përfaqëson Shtetet e Bashkuara në atë vend të Lindjes së Mesme.

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders përsëriti para gazetarëve më herët sot se zoti Trump do një “ndryshim qëndrimi” nga ana e Iranit dhe do të kundërshtonte çdo veprim agresiv nga Republika Islamike.

Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Majid Takht-e-Ravanchi, e minimizoi këtë mundësi, duke thënë në një intervistë të enjten se vendi i tij nuk ka interes të shkallëzojë tensionet rajonale.

Ushtaraku i lartë iranian: raketat tona mund t’i godasin me lehtësi luftanijet në Gjirin Persik

Një anëtar i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane tha të premten se raketat iraniane me rreze të shkurtër veprimi, mund t’i "arrijnë lehtësisht" anijet luftarake në Gjirin Persik. Komentet e tij u bënë publike prej agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve Fars.

Komentet e zëvendës shefit të Gardës Revolucionare Mohammad Saleh Jokar vijnë mes tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni e ka rritur praninë e tij ushtarake në rajon, duke dislokuar anije të tjera si dhe duke shtuar sanksionet ndaj Teheranit.

Gjiri Persik konsiderohet si një nga rrugët ujore më strategjike në botë, nëpërmjet të cilave transportohet një e treta e sasisë së naftës që furnizon botën.

Mohammad Saleh Jokar tha se Shtetet e Bashkuara "nuk mund ta përballojnë koston e një lufte të re" dhe se një konflikt do të ndikonte negativisht në furnizimin botëror me naftë. "Nëse do të ketë luftë, bota do të vuajë", tha ai.

Komentet e zëvendës shefit të Gardës Revolucionare vijnë pasi ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif është angazhuar në përpjekje intensive diplomatike për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore. Gjatë një vizite në Kinë të premten, zoti Zarif kritikoi udhëheqësit botërorë duke thënë se "deklaratat mbështetëse" nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar marrëveshjen.

Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe vendosën sanksione të ashpra të cilat e kanë dobësuar ekonominë e Iranit, përfshirë dhe një vendim për të ndërprerë eksportet iraniane të naftës. Pesë nënshkruesit e mbetur të marrëveshjes, Bashkimi Europian, Britania, Kina, Franca dhe Rusia, janë përpjekur ta ruajnë atë.

Javën e kaluar Irani paralajmëroi se do të rinisë pasurimin e uraniumit në nivele të larta nëse nuk arrihet një marrëveshje e re bërthamore deri më 7 korrik.

 

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë publikisht se dëshiron një zgjidhje diplomatike, por zyrtarët iranianë nuk janë të bindur.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA