...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vetëm 40 për qind e amerikanëve mbështesin politikën e jashtme të Trampit

Sondazhet tregojnë se vetëm 40 për qind e amerikanëve e mbështesin politikën e jashtme të zotit Trump

Voa

13/05/2019 - 09:30

Materiali i korrespondentes së Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara na njeh me disa prej temave të nxehta të politikës së jashtme të zotit Trump që nuk kanë marrë ende zgjidhje.

Shtetet e Bashkuara dislokuan një skuadrilje mjetesh luftarake detare e ajrore në Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj asaj që Uashingtoni thotë se është kërcënim për sulm nga Irani ndaj forcave amerikane në rajon.

Ndërkohë, Koreja e Veriut ka kryer brenda një jave dy prova me raketa me rreze të shkurtër veprimi, duke ndërlikuar përpjekjet e Uashingtonit drejt çarmatimit bërthamor.

Në Venezuelë Nicolas Maduro vazhdon të mbajë ende pushtetin edhe pas disa muaj trazirash dhe megjithë mbështetjen që gëzon opozita e vendit nga SHBA.

"Kudo në botë, kemi disa zona të nxehta", thotë Anthony Cordesman, i Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

Presidenti Trump bëri fushatë duke vënë në dukje aftësitë e tij për arritjen e marrëveshjeve.

Por deri tani ai i ka larguar Shtetet e Bashkuara prej marrëveshjeve, përfshirërë paktin bërthamor me Iranin, marrëveshjen e Parisit mbi klimën si dhe Partneritetin e Trans-Paqësorit, marrëveshje që ai ende nuk i ka zëvendësuar me të reja.

Zoti Trump shpalli fitoren ndaj Shtetit Islamik, por shpërthimet gjatë sulet e përgjakshme gjatë Pashkëve në Sri Lanka treguan se mundja e grupin terrorist është ende larg.

Përveç mungesës së fitoreve të qarta, disa studiues vënë në pikëpyetje ekzistencën e një strategjie koherente të administratës mbi politikën e jashtme.

"Politika po shpaloset përmes transaksioneve individuale në zona të shkëputura. Në shumë aspkete, në formë shumë më oportuniste sesa nga çdo politikë e paracaktuar", thotë Anthony Cordesman, i Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

Ndërsa një marrëveshje e momentit mund të ketë përfitime afatshkurtra, analistët thonë se kjo strategji ofron paqëndrueshmëri dhe krijon mundësi për ndërhyrje të fuqive të huaja.

"Kjo është arsyeja pse po shohim kinezët të përmenden gjithnjë e më shumë si një partner i mundshëm për sigurinë, bashkëpunimin ekonomik e kështu me radhë. Apo rusët për të njëjtat çështje. Ata aktualisht janë të përfshirë në çështjet e sigurisë për vendet e Lindjes së Mesme, më shumë së gjatë çdo periudhe, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991", thotë Alex Vatanka, i Institutit të Lindjes së Mesme.

Në vitin 2016 zoti Trump bëri fushatë nën sloganin "Amerika e para" dhe shpreson të shesë suksesin e qasjes së tij edhe për garën presidenciale të vitit 2020. Ai shpesh e sheh si fitore të tijën nxitjen e anëtarëve të NATO-s për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen si dhe i lidh fitoret në fushën ekonomike në vend, me arritjet në politikën e jashtme.

"Çdo herë që një udhëheqës i huaj, një president, një kryeministër, një mbret, një mbretëreshë, një diktator…(edhe ne keni disa prej tyre këtu) ...sa herë që vijnë thonë urime për atë që keni bërë për ekonominë, është më e forta në botë”, thotë Presidenti Donald Trump.

Sondazhet tregojnë se vetëm 40 për qind e amerikanëve e mbështesin politikën e jashtme të zotit Trump, me pikëpamje që ndahen sipas përkatësive partiake. Analistët thonë se këto ndarje brenda vendit, ndikojnë tek imazhi i Amerikës në të gjithë botën.

"Është shumë e vështirë të flitet për një politikë të jashtme pa pasur një front të bashkuar amerikan. Me fjalë të tjera, duhet të jeni në gjendje të themi: këta jemi ne dhe ndaj po marrim veprime ndaj një vendi tjetër, një politike apo qeverie tjetër. Mendoj se ky është një nga problemet e strategjisë që ai po përdor, e bën më të vështirë të tingëllojë se i gjithë populli amerikan, i bashkuar, kundërshton një vend tjetër, një palë apo një politikë tjetër", thotë Vanessa Beasley, universiteti Vanderbilt.

Në kushtet kur ekonomia e vendit vazhdon të jetë e fortë, sipas analistëve rezultatet e politikës së jashtme të zotit Trump, do të jenë në qendër të kritikave të demokratëve të opozitës në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 2020-s.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA