...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vetëzhdukja e shqiptarëve dhe alarmi që s`dëgjohet nga klasa politike e Tiranës dhe Prishtinës

Në një analizë e të dhënave nga statistikat zyrtare të Kosovës dhe të Shqipërisë, me shifra e fakte kam treguar rënien drastike të numrit të popullsisë në dy shtetet shqiptare. Atë analizë e botova në disa media (5 janar 2015, me titull: A po vetëzhdukemi si komb dhe si popull?, dhe e ribotova të zgjëruar në 9 prill 2018, me titull: Indiferencë idiotike ndaj rënies demografike).

Adil Fetahu

19/12/2018 - 07:45

Sipas parashikimeve dhjetëvjeçare që ka botuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, në variantin e mesëm, sipas prirjes së rënies së numrit të popullsisë, Kosova në vitin 2061 do të ketë 36,543 banorë më pak se ç`kishte në vitin 2011! Sipas analizës së të dhënave të statistikës zyrtare, në vitin shkollor 2006/2007, në Kosovë ishin regjistruar 38,187 nxënës në klasën e parë, ndërsa në vitin shkollor 2011/2012 ishin 28,481, apo 9706 fillestarë më pak. Nëse marrim një mesatare nga 300 nxënës për një shkollë,  del se për 5 vjet, janë zhdukur 32 shkolla! A s’është kjo prirje për t’u brengosur dhe alarmuar?!

Në Republikën e Shqipërisë të dhënat e statistikës zyrtare ishin edhe më alarmante. Ndërsa në vitin shkollor 2004/2005 në klasën e parë u regjistruan 54,542 nxënës, në vitin shkollor 2011/2012 u regjistruan 38,425, apo  16,117 nxënës më pak se shtatë vjetë më parë!

“Shqipëria po shuhet”!

Njëlloj paraqitet gjendja në një raport të Divizionit të Popullsisë pranë Kombeve të Bashkuara, nga analiza e tij e vitit 2017, me titull: “Plakja e Popullsisë në Botë”. Sipas raportit, Shqipëria renditet e teta, në mesin e 10 vendeve (kombeve) të botës që po shkon drejt shuarjes, si pasojë e dinamikës së plakjes së popullsisë që ka pasur në periudhën e viteve 2000-2011. Faktorë kryesorë të këtij fenomeni janë emigrimi dhe rënia e lindjeve, por një faktor tjetër shtesë është indiferenca e shtetit për t’u marrë me këtë problem. Gjithnjë sipas të dhënave që jepen në raportin e KB, del se në Shqipëri numri i të moshurëve mbi 60 vjeç, në periudhën 2000-2011, është shtuar për 7,3%. Në vitin 2017 në Shqipëri ishin 93,000 qytetarë mbi 60 vjeç, më shumë se sa kanë qenë në vitin 2011. Kjo grupmoshë e popullsisë mbi 60 vjeçe, në vitin 2011 ishte 15,4%, ndërsa në vitin 2017 arriti në 19%. Statistikat demografike thotë se një popull do të zhduket popqese numri i banorëve të moshuar mbi 60 vjeç arrinë të jetë 2,5 herë më i madh se numri i banorëve të grupmoshës deri 19 vjeç. Në Shqipëri numrat e këtyre dy grpmoshave gati janë barazuar dhe me dinamikën e emigrimit të të rinjëve dhe me prirjen e rënies së lindshmërisë,  shumë shpejtë do të arrijë pragun e fillimit të zhdukjes. Kjo prirje vazhdon të përkeqësohet, dhe sipas raportit të KB, parashihet se në vitin 2030 popullsia e Shqipërisë me moshë mbi 60 vjeçe do të arrijë 26,6%, bile dhe kjo me kusht që në ndërkohë të mos ketë ndonjë valë të fortë të emigracionit.  Alarmante, apo jo?!

Raporti ofron të dhëna krahasuese për dinamikën e plakjes së popullsive në botë, dhe thotë se shkallën 7,3%  të plakjes së popullsisë,  të cilën Shqipëria e ka arritur brënda 11 vjetëve, Franca e ka arritur për 115 vjet, Suedia për 85 vjet, Australia për 73 vjet, e kështu me radhë.  Të dhënat e publikuara nga Kombet e Bashkuara në vitin 2015, kishin shënuar se 1,12 milion shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë jashtë vendit të tyre, nëpër botë: 450 mijë në Itali, 440 mijë në Greqi, 80 mijë në SHBA, e kështu me radhë nëpër shtetet e Europës. Ky numër paraqet 40% të popullsisë rezidente që kishte Shqipëria në vitin 2011 (2,86 milionë banorë).

Sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar për periudhën 1995-2012, emigrimi i të rinjëve, si fuqi e kualifikuar e kontigjentit punues, ka pasur efekt negativ në brutoprodhmin e vendit 18%, që është humbja më e lartë në vendet e rajonit.

Dhe së fundi, sipas një varianti që paraqet raporti i Divizionit të Popullsisë i Kombeve të Bashkuara, në vitin 2100  Shqipëria do të ketë (vetëm) 860 mijë banorë, ndërsa sipas variantit më optimist, me kusht që emigracioni të jetë 0, mund të ketë 1,6 milion banorë!

***

Qeveritë tona në Shqipëri e në Kosovë as që duan të dëgjojnë për këtë çështje madhore, e lëre më të ndërmarrin masa të përputhshme për ndaljen e kësaj prirje të rrezikshme: vetëzhdukjes së kombit!   

Ylli Përmeti: popullsia e Shqipërisë do të rrudhet me më shumë se 1 milion për 50 vjet

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA