Përse vdiq Astrit Dehari?
Bislim Elshani
19/11/2016 - 15:01
Do të doja që kësaj pyetjeje t'i përgjigjen që të gjithë, edhe ata që e akuzuan për terrorizëm, ndonëse askush nuk e ndjente veten të terrorizuar nga aktet e VV, edhe pse ndonjëherë ato dukeshin të tepruara dhe linin shije të keqe. Do të doja të përgjigjeshin edhe hetuesit e Astritit, se a ishte nevoja që ky djalë i ri, student i mjekësisë, të kërcënohej me deportime jashtë vendit e me shumë vite burg për një veprim, i cili edhe po të vërtetohej, realisht nuk do të ndëshkohej me më shumë se disa vite burg? Më intereson të di se sa kanë ndryshuar metodat e tyre të hetimit nga ato të paraardhësve të tyre të UDB-së serbe e jugosllave, të cilat s'njihnin dhe as që donin të njiheshin me metoda shkencore hetimi, pos me dajakun dhe me imponimin me dhunë të pranim-fajit? Nëse është e vërtetë që Astriti kishte nisur të bashkëpunonte me ta, siç nënvizoi një gazetë, a ndodhi kjo pas kërcënimeve të tyre, apo sepse ia mbushën mendjen Astritit se hetimi i tyre ishte në interes të një kauze më të drejtë e më të madhe se sa ajo e VV?
Do të doja të dija se përse Drejtori i burgut të Prizrenit nuk dha dorëheqje menjëherë për të lehtësuar hetimet, ose përse nuk u suspendua që në ditën e parë të rastit tragjik nga organet më të larta, gjersa brenda institucionit që drejton ai ka ndodhur një vdekje, përkatësisht, ka vdekur një "terrorist", i cili me vdekjen e tij "do të ketë dëmtuar rëndë sigurinë e vendit tonë", duke marrë me vete sekretin e "rrezikut të madh" që i kanoset vendit nga "organizata terroriste" të cilës i takonte? Gjithkund në botë terroristët mbahen nën vëzhgim të rreptë gjatë hetimeve - përse kjo gjë nuk ndodhi edhe me Astrit Deharin? A do të duhej që një i dyshuar për terrorizëm të mbahej në izolim të plotë apo në shoqëri me të burgosur të tjerë? Mos vallë akuza kundër tij s'qe veçse një farsë, të cilën viktima nuk e kuptoi si të tillë, por e mori më seriozisht seç duhej? Do të doja të dija nëse doktoresha e burgut, atëherë kur u fut në dhomën e burgut ku gjendej Astriti, e gjeti atë të gjallë apo të vdekur? Ato 21 sekonda sa qëndroi ajo brenda dhomës (sipas videoincizimit), i mjaftuan vallë për ta konstatuar vdekjen? Po nëse kishte akoma shenja jete, a nuk duhej t'i ofronte viktimës ndihmën e parë? Do ta akceptoja përgjigjen e saj qoftë edhe në rast se kështu e kërkokan rregullat e burgut, dmth. që të respektohet deri në fund "e drejta për vetëvrasje".
Do të doja të dija se përse pushtetarët tanë dhe institucionet tona nuk i ofruan asnjë satisfaksion moral familjes Dehari për dhimbjen e përjetuar, duke ndërmarrë çfarëdo veprimi që do të tregonte një reflektim vetëkritik mbi një situatë, e cila që në çastet e para dukej qartë se nuk po administrohej profesionalisht e në mënyrë korrekte nga organet përkatëse (deklarata mbi intoksikimin me barëra, rrjedhja e informacionit dhe e video-incizimeve në median publike, deklarata të ngutshme zyrtare që synonin qysh më parë të shmangnin çdo përgjegjësi). Kësisoj, ata humbën besueshmërinë jo vetëm kundrejt familjes Dehari, po dhe kundrejt të gjitha familjeve tjera kosovare që do të mund të ndodheshin para një sprove të ngjashme tragjike.
Do të doja që pyetjes së titullit t'i përgjigjen sinqerisht edhe drejtuesit e VV, se mos e kanë vendosur eventualisht njërin ndër pjesëtarët e tyre më të devotshëm në një çorrsokak moral nga ku e ka pasur të pamundur që të dalë? Pyetja më madhore që duhet t'i shtrohet VV, ose që ata duhet t'ia shtrojnë vetes, pavarësisht rastit të fundit tragjik, është: A duhet të vdiset akoma për pavarësinë e Kosovës dhe për të drejtën e saj të vetëvendosjes, apo vetëvendosja është tashmë një akt politik që Kosova e ka konsumuar në vitin 2008? A janë problemet me të cilat po ndeshet aktualisht Kosova të tilla që të arsyetojnë aktet ekstreme apo sublime, të vrasjes, të vdekjes apo të sakrificës? Është e vërtetë e pamohueshme që deri më tani nuk është shënuar asnjë viktimë që të ketë humbur jetën nga veprimet e Vetëvendosjes, dhe pavarësisht akuzave që ia drejton ndonjë kundërshtar i saj politik, ajo është organizata më e lënduar, më e cenuar dhe me numrin më të madh të viktimave në Kosovë. Mirëpo në zhvillimet e sotme në kuadër të procesit të rrumbullakësimit të pavarësisë së plotë të Kosovës, a janë të nevojshme akoma vdekjet, madje të pjesëtarëve të asaj gjenerate që duhej t'i gëzonin frutat e lirisë, dhe jo të sakrifikoheshin për to?
A ishte Astrit Dehari viktimë e një fundi të vetëpërcaktuar, viktimë e kodit tradicional të nderit, viktimë e një neofashizmi apo viktimë e radhës e një "thanatopolitike" dhe një gjendjeje të përhershme të jashtëzakonshme, siç e definon këtë G. Agambeni?
Astrit Dehari vdiq duke na e përplasur me rrapëllimë përpara hunde derën që ndan jetën nga vdekja. Ne nuk mund te jemi të qetë deri sa të mos e gjejmë të vërtetën e plotë të kësaj përplasjeje. Sepse nuk duhet t'i fshehim edhe më tej nën rrogoz pyetjet përgjigjet e të cilave na shkaktojnë dhimbje.
Drama që ka përjetuar në shpirtin e tij Astrit Dehari pasditen e 5 nëntorit, është njëkohësisht drama që po luhet në shpirtin e gjallë të Kosovës. Në rast se nuk u jepen përgjigje të qarta, të drejta e të ndershme të gjitha pyetjeve që po e preokupojnë Kosovën sot, asfiksimi që ka goditur mushkëritë e Astritit mund të bëhet asfiksimi i të ardhmes së Kosovës.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 17 reads



