...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Alarmi i kreut të SPAK-ut dhe arsyet pse Rama s`ka frikë nga drejtësia

Rama e ka kthyer veprimtarinë kriminale në Shqipëri në një industri të mirë-organizuar ndërsa shtiret se po e lufton atë me prokurorinë e tij (të përgjithshmen) dhe policinë.

Ylli Përmeti

05/04/2024 - 09:48

Kreu i SPAK-u paraqiti dje një sërë shqetësimesh në KLP. Një ndër shqetësimet e tij kryesore ishte fakti se “institucionet” që kanë për detyrë të raportojnë shkeljet ligjore ose zvetënimin e zyrtarëve, qofshin ato në nivel qendror apo vendor, nuk raportojnë në SPAK veprat penale.

Raportimet, sipas tij, kanë rënë me 40 për qind krahasuar me vitin 2022. Ndaj ai ngriti shqetësimin se SPAK-u i vetëm nuk mund ta “përballojë luftën kundër korrupsionit”. Në raportin vjetor të SPAK-ut ndërkohë, paraqiten 10 shqetësime, kryesisht lidhur me nevojat e institucionit (si mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre; mungesa e këshilltarëve ligjorë etj.).

Me të tej raporti tregon veprimtarinë kriminale të grupeve kriminale në Shqipëri dhe bashkëpuntorët e tyre, të cilët përfshijnë grupet kriminale jashtë Shqipërisë por dhe “oficerët e policisë së shtetit” të niveleve të ndryshme dhe “funksionarë të organeve të drejtësisë”; kryetarët e fshatarve (ose kryepleqtë); dhe “biznesmenët e fuqishëm”, kryesisht në “nivel lokal, të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit kyç, ku përveç marrëdhënieve tregtare, iu janë ofruar grupeve lidhjet e tyre me policinë e shtetit, organet e drejtësisë dhe administartës publike, kryesisht në dhënien e informacioneve ose kontakteve me të tretët”.

Nga harta e përpiluar nga institucioni duket qartë se veprimtaria kriminale është përhapur në qytetet kryesore të Shqipërisë ku mbizotërojnë kultivimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike dhe pastrimi` parave. Këto veprimtari janë zhvilluar dhjetë vitet e fundit me “qeverisjen” e Ramës, sepse nga “qeverisja” e Berishës ai trashëgoi vetëm kultivimin e kanabisit në një fshat të vetëm: Lazarat.

Që nga ajo kohë Rama e ka kthyer veprimtarinë kriminale në Shqipëri në një industri të mirë-organizuar ndërsa shtiret se po e lufton atë me prokurorinë e tij (të përgjithshmen) dhe policinë.

Kuptohet shtirja e Ramës jo vetëm nga industria përkatëse por dhe nga fakti që përmendi kreu i SPAK-ut: se lufta kundër konrrupsionit po pengohet nga Rama. Ai nuk përdori ato fjalë, sigurisht, por tha se administrata nuk raporton krimet institucionale. Por dihet se administrata publike “drejtohet” nga Rama, e cila me siguri është urdhëruar të mosraportojë, me qëllim që t`ia bëjë më të vështirë luftën kundër korrupsionit SAPK-ut dhe të mbrojë krimin e organizuar.

Kështu, kreu i SPAK-ut e bëri të qartë si kristali nevojën e krijimit të një qeveri teknike dhe shporrjen e një ndër pushtetarëve më të rrezikshëm që ka parë historia e Shqipërisë një qind e ca vitet e fundit.     

Por si shpjegohet që Rama dhe Veliaj, ministrat dhe drejtorët e tyre, nuk kanë frikë nga SPAK-u?

Thuhet zakonisht se institucioni i ri i drejtësisë u “kall datën” pushtetarëve! Por fakti që ata kanë vjedhur si kurrë më parë, në mënyrë të organizuar, sipas parimit, “çdonjëri në çifligun e tij bën çfarë të dojë”, dhe po vjedhin dhe do të vazhdojnë të vjedhin, tregon pikërisht mungesën e frikës së tyre. Një njeri që s`ka frikë nga drejtësia ose është vërtet i marrë ose është trim. Por është e vështirë t`i quajmë trima pushtetarët si Rama, sepse nuk kanë treguar ndonjë trimëri të veçantë, për shembull, në dobi të atdheut, por vetëm “trimëri” për rrënimin e tij.

Megjithatë, fakti që Rama po vazhdon të “përkëdhel” me pasuri kombëtare amerikanët, ai beson se nuk do të ndëshkohet nga drejtësia.

Kështuqë, nuk është “trimëria” e tij që e bën atë “sypatrembur” nga drejtësia por besimi i tij se nuk do të ndiqet penalisht, as sot nga Bajdeni dhe as nesër nga Trampi. Besimin e tij ai e përcjell dhe tek të emëruarit e tij dhe kështu të gjithë bashkë vjedhin në mënyrë të organizuar.   

Ndaj dhe pretendimi i Berishës, se Rama mbikëqyr SPAK-un, ndaj nuk ndiqet penalisht, nuk mbështetet në fakte: sepse SPAK-u dihet botërisht se mbikëqyret nga amerikanët ndërsa Rama po luan me pasuritë tona kombëtare dhe administratën publike pikërisht për të penguar drejtësinë.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA