...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çani, Arlindi dhe pedagogët e partive: kodra pas bregut për çështjet (gjeo)politike dhe shoqërore

Arlindi, ndryshe nga pretendentët e tjerë të pushteteve politike të shtetit tonë, vazhdon të jetë i pakorruptuar në raport me klasën e vjetër politike dhe mund të kontribojë në ndryshimin e dinamikës por do të dështojë nëse vazhdon të frymëzohet nga autorë joshkencorë; nuk ndjek realitetin (gjeo)politik; dhe...

Ylli Përmeti

19/01/2024 - 19:24

Në një shfaqje tjetër publike në një nga programet e Çanit në MCNtv, meqënse nuk i mjaton ai i ABCnews-it, “gazetarit” që turpëron si gazetarinë shqiptare ashtu dhe veten, kryesisht sepse censuron zërat kritikë dhe nuk lexon mjaftueshëm shtypin, zhvilloi një bisedë me Arlind Qorin, kryetarin e Lëvizjes Bashkë dhe disa “pedagogë” dhe “gazetarë” partish, tipa si “Curri”, të cilin Çani e ka lartësuar si Kleopatra perandorin e Romës së Lashtë, Çezarin, dhe e ka bërë të “gjithëditur” dhe me “autoritet” shkencor, lidhur me ‘revolucionin’ e Qorit por u përqendruan në tre tema kryesore: armatosjen e Kosovës; mundësinë e bashkëpunimit të Lëvizjes Bashkë me “forca” të tjera politike; dhe korrupsionin.  

Për temën e parë Qori mbajti një qendrim që nuk më befasoi, sepse pak javë më parë kishte mbajtur të njëjtin qendrim në një shfaqje tjetër publike por më dhembi meqënse në një seri analizash dy-tre vitet e fundit kisha treguar arsyet se pse Serbia mund ta sulmojë Kosovën dhe arsyet se pse ne e kemi të humbur luftën me të; kam treguar, gjithashtu, dhe faktin se si Serbia ashtu dhe ne mund të zgjedhim ose rrugën e një traktati ose rrugën më të mirë―Sigurinë Evropiane të nënshkruar në vitin 1999 nga anëtarët e OSBE-së; dhe kam treguar, në fund, se NATO-ja ose KFOR-i s`ka mandat për të luftuar kundër një mësymësi në Kosovë por të ndihmojë policinë dhe ushtrinë e saj në përpjekjen e saj për të ruajtur rendin dhe mbrojtur vendin dhe mandati i tij nuk mund të ndryshojë tashmë, sepse miratohet nga Këshilli i Sigurimit.

Duke qenë se Tirana (por dhe Prishtina) i ka heshtur të vërtetat në fjalë dhe ka ushqyer shpresën e kotë (ose iluzionin) se Kosovën e mbron NATua, dhe rrjedhimisht, nuk ka vepruar për të parandaluar një luftë të mundshme, javën e fundit po diskutohet “armatosja” e Kosovës me disa anti-tanke amerikane. Ky zhvillim është i “mirëpritur” thonë disa zëra meqënse Serbia kërcënon me luftë dhe vetëm kaq dhe nuk tregojnë gjithë të vërtetat që tregoj në analizat përkatëse: se edhe nëse Kosova “armatoset”, ajo s`ka asnjë gjasë për t`u baraspeshuar me Serbinë edhe nëse bashkohet me Shqipërinë, të paktën në afatshkurtër (2 deri 10 vitet e ardhshme).

Serbia, madje, do të jetë më agresive pasi të ketë mbaruar lufta në Ukrainë dhe të jetë shpallur fitimtari, Rusia, sidomos në kushte kur dihet se si Prishtina ashtu dhe Tirana ushqejnë armiqësi ndaj Moskës (më shumë se Uashingtoni) ndërsa në një analizë të papublikuar parashikoj dhe vitin se kur do të sulmojë Serbia.

Mundësia e luftës mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe pasojat e saj

Një tjetër çështje që ngritën “gazetarët” e tipit “Çani” dhe pedagogët e partive, të cilëve Arlindi u mbante “iso”, ishte nevoja për të ndryshuar si shtet: nga historikisht të pushtuar tani të mendojmë se si të zhvillojmë aftësinë e pushtimit, hamendësisht të fqinjëve tanë, sepse, sipas tyre, “vetëm popujt me aftësi pushtuese mbijetojnë”!

Qori, në fjalë të tjera, s`e ka kuptuar ende se Çani shkel ligjin e medias dhe nuk i shërben të vërtetës dhe popullit kur censuron, fakt të cilin ai e ka pranuar në një shfaqje publike në ABCnews, pikërisht lidhur me të, dhe për të njëjtën arsye ai mund të ndiqet penalisht (nga unë, meqënse e kam në plan ndjekjen penale të gjithë medias kombëtare) ndërsa dihet se ai ka shijuar “famë” dhe rroga të majme pikërisht nga klasa politike që “lufton” Arlindi dhe dihet se pse “shtrëngohet” për ta ftuar atë në programin e tij “dijësues”: sepse e ka kuptuar se klasa e vjetër poltike, prej të cilës ai ka jetuar si “pasha”, i ka ditët e numëruara dhe si i “squt” që është, përgatit fushëveprimin me ‘pushtetarët’ e rinj. 

Po çështja e luftës me Serbinë është tejet e rëndësishme dhe ata që ftohen dhe mbajnë qendrime publike, ose duhet të jenë në dijeni të plotë të realitetit në të cilin gjendemi ose s`mbajnë qendrim. Megjithatë, Arlindi e ka bërë zakon tashmë të mbajë qendrime pa qenë në dijeni të plotë të një dukurie apo çështjeje! Fundja nuk është hera e parë që ai vepron kështu: si duket, s`e ka kuptuar ende se “mban mbi supe” votat e disa dhjetra themeluesve të organizatës dhe mijëra votuesve.

Sidoqoftë, pyetjes së Çanit për mundësinë e bashkëpunimit në një “front” Qori përjashton klasën e vjetër politike ndërsa lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit ―në një front të vetëm― me Lapajn dhe Shabanin! Në fjalët e tij: “do varet shumë mënyra se si ata i qasen politikës”, sepse “për ne është shumë e rëndësishme guximi politik, për ta thënë të vërtetën, për të mos kursyer askënd”…të përmendin, në fjalë të tjera, të ‘vërtetat” që thotë Qori: të tregojnë oligarkinë ekonomike; të ndahen nga klasa e vjetër politike etj.

Ai, në fjalë të tjera, jo vetëm që vazhdon të tregojë gjysmë të vërteta, si në rastin e ‘oligarkisë’, të cilën e kupton vetëm në terma ekonomikë, por do të bashkëpunojë me ata që kam quajtur të korruptuar prej vitesh dhe jam gati që qendrimin tim ta mbroj dhe në shesh. 

Fushata politike ka filluar dhe bashkë me të “rrëfenja e madhe”

Në fund, vlen të përmendet fakti se Qori synon ta luftojë korrupsionin me “institucione të forta dhe me shembuj”. Në fjalët e tij: “Korrupsioni luftohet me institucione të forta por dhe duke dhënë shembullin”! Kjo është qasja e përgjithshme e elitave qofshin ato marksiste apo liberale dhe neoliberale. Mirëpo kjo qasje ka dështuar dhe Arlindi, më shumë se kushdo tjetër, duhet ta kishte kuptuar këtë fakt.

Në të vërtetë, ai “frymëzohet” nga një studim të cilin e përmendi në faqen e tij pasi u njoftua protesta kundër korrupsionit. Hamendësisht për të krijuar një farë ‘mburoje’ akademike për ata që e ndjekin―se ai do t`i përmbahësh studimeve lidhur me dukurinë dhe jo përshtypjeve të tij. Bëhet fjalë për studimin e Bruce Buchan dhe Lisa Hill: “Një histori intelektuale e korrupsionit politik”.

Por ata jo vetëm nuk i përmbahen kuptimit Aristotelianist (këtë të fundit e citojnë nga autorë të tjerë dhe jo nga shkrimet e tij) por nuk e shohin atë nga një këndvështrim shkencor (shkakor) dhe sistemik por thjesht tregojnë kuptimin klasik të korrupsionit (si një gjendje e përgjithshme që përhapësh përgjatë qytetit në mënyrë ngjitëse duke infektuar si udhëheqësit ashtu dhe qytetarët) krahasuar me kuptimin e botës moderne (zyrë publike për fitime vetjake), meqënse është krijuar bindja se koncepti ynë ndryshon rrënjësisht me konceptin klasik, duke ‘sfiduar’ bindjen përkatëse dhe duke treguar se qasjet kanë bashkëjetuar, pavarësisht se në fund bëjnë një qasje sistemike: se korrupsioni modern “nuk mund të fitonte mbështetje në Athinë dhe Romë sepse praktika e drejtësisë nuk përkonte gjithnjë me gërmën e drejtësisë; domosdoshmëria e strukturave shoqërore, ekonomike dhe politike mungonte; dhe atmosfera morale vishësh me ngulminë e normave përmbysëse dhe dhuruese”.

Ky përfundim shpërnjeh rëndësinë e filozofëve të antikitetit dhe edukimit në Athinën Klasike por dhe në Romën e Lashtë pavarësisht se natyra e edukimit mes këtyre paradigmave shoqërore ndryshonte gati rrënjësisht. Si i tillë, ai nuk është tërësisht shkencor në qasjen e tij dhe këtë fakt duhet ta kishte kuptuar më shumë se kushdo tjetër një pedagog i shkencave politike si Arlindi dhe kryetar i një partie politike. Përgjegjësia e tij, në fjalë të tjera, është e dyfishtë. 

Megjithatë, Arlindi, ndryshe nga pretendentët e tjerë të pushteteve politike të shtetit tonë, vazhdon të jetë i pakorruptuar në raport me klasën e vjetër politike dhe mund të kontribojë në ndryshimin e dinamikës por do të dështojë nëse vazhdon të frymëzohet nga autorë joshkencorë; nuk ndjek realitetin (gjeo)politik; dhe nuk ndryshon qasje: se ai mban qendrim publik për një dukuri apo çështje që shqetëson shoqërinë tonë vetëm kur ka hetuar dhe shqyrtuar dhe nuk flet kurrë me ‘përshtypje’ siç flet prej vitesh dhe këtë qasje e themelon në ‘gjirin’ e partisë. 

Për më shumë:

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA