Diplomacia blinkeniste: “be kind and bury later”
(“sillu me përulje por kalle më vonë”)
Ylli Përmeti
16/02/2024 - 08:42
Vlerësimi i Blinkenit se Rama është një “udhëheqës i shquar dhe kryeministër shumë i mirë”, duhet parë në logjikën që sqaroi vetë ai, se Rama “ka qenë pranë nesh” për të përballuar krizat që ka shkaktuar në të vërtetë vetë politika e jashtme amerikane rreth botës, për të cilën nuk është përgjegjës tërësisht Blinkeni por gati gjithë klasa politike amerikane, si në Afganistan ashtu dhe në OKB, ku politika jonë e jashtme u përputh gati tërësisht (përjashto një rast kur nuk votoi kundër Kubës) me politikën e jashtme amerikane. Duhet parë dhe në kuptimin e diplomacisë “blinkeniste”: “përuljes”.
Kjo është një sjellje kryesisht fetare por përdoret shumë në diplomaci, nga shumë pushtete politike, dhe sidomos nga “konservatorët”. Përmes saj “diplomatët” tregojnë “përulësi” ndaj tjetrit qoftë edhe kur dihet se raportet janë të pabarabarta, si në rastin “Blinken-Rama”: sepse dihet se Rama varet më shumë nga Blinkeni se sa anasjelltas. Pabarazia kryesore mes tyre gjendet si lidhur me pushtetin politik (për të fituar pushtetin politik në Shqipëri, Ramës dhe jo vetëm atij, i nevojitet mbështetja amerikane) ashtu dhe lidhur me pushtetin ekonomik dhe ushtarak.
Për nevojën e pushtetit ekonomik amerikan Rama e bëri të qartë dhe dje kur tha se ne kemi nevojë për “investimet amerikane” (kujto lëshimet që ka bërë ndaj investitorëve amerikanë në sektorin e energjitikës kur ishte Kimi ambasadore) ndërsa ai e di se “rendin” ku kërkon të integrohet Shqipëria e drejton SHBA-ja. Lidhur me pushtetin ushtarak, prej të cilit buron një përqindje e madhe e sigurisë sonë kombëtare, dihet se ne s`kemi ushtri dhe për pasojë mbështetemi gati tërësisht në ushtrinë amerikane.
Kjo varësi pushtetore, për të cilën besoj Blinkeni është në dijeni, e bën atë të ndihet “këndshëm”, madje të “lumtur” siç tha dje në Shqipëri ndërsa Ramën jo: jo vetëm sepse ai e di se pushteti i tij është “frut” dhe i amerikanëve por ai e di gjithashtu se amerikanët (jo Blinkeni) mbikëqyrin drejtësinë në Shqipëri; dhe di, në fund, se krimet e tij politike s`kanë fund.
Por nuk besoj se ai e njeh thënien amerikane “be a little kinder than you have to”, e krijuar nga një noveliste amerikane, bashkëmoshatare me Blinkenin dhe Ramën (E. Lockhart), dhe thënie të tjera të ngjashme që lidhen me diplomacinë amerikane.
Diplomacia blinkeniste, në fjalë të tjera, shfaqet me përulje (kryesisht sepse e ka në karakter) pavarësisht se ai e di se ai është më i pushtetshëm se Rama. Por ajo bart një të vërtetë të madhe: se ai vërtet sillet me përulje, dhe është në aftësinë e tij për të qenë i tillë, por ai ka gjithashtu mundësinë e “kalljes” së Ramës, sepse është tjetër çështje diplomacia dhe tjetër çështje drejtësia. Kështu ai vërtet u soll me përulje por ai s`ka rrugë tjetër veç ta kallë Ramën.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 51 reads