...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Grabitja e disafishtë e banorëve të Thethit nga qeveritarët

Rasti` Thethit është së pari shkelje ligjore nga qeveritarët por dhe pabesi e disafishtë, dhe ka qëllime grabitqare

Ylli Përmeti

12/07/2025 - 09:46

Unë që mbaj shënime politike të paktën njëzetë vitet e fundit e di se sa janë në numër gënjeshtrat (dhe rrjedhimisht krimet politike) të Ramës dhe Berishës: më shumë se një libër me dy vëllime ose rreth 2 mijë faqe. Ndaj dhe thirrja ime ka qenë —që në vitin 2010— për mos mbështetjen e klasës politike në tërësi dhe për organizim paralel politik.

Por shumica e shqitarëve ndjek televizionet e tyre përmes të cilëve e hanë sapunin për djathë dhe përfundojnë si banorët e Thethit: sepse shumë besuan se Rama do t`ua falte gjobat dhe madje do t`i ndihmonte për të zhvilluar ekonomitë e tyre “turistike” por gënjshtra nuk zgjati më shumë se dy muaj.

Tani shumë prej tyre, që e mbështetën Ramën me votë, po i bien kokës me këmbë por “vate ajo punë”. Nga ana tjetër Rama me prishjen e ndërtesave të tyre ka përgatitur leje të reja ndërtimore, ku do të përfshihet ai dhe disa pasanikë që mban pranë, me Kastratin dhe Manen të jenë pjesë e “projektit turistik” të Ramës ose kryeoligarkut në Theth…

Taktika që është ndjekur dhe do të vazhdojë të ndiqet nga pushteti politik, në nivel qendror apo vendor, lidhur me ndërtimet pa leje, është si fijon: si fillim e lënë qytetarin e zakonshëm, atë që s`ka dije ligjore lidhur me ndërtimet por as e kërkon atë, të ndërtojë, dhe pastaj fillojnë dhe e gjobisim që t`i marrin ndonjë lekë. Në rastin e Thethit shtohet dhe “legjislacioni shtrëngues” siç e quajti Rama vitin e kaluar, për shkak të statusit juridik që ka vendi përkatës si “park kombëtar”. 

Për të bërë dallimin, kur punoja në ndërtim ndërsa studioja në Britani, dhe mbikëqyrja proceset ndërtimore, asnjë nuk fillonte pa ardhur inspektori` bashkisë dhe pa dhënë ai udhëzimet e tij. Në vendin tonë nuk ndiqet kjo praktikë pavarësisht se ligji detyron bashkitë që mbikëqyrin proceset ndërtimore të çdo banori.

Ndaj dhe ata që bëjnë me faj vetëm qytetarët e Thethit për ndërtimet pa leje dhe nuk bëjnë qeveritarët, ose janë vërtet qorra dhe trutharë ose marrin ndonjë rrogë nga qeveria dhe mundohen bashkë me të, të fajësojnë vetëm ndërtuesit pa leje ndërsa shfaqen dhe si njerëz të “rendit” dhe “ligjit” dhe kështu mashtrojnë edhe një here qorrat dhe trutharët.

Rasti` Thethit, në fjalë të tjera, është së pari shkelje ligjore nga qeveritarët por dhe pabesi (meqënse përpara zgjedhjeve Rama kërkoi deri diku besën e tyre kur u kërkoi votën dhe u premetoi se do t`ua falte gjobat) e disafishtë, dhe ka qëllime grabitqare—pastaj është dhe papërgjegjshmëri e qytetarëve sa u përket ligjeve në fuqi dhe mashtrimeve politike të partive politike.

Ndaj grabitjes përkatëse Spaku apo organet e tjera hetimore duhet të kishin nisur hetimet. Por dihet se drejtori` Spakut është shitur tashmë. Kështuqë revolta e tyre është e drejtë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA