Jemi vërtet të pavarur ne shqiptarët?
Në socializmin marksist kishim liri të kufizuar por siguri të lartë ndërsa në globalizmin neoliberal të 30 viteve të fundit kemi liri vetëm për të “llapur” poshtë e lartë dhe aspak siguri si në nivel kombëtar ashtu dhe shoqëror dhe familjar
SHJ
28/11/2016 - 08:06
Kujtojmë, meqënse shumë sot dhe nesër do të na kujtojnë ditët e pavarësisë së Shqipërisë...se Shqipëria e ka humbur pavarësinë që fitoi qoftë në 28 Nëntor të vitit 1912 nga perandoria otomane qoftë në 29 Nëntor të vitit 1944 nga nazistët gjermanë, në të gjithë nivelet, sepse duam, në shumicën tonë, të integrohemi në globalizmin neoliberal ku vendet e vegjël humbasin pavarësinë politike dhe rrjedhimisht dhe ekonomike dhe shoqërore ndërsa kemi braktisur parimin e vetëmjaftueshmërisë...
Në nivel politik ajo diktohet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Në nivel ekonomik ajo varet nga investimet e të huajve. Për shembull, së fundmi, u përmend mbyllja e qendrave telefonike, ose mashtrimit të organizuar, ose “call center-ave”, sepse Senati italian do të miratojë ndryshimet në ligjin për këto qendra. Domethënë, do të shtrëngohen kushtet për zhvendosjen e qendrave telefonike në një vend jo të BE-së. Përtej faktit që këto ndërmarrje varen nga mashtrimi i organizuar që kryejnë përmes thirrjeve telefonike, dhe kërkesa mund të bierë në afat-mesëm, sepse kriza ekonomike do të intesifikohet, dhe shpesh keqadministrohen, 25 mijë punonjës në këto qendra kërcënohen me papunësi.
Shkurt, ndërmarrjet “tona”, kapitaliste, varen nga epshet e elitave dhe kapitalistëve të huaj dhe shoqërive të huaja. Ndërsa zhvillimi ynë, tërësor, varet nga borxhet që marrim nga të huajt. Dhe dihet se kur një popull jeton me borxhe i nënshtrohet kërkesave të borxhlliut. Në këtë raport, fjala e urtë popullore, “më mirë të flesh pa darkë dhe të zgjohesh pa borxhe”, s’ka asnjë kuptim.
Nivelin social, pastaj, e përcakton niveli politik dhe ekonomik. Kur humbet këto të fundit, vlerat sociale dhe trashëgimnia jonë, e popullit, tregëtarizohet në sallonet e borgjezive të huaja...dhe nëse Shqipëria është kështu, Kosova dhe shqiptarët e tjerë rreth Shqipërisë së “pavarur”, gjenden edhe nën represionin e vendeve që “rastisë” të na kontrollojnë edhe në nivel ushtarak.
Për shembull, hapësirën ajrore të Shqipërisë e kontrollon Greqia dhe Italia. Të Kosovës KFOR-i por flitet se do t’i kalojë Serbisë. Domethënë, nga një i huaj, tek një tjetër! Dhe fqinjët tanë nuk na kontrollojnë vetëm në nivelin ushtarak. Por edhe në nivel ekonomik dhe politik dhe rrjedhimisht, dhe social...pushtuesit tanë të “rinj” janë të njëjtët: Greqia, Italia, Turqia, Arabia Saudite dhe ca të tjerë!
Etërit tanë luftuan për të çliruar veten dhe fëmijët e tyre. Ne, me injorancën dhe apatinë tonë, po punojmë të shkatërrojmë veten dhe fëmijët!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 133 reads



