...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kandidatët profkëmëdhenj për president dhe nevoja për një shuplakë popullore

Shkojmë nga një president që këpuste profka “vojokushiste” në një president me profka “pellazgjike”.

Ylli Përmeti

18/04/2022 - 15:15

Në disa vende perëndimore vitet e fundit diskutohet çështja e zgjedhjes së presidentit nga populli. Në vendin tonë nuk mungojnë zëra të ngjashëm: Ilir Meta, për shembull. Hamendësisht sepse presidenti nuk u shërben popujve. Mirëpo nuk na përmendin rolin e tij në raport me popullin! Na thonë, në fjalë të tjera, ta zgjedhim presidentin nga populli por pa parapërcaktuar rolin e tij në raport me popullin as rolin e popullit në raport me presidentin!

Për të njëjtën arsye ky debat është një mashtrim tjetër: sepse bota moderne (me ‘moderne’ kuptohet periudha kohore e dy shekujve të fundit) jo vetëm që shtrembëroi kryekëput kuptimin e demokracisë por përmbysi dhe kuptimin dhe rolin e një presidenti.

Etimologjikisht fjala “president” buron nga latinishtja: prae (përpara) + sedere (se të ulesh) dhe nënkupton ceremoninë e një individi që emërohet në ofiqin më të lartë të një shteti. Ky titull në kohën romake i atribuohësh një njeriu që ‘drejtonte’ një debat publik sesa një njeriu që drejtonte një popull. Në rastin e parë nënkupton një individ që ka pushtet shumë të përkohshëm: nga disa minuta deri në disa orë - në varësi të çështjes. Në rastin e dytë – nënkupton një individ të përhershëm meqënse mandati i tij buron nga pushteti politik i një shteti dhe për disa vjet dhe jo nga populli.

Në vendin tonë zgjedhja e presidentin varet nga dëshira e jo më pak se 20 deputetëve (Neni 87 i Kushtetutës, pika 3) të kuvendit. Varet, gjithashtu, nga mosha: ai ose ajo duhet të ketë mbushur moshën 40 vjeç. Varet, në fund, nga shtetësia: ai ose ajo duhet të jetë shtetas/e shqiptar/e që nga lindja dhe të ketë qëndruar në Shqipërri jo më pak se 10 vjetë (Neni 87, pika 2). Presidenti i zgjedhur betohet se do t`i bindet Kushtetutës dhe ligjeve të vendit të tij, do të respektojë të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbrojë Republikën e Shqipërisë, dhe do t`i shërbejë interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar (Neni 88, pika 3).

Nuk ka, në fjalë të tjera, kërkesa të tjera për t`u zgjedhur president! Por gjykuar nga kompetencat e tij (Neni 92, 93) ai përfshihet në çështje ligjore që lidhen me kushtetutën dhe shtetin. Si i tillë, duhet të ketë dije juridike dhe jo vetëm: sepse ai përfaqëson “unitetin e popullit” (Neni 86)―dhe uniteti i popullit nuk mund të realizohet nga një individ pa dije juridike (për sa kohë që atij ose asaj i kërkohet të zbatojë Kushtetutën) dhe virtyte etike, me më të domosdoshmin, virtytin e përmbajtjes.

Nuk do të shqyrtoj këtu aftësitë juridike dhe virtuoze të presidentëve të 30 viteve të fundit, sepse do të nevojitësh shumë kohë (për hetim) dhe shumë hapësirë. Por do të përmendja vetëm aftësitë e presidentit në ikje: ai nuk është shquar si dashnor i ligjit―përkundrazi, e ka shkelur atë kur drejtonte vendin në ofiqe të ndryshme― as është shquar si njeri virtuoz, me më kryesorin, të qenit i përmbajtshëm―përkundrazi, ka qenë dhe është emocional― dhe si i tillë, nuk përputhet me kërkesat kryesore të Kushtetutës. Por gjykuar nga fakti se Kushtetuta e lë të hapur çështjen kritereve, ai është bërë president sipas saj. Por kjo s`do të thotë se ne duhet të mjaftohemi me mungesat e Kushtetutës: sepse kështu përfundojmë të emërojmë individë jo vetëm të paparishikueshëm në sjelljen e tyre por dhe pa meritë.

Duke mos e patur të qartë rolin e presidentit dhe rëndësinë e tij, me largimin e Metës u shfaqën dhe kandidatët e parë për president: jo duke u vetshpallur por duke u shpallur nga media. Hamendësisht, sepse këta u diktuan nga “njëshi”―kryeministri, meqë e lodhi Meta me refuzimet e ligjeve dhe taktikat e tij politike, megjithëse disa përdorin argumentin e të qenit aktiv në jetën publike. Me këtë të fundit kuptojnë kryesisht “jetën në media” kur dihet se media është çensurë dhe korrupsion!

Sidoqoftë, nëse gjykojmë nga disa kandidatë, kuptohet se ata nuk përputhen as me kërkesat e Kushtetutës ―të kenë dije juridike― as me kërkesat e popullit―të jenë virtuozë. Përkundrazi, Kocaqi dhe Guri shquhen për profka dhe jo thjesht “profka” të vogla: por profkëmëdhenj. Një ndër profkat kryesore të Kocaqit është pretendimi se shqiptarët dhe grekët janë i njëjti popull ndërsa profkat e Gurit janë të panumërta. Por të dy kanë një emërues të përbashkët: thonë se janë pellazgë dhe të bardhë. Këta po të ngjiten në krye të shtetit me siguri do të këpusin çdo ditë profka pellazgjike. Kështu shkojmë nga një president që këpuste profka “vojokushiste” në një president me profka “pellazgjike”.

Kocaqi, grekët dhe shqiptarët nuk kanë të njëjtën prejardhje por...

Pa shqyrtuar shumë aftësitë dhe karakterin e tyre, është e qartë se bëhet fjalë për profkëmëdhenj, që nuk “shquhen” në jetën publike sepse e meritojnë por sepse krijuan marrëdhënie pushtetore me pushtetet politike dhe universitetet dhe median dhe, më kryesorja, me shoqërinë civile, prej së cilës kanë shijuar rroga të majme! Por gjykuar se nga kush varet emërimi i tyre―nga Rama― dhe nga karakteri idiot i këtij të fundit, me siguri që këta mund të zgjidhen.

Me këto premisa ose parakushte nuk do të ishte e çuditshme që të dëshmonim nga njëri apo tjetra, si kryetar shteti, të na thonë dhe stërthonë se ne jemi qendra e botës dhe të na përmendin dhe ngjyrën e lëkurës: bardhësinë tonë pavarësisht se çfarë mund të shkaktonte kjo “bardhësi” tek jo të bardhët që janë pjesë e popullit tonë! Ja kështu insticionalizohet racizmi dhe fashizmi!       

Ftoj me këtë rast popullin të propozojë kandidatët e tij, jo sipas pëlqimit të njërit apo tjetrit, por sipas kritereve: se duhet të ketë dije juridike ―jo thjesht diplomë por kontribute konkrete teorike― dhe të jetë virtuoz me virtytin kryesor, virtytin e përmbajtjes.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA