Kritikët amerikanë tregojnë arsyet e padrejtësive ndaj shqiptarëve ndërsa Vuçiçi ia ‘dredh’ perëndimit
Si kritika e amerikanëve ashtu dhe gazeta gjermane, tregojnë një pjesë të vogël të arsyeve dhe lojës serbe
Ylli Përmeti
01/03/2023 - 18:37
Në kohën kur elita politike në Prishtinë propagandonte idenë se propozimi evropian ishte një platformë e mirë, Voa publikoi disa “kritikë” amerikanë mbi bisedimet. Si fillim dy ndjekës të zhvillimeve në Kosovë 25 vitet e fundit (Daniel Serwer dhe Paul Williams). Sipas tyre “nuk është e qartë se ku konsiston normalizimi sipas pikëpamjes së perëndimit” dhe se “bashkësia ndërkombëtare mund të ushtrojë shumë masa presioni mbi Serbinë”.
Arsyeja sipas njërit prejt tyre, është se “ndaj miqve dhe aleatëve” është më e lehtë për t`u” ushtruar trysni sesa ndaj “një kundërshtari”. Madje njëri ishte befasuar nga SHBA-ja për trysninë e saj, “pasi nuk ka funksionuar në rastin e Jugosllavisë, nuk ka funksionuar në aq shumë vende anembanë globit”.
Ai kritikoi dhe “garancitë” amerikane, kur thotë se SHBA-ja nuk do të lejojë këtë apo atë. “Amerikanë thonë se po japin garanci, [por] le t`u kërkojmë amerikanëve që këto garanci të jepen me shkrim, t`i shprehin ato publikisht në nivelin më të lartë”. Por një arsye tjetër, më e rëndësishme, se pse Uashingtoni vepron padrejtësisht me shqiptarët, rrëfehet nga profesori tjetër amerikan: sipas tij, “Departamenti i Shtetit ka rënë dakord me Serbinë që diplomatë serbë të kenë pozicione bashkërendimi në Departamentin e Shtetit”!
Vuçiçi ia ‘dredh’ perëndimit dhe tregon kërcënimet
Qendrimet e protagonistëve të “bisedimeve” të datës 27 shkurt në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, tregojnë të ardhmen e tyre:
• qendrimi i kreut të politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell, sipas të cilit palët u “pajtuan” dhe thanë se “s`ka nevojë për diskutime të mëtejshme” duke e shoqëruar qendrimin e tij me “karamelen” se marrëveshja “mund të sjellë mundësi të reja ekonomike nga rritja e ndihmës financiare nëpërmjet korporatave dhe investimeve të reja” për të dy vendet dhe siguri më të madhe për kishën ortodokse serbe dhe trashëgiminë e “saj” kulturore dhe në fund, duke njoftuar takimin e radhës ―gjatë muajti mars, me qëllim përfundimin e diskutimeve mbi udhërrëfyesin e zbatimit;
• qendrimi i Kurtit, sipas të cilit ai nuk e nënshkroi marrëveshjen sepse s`ishte gati pala tjetër, madje, sipas tij, pala serbe shkaktoi “dëm” sepse u pajtuan; dhe
• qendrimi i Vuçiçit, sipas të cilit, Kurti s`ishte gati të pranonte themelimin e bashkësisë serbe, ndaj, tha ai, do të nevojiten më shumë diskutime duke përmendur dhe një herë “frikën” e tij se do të ngeceshin “në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe duhej të zbatohej”. Hamendësisht, në moskrijimin e bashkësisë serbe!
Nga qendrimet e tyre kuptohet se Kurti dhe Vuçiçi fajësojnë njëri-tjetrin për mosnënshkrimin e saj ndërsa Vuçiçi ka dhe “frikën” e mosrealizimit të saj. Ndaj kërkon më shumë veprime për të besuar se ajo do të realizohet. Vlen të përmendet fakti se Kurti iu shmang pyetjes për mospërfshirjen e ‘kushteve’ të tij! Qendrimin e Kurtit e përshëndeti dhe Rama, sipas të cilit ai bëri “gjënë e duhur”! Pas tij rendën gjithë të tjerët, me Berishën të argumentojë se ajo “nuk jep zgjidhje përfundimtare të problemeve midis dy vendeve të pavarura fqinje, por zbatimi i saj e bënë atë marrëveshje win-win për palët, domethënë, vërtet të dobishme për Kosovën, Serbinë, por dhe rajonin”, dhe Haradinajn ta përshëndes me “mirënjohje” dhe “falenderime” SHBA-në për mbështetjen e saj.
Megjithatë, Vuçiçi tha për televizionin kombëtar serb një ditë pas bisedimeve se pavarësisht se u kërcënua nga Brukseli ai refuzoi diskutimin e njohjes së Kosovës dhe hyrjen e saj në OKB. “Kemi aktualisht 80,000 njerëz që punojnë në ndërmarrjet gjermane. Ata kërcënuan një seri masazh, duke përfshirë se Serbia do të bëhet një e dëbuar e izoluar nga pjesa tjetër e botës”, shtoi ai. Si pasojë e qendrimit të Vuçiçit ―se do të refuzojë anëtarësimin e Kosovës në OKB― reagoi dhe Kurti, sipas të cilit “kjo do të përbënte shkelje” të marrëveshjes.
Gazeta gjermane me zyra në SHBA “POLITICO” zbulon më shumë hollësi. Sipas një interviste të saj me Vuçiçin pas bisedimeve të fundshkurtit, ai gjendet mes çekanit dhe kudhrës. Pyetjes se nëse kishte ardhur çasti për t`u dëshpëruar Serbia ai iu përgjigj se “ti do të kesh një fjali nga unë: Serbia do të mbetet në rrugën e saj drejt BE-së” ndërsa ai mendon se ka ardhur koha për një rimendim të orientimit të Serbisë duke lënë të kuptohet kapërcimin e gardhit por pa qartësuar si cilin “gardh” do të kapërcejë: atë drejt Evropës apo Rusisë.
Por dinamika e brendshme e tregon se cilin gardh duhet të kapërcejë Vuçiçi: sipas të njëjtës gazetë, një sondazh i kryer katër muaj pas luftës në Ukrainë, 51 për qind e serbëve refuzojnë anëtarësinë në BE, me vetëm 34 për qind të kërkojnë bashkimin ndërsa Putini kryesonte listën e udhëheqësit të parapëlqyer. Një sondazh tjetër në korrik, 2022, gjeti se 66 për qind e serbëve ndiheshin më afër Moskës se Perëndimit, dhe 40 për qind donin përfundimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndërsa 59 për qind fajësojnë perëndimin për luftën në Ukrainë, me 23 për qind të fajësojë Rusinë dhe 18 për qind të dyja palët kanë përgjegjësi.
Por pavarësisht orientimit të Vuçiçit për t`u integruar në BE dhe shumicës së popullit ta refuzojë dhe kërcënojë me vrasje në protesta, gazeta kujton se ai ka bërë kthesa 180 gradshe me më të fundit për t`u përfshirë në bisedime për “normalizimin” e marrëdhënieve me Kosovën të cilën nuk e njeh. Gazeta përmend dhe kritikët e Vuçiçit sipas të cilëve ai luan me perëndimin.
Megjithatë, është e qartë se si kritika e amerikanëve ashtu dhe gazeta gjermane, tregojnë një pjesë të vogël të arsyeve dhe lojës serbe: sepse një arsye se pse amerikanët sillen padrejtësisht me shqiptarët lidhet pikërisht me sjelljen e elitave tona politike të cilat kanë krijuar varësi ndaj amerikanëve sidomos në politikën e jashtme dhe nuk kanë fituar kuptim të drejtë lidhur me efeket apo pasojat e dëmshme të propozimit evropian dhe gazeta gjermane s`ka kuptim të plotë lidhur me lojën gjeopolitike të Serbisë, Amerikës dhe Rusisë.
(Pa)drejtësitë e propozimit franko-gjerman dhe nevoja për mbështetjen e Kurtit
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 161 reads



