...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Llojet e ulçerave (plagëve) në stomak dhe shkaqet

Dy janë llojet kryesore të plagëve (ulçerave) në stomak: njëri quhet “ulçer gastrit” dhe tjetri “ulçer i duodenit”.

Ylli Përmeti

03/07/2024 - 19:16

Kohët e fundit përvallem me njerëz që s`dallojnë dot llojet “ulçerave”, se shkaqet e tyre e kanë më të vështirë për t`i kuptuar; nuk kanë faj, fundja, “mjekët” tanë nuk i sqarojnë; ndaj po tregoj shkurt llojet dhe shkaqet. Dy janë llojet kryesore të plagëve (ulçerave) në stomak: njëri quhet “ulçer gastrit” dhe tjetri “ulçer i duodenit”. Për të dy këto ulçera studimet tregojnë si shkak kryesor një bakter në trajtë “helike” (Helicobacter pylori) ndaj dhe e quajnë “helikobakter”. Ja si e përshkruan atë një studim ―nga më të plotët― i vitit të kaluar botuar “Nature”: 

Infeksioni me Helicobacter pylori shkakton gastrit kronik, i cili mund të përparojë në patologji të rënda gastroduodenale, duke përfshirë ulçerën peptike, kancerin e stomakut dhe limfomën e indit limfoid të lidhur me mukozën e stomakut. H. pylori zakonisht përhapet në fëmijëri dhe vazhdon gjatë gjithë jetës nëse nuk trajtohet. Infeksioni prek rreth gjysmën e popullsisë në botë, por përhapja ndryshon sipas vendndodhjes dhe kushteve sanitare. H. pylori ka veti unike për të kolonizuar epitelin gastrik në një mjedis acid. Patofiziologjia e infeksionit H. pylori varet nga mekanizmat komplekse të virulencës bakteriale dhe ndërveprimi i tyre me sistemin imunitar të bujtësit dhe faktorët mjedisorë, duke rezultuar në fenotipe të dallueshme të gastritit që përcaktojnë përparimin e mundshëm drejt patologjive të ndryshme gastroduodenale. Roli shkakor i infeksionit H. pylori në zhvillimin e kancerit të stomakut paraqet mundësinë për strategji parandaluese ekranim-dhe-trajtim. Metodat invazive, të bazuara në endo-skopi, duke përfshirë frymëmarrjen, jashtëqitjen, dhe testet serologjike, përdoren për diagnostikimin e infeksionit të pelorit. Trajtimi i H. pylori përbëhet nga një shtypës (supresant) i fortë acid në bashkëveprime të ndryshme me antibiotikë dhe/ose bismut. Rritja dramatike e rezistencës ndaj antibiotikëve kryesorë të përdorur në çrrënjosjen e H. pylori kërkon testimin e ndjeshmërisë ndaj antibiotikëve, mbikëqyrjen e rezistencës dhe kujdesin ndaj antibiotikëve.

Një shkak dytësor janë barnat josteroide kundër-inflamatore (aspirina, ibuprofeni dhe naproxen-i/NSAID). Kur ato përdoren për një kohë të gjatë, si qetësues nga dhimbjet apo kundër temperaturës, dhe dhimbjeve kronike, artritit reumatoid, dhe gjatë kohës pas një operacioni, shkaktojnë dëm gastrointestinal, sepse dëmtojnë mukozën e stomakut. Praktika klasike për këtë lloj ulçeri është përdorimi i një pompe (proton pump inhibitors PPIs) për të ndaluar sekretimin ose prodhimin e acidit gastrit por ajo shkakton kundërndikime si sëmundje në veshka, mëlçi dhe neurologjike. Pikërisht për shkak të atyre kundërndikimeve një studim ka përdorur kefirin dhe tregon se ai “rrit mbrojtjen qelizore dhe aftësinë antioksidante ndërsa njëkohësisht ul stresin oksidativ dhe inflamacionin”.    

Kefiri është përdorur dhe për vetitë e tij antimikrobike kundër baktereve P. Aeroginosa dhe Stafilokokut. Ai prodhon “molekula antimikrobike gjatë fermentimit”. Një studim tregon se disa lloje kefiri kur përdoren të ndërthurur me streptomicinën, rrisin aftësinë e tij antimikrobike me pesëfish (deri në 95.3%) por nuk pengon tërësisht përhapjen e baktereve përkatëse dhe “nuk është toksik në përqendrime më të mëdha se sa nevojitet për të prodhuar një ndikim antimikrobik”.  Lidhur me helikobakterin, tregon se një studim tjetër, ndërthurja e kefirit me lanzoprazole, amiksilinë dhe klarithromicinë, për 14 ditë, është më efektive kundër tij se sa pa kefir.   

Një kategori tjetër janë pacientët me gjendje të rënda mjekësore, si trauma të mëdha (djegiet elektrike etj.), sepsis (kur trupi mbivepron kundër një infeksioni), djegie të gjera, dëmtim të kokës ose dështim të shumë organeve: ata zhvillojnë ato që quhen “ulçera stresi” por shfaqen rrallë. 

Ky lloj stresi nuk duhet të ngatërrohet me “stresin kronik”, sepse ky shkaktohet nga gjendja mendore. Ky i fundit, sipas një studimi,  rrit shfaqjen e ulçerës peptike, duke ndikuar pjesërisht në sjellje të rrezikshme për shëndetin. Sipas po të njëjtit studim, stresi kronik kishte ndikime të ngjashme në ulçerat e lidhura me infeksionin H pylori dhe ato që nuk lidhen as me H pylori ose me përdorimin e barnave anti-inflamatore josteroide. “Stresi kronik” vepron në “ulçer” duke ulur aftësinë mbrojtëse të njeriut ―domethënë, aftësinë për të luftuar infeksionin.

Qoftë edhe në rastin kur një njeri vuan nga stresi apo ka stres (kuptoje si “shqetësim” ose “ngushtim” nëse kemi parasysh fjalën latine “strictus” prej të cilës buron dhe fjala “stres”) ose në nivel qelizor siç kemi kur infektohemi nga ndonjë bakter apo virus, ose në nivel mendor, kur kemi shqetësime që lidhen me jetën, ulçera ose “plaga” në shqip, në stomak fillon me infeksionin bakterial të helikobakterit; ndaj, në këtë rast, dhimbjet në stomak nuk shkaktohen nga “stresi kronik” por nga infeksioni bakterial; stresi kronik thjesht bën dhimbjen e stomakut si vetja: kronike...

Një shkak tjetër (tretësor) lidhet me ‘zhveshjen’ e mukozës se stomakut nga glikoproteina “musin”. Zhveshja në fjalë shkaktohet nga rritja e refluksit të acidit steroid të stomakut dhe/ose toksinave uremike të përqendruara në gjak për shkak të pastrimit të penguar nga çrregullimi renal. Ky lloj ulçeri quhet përgjithësisht “ulçer stresi” por quajtja nuk është e drejtë, sepse nuk i përgjigjet realitetit ose etiologjive ose zinxhirit të shkaqeve. Kjo qasje ka çuar “mjekët”, sidomos psikiatrët, ta keqkuptojnë si “stresin” ashtu dhe ulçerin dhe këshillojnë barna për trurin dhe jo për stomakun (meqënse besojnë te shkaku i stresit mendor dhe nuk kanë dije për shkaqet e tjerë por edhe këtë nuk e ndajnë në stres të zakonshem dhe stres kronik).

Megjithatë, studimet tregojnë, gjithashtu, lidhjen e ngushtë mes depresionit dhe ulçerave. Ndaj dhe një shkak tjetër për shfaqejn e ulçerave është depresioni dhe anasjelltas: ulçera shkakton depresion. 

Nga këta katër shkaqe, ulçeri që shkaktohet nga helikobakteri është më i lehtë për t`u luftuar.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA