Mashtrimi` Ramës me avionët zjarrfikës dhe masat e parandalimit
Gjendja me djegien e pyjeve dhe ndryshimet klimatike mori përmasa dramatike gjatë fund-korrikut dhe gushtit 2025 dhe Rama dhe media e tij mashtroi dhe u tall edhe një herë me popullin ndërsa nuk mungonin zërat se me ”tre-katër” avionë do të shpëtonim nga zjarret! Por siç do të tregoj këtu, avionët nuk mjaftojnë për t`u përballur me zjarret.
Ylli Përmeti
13/08/2025 - 14:10
Rama mashtroi edhe një herë jo vetëm popullin por dhe veten kur iu kundërpërgjigj thirrjeve se pse ai s`kishte blerë avionë për fikjen e zjarrjeve. Sipas tij, janë disa “llogari” që s`e lejojnë të blejë—domethënë, flota jonë dhe mbështetja nga mekanizmi evropian dhe Emiratet, ndësa përmendi flotën greke, turke dhe spanjolle, të cilët sipas tij kanë avionë plotë dhe prapë po përcëllohen, ndërsa përmendi dhe arsyetimin e mirëditur se “kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat”, sipas tij, “janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet...dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, tha ai. Mashtrimi` tij përfshiu dhe përpjekjen e tij për të paraqitur zjarrfikësit nga toka si të mjaftueshëm kur shumë raporte tregonin banorët të thoshin se në disa raste zjarrfikës nuk pati dhe raste të tjerë u vonuan.
Por filloje nga Shfarosja biblike e jetës së Shqipërisë nga elita neoliberale dhe programi qesharak i Lëvizjes Bashkë
Kujtoj se tre vjet më parë, ish-ministri` çmbrojtjes, Niko Peleshi, mundohej të përligjte mospasjen e avionëve për fikjen e zjarreve me madhësinë e vendit tonë dhe koston e lartë të tyre. Sipas tij, ngaqë vendi ynë është i vogël dhe avionët kushtonin 50 milion euro, nuk ia vlente të shpenzohej për ta pavarësisht se vendet fqinje si Malizi dhe Maqedonia, vende më të vegjël, kishin blerë 3-4 avionë çdonjëri. Në atë kohë nuk u shkaktua ndonjë kundërshti mediatike nga “gazetarët” e oligarkisë kundër pretendimeve të tij dhe si pasojë gjendja me mjetet zjarrfikëse nga ajri mbeti në heshtje.
Tre vjet më pas, kur Shqipëria u pushtua edhe një herë nga zjarret, pak më shumë se dy vitet pararendëse, gjatë javës së fundit të korrikut, Rama dhe ministri tjetër i çmbrojtjes, Pirro Vëngu, kërkoi ndihmë nga BE-ja për fikjen e zjarreve. Ndihma ishte “dy avionë” por dy javë më pas, kur vatrat kishin shkuar në 50 (13 gusht) apo 57 (14 gusht), ndihma u shtua me katër mjete “të forcave tona dhe aleate”, siç tha, Vëngu, ndërsa shtoi dhe “forcat e armatosura” por pa përmendur ndonjë shifër. Megjithatë, një ditë më pas, kreu i “emergjencave civile”, Haki Çako, tha se ishin “mbi 10 mijë forca të emergjencave civile dhe vullnetarë” ndërsa Rama shprehte “mirënjohje për zjarrfikësit” dhe kërkonte “dënim më të rëndë për autorët”.
Por ai tallet sepse dihet se ai është shkaktari kryesor i gjendjes dhe autorët nuk do të dënohen kurrë meqënse policia dhe prokuroria e tij “vrasin miza” prej vitesh ndërsa veprojnë si ai: shijojnë rroga të majme dhe zyra me kondicionerë...me të vetmin ndryshim se ai bredh botën dhe çliron më shumë kimikate.
Kështu, së pari, Peleshi gënjeu se avionët zjarrfikës kushtojnë 50 milin euro. Sipas një raporti të Euronews, avionët e quajtur Canadair kushtonin 30 milion euro ndërsa vetë BE-ja nuk ka më shumë se 20 avionë zjarrfikës. Ndaj ajo njoftoi dy vite më parë se do të shtonte flotën e saj me 12 avionë të rinj por pa asnjë gjasë të përballojnë nevojat e saj në nivel evropian meqënse Evropa shënon rekorde të vatrave të zjarreve çdo vit: nga fillimi` vitit deri më 12 gusht u shënuan 1599 zjarre, në nivel evropian, të cilët kanë djegur 409,220 ha pyje dhe kanë çliruar 13.47 milion ton CO².
Së dyti, ministri tjetër i Ramës, Vëngu, është më keq se Peleshi lidhur me çështjet që përfshin mbrojtja e atdheut në përgjithësi dhe zjarret në veçanti. Gati një vit në detyrë do të kishte kryer një studim lidhur me rrezikun që na kanostet nga zjarret. Nëse nuk di të kryejë studime, që me shumë gjasa s`di, ngarkonte dikë tjetër. Edhe kur shkon në vendngjarje tregon se nuk di të drejtojë veprimet. Në fund të fundit, Vëngu është zgjedhur nga një kryeministër me mangësi të stërmëdha në drejtimin e shtetit. Njërëzit e mangët gjithnjë zgjedhin njerëz me mangësi më të mëdha, sepse nëse zgjedhin ndonjë pa mangësi, do ta kenë të vështirë t`i “drejtojnë”.
Së treti, vendi ynë nuk është aq i vogël sa tre apo katër avionë do të mjaftonin. Nuk ka ndonjë studim që të tregojë se sa vatra zjarri mund të mbulojë një avion gjatë 24 orëve por kuptohet se kur kemi 50 vatra zjarri, të cilat me Ramën në krye të shtetit me siguri do të shtohen çdo vit, deri sa ta shkretojë gjithë Shqipërinë, dhe disa janë në jug e disa në veri, ne duhet të kemi të paktën 10 avionë zjarrfikës. Studimet tregojnë se helikopterët janë më të mirë se avionët për fikjen e zjarreve. Por sipas një studimi të zhvilluar në Turqi, jo të gjithë helikopterët janë njësoj. Sipas të njëjtit studim, modeli “Kamov-32” dhe “Sikorky S-70” janë më të mirët. Ata përdorin kova, janë të shpejtë dhe mund të veprojnë në terrene të vështira. Kostua e të parit është rreth 10 -15 milion dollarë ndërsa e të dytit rreth 25 milion dollarë.
Megjithatë, një studim tjetër i zhvilluar në Kinë, mbi zjarrfikësit ajror, tregon se përdorimi` pudrës së thatë është më e mirë se uji, sepse uji nuk i shuan tërësisht vatrat dhe me erën ato rindizen. Sipas tij, nga 300 tretësira të provuara njëra ka treguar aftësi më të mirë në fikjen e zjarreve dhe kundër rindezjes. Provat u kryen me helikopter papilot. Helikopterët përkatës kushtojnë nga 60 deri në 80 mijë euro. Kështu në vend të blejmë 10 avionë apo 10 helikopterë dhe të na kushtojnë miliona euro, blejmë 100 apo 200 dronë kinezë që na kushtojnë sa një helikopter dhe mbulojmë nevojat në çdo kënd të Shqipërisë.
Vlen të përmendet fakti se Rama kërkon ndihmë nga BE-ja kur vetë BE-ja është në krizë të thellë si lidhur me përpjekjen e saj tejet të pjesshme lidhur me ndryshimet klimatike ashtu dhe lidhur me djegien e pyjeve atje dhe mungesën e flotës së saj. Ndihmën në fjalë populli do ta quante “i mbyturi kërkon ndihmë nga i mbyturi”. Në përpjekjen e tij për të përligjur “politikën” e tij lidhur me zjarret, nuk mungoi “kundërshtia” e Berishës dhe partive të reja. Berisha u mjaftua duke i përmendur atij shpenzimet e luksit (ose të panevojshme) në njërën anë dhe mungesën e shpenzimeve për “emergjencat civile” në anën tjetër dhe duke shtuar se nëse vendi do të kishte sot një qeveri të vërtetë...Delvina dhe zona të tjera sot do ishin shpallur zona të fatkeqësive natyrore”.
Akuzën e parë Berisha ka kohë që e bën dhe ka pretenduar disa shifra për të cilat nuk kemi parë ndonjë hetim të pavarur. Në to ai përfshin dhe udhëtimet e luksit të Ramës me “çarter” dhe ka thënë se ai shpenzon miliona. Rama i është kundërpërgjigjur dy vite më parë me një shifër. Sipas tij ai shpenzon për një udhëtim 650 mijë lekë ndërsa Berisha shpenzonte 2.5 milionë të vjetra. Rama ka përdorur dhe arsyetimin se ai udhëtonte lirë me avionët e “Air Albania”, sepse shfrytëzonte çmimin “promocional” ose reklamimin e ndërmarrjes me flamur shqiptar. Por kundërshtia e tij (Berisha) tregonte se nuk kishte asnjë marrëveshje mes tij dhe ndërmarrjes në fjalë për çka ai pretendonte. Berisha ka kërkuar dhe ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e udhëtimeve të Ramës por ka dështuar. Kostoja e udhëtimeve të tij, në të vërtetë, mund të hetohej nga gazetarë të pavarur. Por si duket Berisha s`e ka parë të arsyeshme dhe s`i ka përdorur ata për hetimin e pretendimit të tij.
Sidoqoftë, nga këto pretendime dhe kundërpretendime kuptojmë se Rama vërtet ka kryer udhëtime luksi por s`kemi ndonjë hetim për të mësuar masën e shpenzimeve të tij. Por akuzës së Berishës i mungon ana më e rëndësishme—hamendësisht, sepse s`ka zhvilluar arsyetim ekologjik: se udhëtimet e Ramës kanë kosto më të madhe mjedisore se sa kosto shoqërore. Ndaj dhe kur të hetohet, duhet me patjetër të llogariten të dyja kostot. Lidhur me pretendimin tjetër —se Rama duhet të shpallte disa zona “gjendje të jashtëzakonshme”, me qëllim që të merrte ndonjë “kacidhe” nga BE-ja— kuptohet se flitet për veprime që bëhen pasi “është bërë dasma” dhe jo me parandalimin e zjarreve. Në të njëjtën “valë” me Berishën paraqiten dhe “udhëheqësit” e partive të reja: ata kallëzojnë shpenzimet luksoze të Ramës dhe mungesën e avionëve por pa treguar masa parandalimi. Me të tillë “udhëheqës”, rrjedhimisht, Shqipëria s`ka për të parë ndonjë herë dritë.
Duke patur parasysh shkaqet dhe pasojat e ndryshimeve klimatike dhe studimet e përmendur, një qeveri e përgjegjshme do të luftonte së pari shkaqet e ndryshimeve klimatike; do të ringrinte ndërmarrjen e “pyjores”; do të kërkonte përgjegjësi nga policia dhe prokuroria por dhe gjykatat për mungesën e kapjes dhe dënimit të autorëve; do të përdorte politika për rritjen e ndjeshmërisë kundrejt ndryshimeve klimatike; do të blinte dronët kinezë me pudër të thatë (meqënse kanë kosto shumë më të ulët se helikopterët dhe janë më efiçentë); dhe do të kishte ulur vuajtjet e zjarrfikësve që i “fikin” zjarret me shkarpa; do të kishte ulur dhe numrin e tyre dhe rrjedhimisht koston e buxhetit të shtetit; do të kishte shpëtuar viktimat dhe të lënduarit; dhe do të kishte shpëtuar pyjet dhe jetën tonë dhe kafshët e pafajshme nga një pasojë që lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike.
Por që të realizohen politikat në fjalë dhe të tjera që s`përmenden këtu për ndalimin e shfarosjes së jetës sonë, duhet pikë së pari të ndëshkohen shkaktarët e saj.
Në fund duhet të përmenden përgjegjësitë ligjore të organeve tona hetimore lidhur me shfarosjen e jetës sonë. Kushtetuta detyron qeverinë të “informojë” popullin “për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij” ndërsa qeveria “Rama” pretendon se mjetet që ka brenda dhe ndihmat nga jashtë vendit mjaftojnë për parandalimin dhe ndalimin e shkatërrimit të mjedisit kur gjendja e tij tregon të kundërtën: se Rama ka shkatërruar më shumë se 10 për qind të pyjeve (përqindjen tjetër e ka shkatërruar Berisha dhe Nanua); ka çliruar në mjedis gazra që ndikojnë në ndryshimet klimatike më shumë se pararendësit e tij; ka krijuar kushtet për çlirime më të mëdha dhe zjarre më shkatërrues se më parë; dhe s`ka siguruar mjete për parandalimin dhe ndalimin e zjarreve.
Gjykuar nga këto detyrime ligjore por dhe nga neni 206/a dhe b, i Kodit Penal, për zjarret e qëllimshme dhe nga pakujdesia, dhe nga mashtrimet e qarta të Ramës, të cilët kodi në fjalë i dënon, por dhe mashtrimi tjetër se ai do të dëmshpërblejë të dëmtuarit (sepse janë ende qindra familje që s`janë dëmshpërblyer nga tërmeti ndërsa dëmet nga zjarret janë të pallogaritshme) Dumani dhe kreu tjetër i prokurorisë së përgjithshme, Çela, duhet të kishin jo thjesht nisur hetimet por duhet të kishin lëshuar urdhërndalimet ndaj Ramës dhe vartësve të tij. Por gjykuar nga përvoja, se drejtorët e prokurorive nuk hetojnë pa u dërguar një kallëzim penal, madje po s`qeve parti politike as që e marrin mundimin, ata s`do të lëvizin, duke shkelur dhe një nga nenet e kodit penal. Ndaj mbetet në detyrën tonë që Dumanin dhe Çelën t`i dërgojmë tek partitë nga kanë ardhur dhe të kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të Ramës me organizim politik dhe protesta.
*Harta që shoqëron këtë editorial është e Komisionit Evropian, e cila paraqet të ardhmen e javës që vjen në nivel evropian
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 84 reads



