Përgjegjësia e dyfishtë e Ramës për vrasjen e gjyqtarit dhe rrënimin e familjes ‘Shkëmbi’ dhe paturpësia e tij
Përgjegjësia e Ramës dhe qeverisë së tij është e dyfishtë: një herë kundrejt nenit 59 të Kushtetutës dhe një herë kundrejt nenit 49 të ligjit të pushtetit gjyqësor
Ylli Përmeti
08/10/2025 - 08:48
Sipas njoftimeve, Elvis Shkëmbi vrau gjyqtarin e gjykatës së apelit, Astrit Kalanë, sepse e dinte se do ta humbiste pronën, të cilën, sipas tij, familja e tij e kishte trashëguar por gjatë socializmit u shtetëzua dhe pas braktisjes së tij bashkia ua kishte shpërdarë 31 familjeve në nevojë pasi ia kishte shitur një herë, ndërsa priti policinë ta ndalonte pas vrasjes pa treguar ndonjë pendesë.
Nëse ngjarja është siç e paraqesin raportet, Shkëmbi ka të drejtë në pretendimin e tij, nëse shteti ia ka shitur vërtet një herë ndërtesën, ndërsa s`ka të drejtë lidhur me gjykatësin, sepse gjykata vendos se çfarë “është e mirë për të mirën e përgjithshme” dhe kërkon vërtetim kadastral për trashëgiminë e pronës. Mes të mirës së përgjithshme dhe ndoshta mungesës së vërtetimit kadastral, gjykata ka zgjedhur të mirën e përgjithshme. Vetëm nëse Shkëmbi ka paraqitur vërtetim kadastral për pronën në fjalë, gjykata mban përgjegjësi - domethënë, ka qenë e padrejtë. Por ky pretendim mbetet të zbardhet nga hetimet, nëse kryhen nga organet tona dhe nuk mbulohen për të mbrojtur gjykatësin dhe Ramën.
Shkëmbi kishte rrugë tjetër sigurisht —ligjore— nëse besonte se pronën përkatëse e kishte të trashëguar dhe e mbronte me prova: shkonte në gjykata të nivelit më të lartë, madje dhe jashtë vendit. Por duket se durimi` tij por dhe besimi në organet e shtetit, ishte sosur dhe zgjodhi rrugën e shkurtër.
Megjithatë, parë nga këndvështrimi ligjor dhe politik, përgjegjësi ka Rama, nëse e shohim përgjegjësinë e tij me detyrimet që ka —si kryeministër— ndaj kushtetutës: të nenit 59 (a, b). Madje, sipas ligjit nr 98/2016 “për organizimin e pushtetit gjyqësor”, neni 49, rregulli dhe siguria në gjykata, pika 2, ku thuhet se “këshilli i ministrave, pasi merr mendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, përcakton kriteret dhe procedurat për garantimin e rregullit dhe sigurisë në gjykata”, ai ka përgjegjësi për mungesën e sigurisë në gjykatë.
Përgjegjësia e Ramës dhe qeverisë së tij, në fjalë të tjera, është e dyfishtë: një herë kundrejt nenit 59 të Kushtetutës përmes të cilit mund të zbuste krizën ekonomike në të cilën gjendjej Shkëmbi, duke e shkurajuar atë të shkonte në gjykatë, dhe një herë kundrejt nenit 49 të ligjit të pushtetit gjyqësor.
Ndryshe nga këto detyrime ligjore dhe politike, Rama e shfrytëzoi vrasjen e gjyqtarit duke kërkuar “ashpërsimin domethënës në Kodin Penal - të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!”.
Kështu ai tregoi edhe një herë se sa i pacipë është dhe çfarë na trashëgon nga ngjarja përkatëse: një gjyqtar të vrarë, për të cilin do të përdor kursimet tona që të mbulojë nevojat e familjes së tij dhe një familje në mos fis (Shkëmbin) të rrënuar për shkak se ai dhe qeveria e tij nuk iu përmbajt detyrimeve kushtetuese.
Nuk e vrau fare ndërgjegjja kryeoligarkun tonë, as për shpërthimin e shumicës së popullit ose e atyre që shkruajnë poshtë njoftimeve të medias kriminale të elitës sonë neoliberale (Euronews, Top etj.), duke mbështetur veprimin e vrasësit dhe duke uruar të “njëjtin fat” për gazetarët, prokurorët, policët, mjekët etj.
Urrejtja e tyre kuptohet se buron nga keq-qeverisja e qeverive “Rama” ose padrejtësive të tyre, siç shprehet dhe në rastin e fisit “Shkëmbi” dhe mijëra raste të tjerë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 23 reads